Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë të shtunë reformën e e re të ndarjes së kontratave për plazheve për sezonin e ardhshëm turistik.
Gjatë një prononcimi të dhënë në sezonin e ri të podkastit “Flasim”, kryeministri bëri me dije se vitin e ardhshëm nuk do të lejohen të vihen shezlongë në bregdet përveçse nga hotelet.
Shefi i qeverisë shtoi se ata të cilët kanë restorante, apo beach bare në afërsi të vijës së parë të detit, nuk do të lejohen të vendosin shezlongë me pagesë.
Rama tha se edhe hotelet që do të lejohen do të vendosin shezlongë në raport me numrin e dhomave që kanë.
“Vitin tjetër ne do të ndryshojmë sistemin dhe nuk do të lejojmë më shezlonge, përveçse ata që kanë hotele. Nuk mund të jepen më leje plazhesh për të ardhur një individ ose një person juridik apo fizik, për të thënë që dua këtë plazhin këtu dhe do të vë beach bar e do të vë shezlonge. Mund të kesh një beach bar, mund të kesh një restorant por nuk ke shezlonge. Plazhi duhet shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe shijimi i plazhit mes atyre krevateve të ngjitur me njëri tjetrin është i pamundur.
Nuk mund të kesh një hotel me 40 dhoma dhe të vësh 200 shezlonge dhe të marrësh popull aty dhe t’i detyrosh të paguajnë. Ti do të vësh shezlonge për aq sa ke kapacitet ke. Natyrisht jo një për dhomë pasi do lihet një distancë.
Nuk mund t’i çosh shezlonget deri në breg, që njerëzit kur duan të kalojnë në breg ta kenë të pamundur ose t’i bien me not ose të dalin nga rruga e të mallkojnë veten që erdhën në plazh.
Kështu do të krijojmë një fashë atë që kemi thënë të hapësirës publike në vijën e ujit”, tha Rama
Kryeministri shtoi s eplazhet do të menaxhohen nga bashkitë duke vendosur një çmim tavan për qytetarët që duan të rrinë në shezlongë.
“Tjetra pastaj, do ta fillojmë me bashkitë, që bashkitë të marrin hapësira dhe të vendosin bashkitë çadra, aty ku është e mundur dhe shezlonge, por me çmim tavan të detyruar. E kemi filluar prej disa vitesh, këtë vit e shtymë më përpara që bashkitë ta administrojnë. Lezha është model se është polic ai kryetari i bashkisë së Lezhës.
Është shumë e rëndësishme që dy pensionistë të kenë mundësi të shkojnë, Velipojë, Shëngjin apo Vlorë, të shkojnë e të rrinë me një çmim shumë të arsyeshëm. Të kenë mundësi njerëzit të rrinë me çadrat e tyre, dhe ata të paguajnë një shumë minimale se duhet për të pastruar ajo shuma” tha Rama.