Rama me komunitetin shqiptar të Athinës: Bashkë për Shqipërinë e vitit 2030 në BE

Shqipëria

Rama me komunitetin shqiptar të Athinës: Bashkë për Shqipërinë e vitit 2030 në BE

Më: 30 mars 2025 Në ora: 16:45
Edi Rama

Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, po zhvillon sot një takim me shqiptarët që jetojnë në Athinë.

Pas takimit të një dite më parë në Kretë, Rama sot ndodhet në ambientet e Qendrës së Kulturës “Elinikos Kosmos” në Tavros, Athinë, ku po bashkëbisedon me bashkatdhetarët mbi çështjet që prekin komunitetin shqiptar në Greqi, si edhe mbi programin e PS “Shqipëria 2030”.

Në çelje të takimit, drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla tha se mazhoranca socialiste ka arritur të nënshkruaj 16-të marrëveshje për njohjen e pensioneve me vende ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Ai premtoi se “brenda mandatit të ri, do të firmoset marrëveshja për pensionet edhe me Greqinë”.

Balla tha se PD firmosi vetëm dy marrëveshje të tilla gjatë kohës që qeveriste. “Bufi vetëm firmosi, 8-fish më shumë firmosëm ne”, tha Balla. Sipas tij, në sallën ku po zhvillohet takimi, ka të pranishëm edhe demokratë. “Bashkë për Shqipërinë në BE”, shtoi Balla.

Ky takim është pjesë e turit që Rama ka ndërmarrë prej muajsh për të takuar shqiptarët në diasporë. Pas Greqisë, ai do të udhëtojë drejt Italisë, ku më 13 prill do të zhvillojë një takim në Milano.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat