​Rama: Evropa më e pranishme se kurrë në rajon

Shqipëria

​Rama: Evropa më e pranishme se kurrë në rajon

Më: 16 maj 2025 Në ora: 14:16
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përçuar mesazhe bashkimi dhe paqeje në hapje të Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet sot në Tiranë.

Ai tha se mbajtja e këtij samiti për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor dëshmon se Evropa është më prezente se kurrë në këtë rajon.

Rama shtoi se Ballkani i ka mbijetuar luftës dhe konflikteve territoriale, mirëpo tani e kaluara tregon se paqja nuk ka konkurrent.

Rama: Evropa më e pranishme se kurrë në rajon

“Bashkimi Evropian na mësoi se edhe ish-armiqtë mund të bëheshin bashkë edhe pse me plagë të hapura nga lufta dhe të krijonin një lidhje të përjetshme...Këtu në Ballkan i kemi mbijetuar luftës, bombave, konflikteve territoriale, shkatërrimit e rrënimit. Kjo ka ndodhur gjatë jetës sonë, por kemi mësuar se paqja nuk ka konkurrent. Prandaj shpresa në atë Evropën tjetër është më e madhe këtu. Europtimisti më i madh në mes të gjithëve neve të mbetur këtu, nuk jeton në Paris apo Berlin, por Tiranë apo Podgoricë ku besimi në idealin evropian i ka rrënjët thellë... Evropa mbetet terreni më pjellor për të shndërruar rrjedhat e zymta të historisë në rrugë të shndritshme për të ardhmen”, tha ai.

Në Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian po marrin pjesë mbi 40 liderë, në mesin e tyre edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kujtojmë, Komuniteti Politik Evropian është një platformë diskutimesh politike e strategjike mbi të ardhmen e Evropës, e cila u krijua në vitin 2022. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat