Rriten temperaturat në fundjavë

Shqipëria

Rriten temperaturat në fundjavë

Më: 1 gusht 2025 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Intervalet e gjata me diell dhe moti i kthjellët do të mbizotërojnë në këtë fillim gushti. Sipas meteorologëve, kjo fundjavë do të lërë pas ditët e freskëta që përjetuam në fund të korrikut, pasi temperaturat do të pësojnë një rritje graduale, duke arritur vlerat maksimale prej 36 gradë Celsius.

“Java pritet të sjellë një rritje të lehtë të temperaturave si në orët e para të mëngjesit, ashtu edhe në orët e mesditës, duke bërë që ditën e diel temperaturat e ajrit në orët e para të mëngjesit të ngjiten në 14 gradë Celsius në zonat malore, ndërsa maksimumet do të regjistrohen në vlerën 36 gradë Celsius. Në qarqet e Elbasanit dhe Beratit do të jenë temperaturat më të larta, po ashtu edhe në kryeqytet, Gjirokastër dhe Shkodër ku do të arrijnë në rreth 35 gradë Celsius. Vija bregdetare gjatë ditës së shtunë, por edhe të dielë, do të ketë temperatura të larta, ku maksimumet do të luhaten nga 32 deri në 34 gradë Celsius. Në zonat malore temperaturat do të pësojnë rritje, duke bërë që maksimumet të arrijnë në vlerat 31 gradë Celsius,” tha meteorologu Hakil Osmani.

Sipas meteorologëve, vala e të nxehtit që ka prekur Europën dhe Ballkanin Qendror nuk pritet të godasë Shqipërinë.

“Kjo vjen si pasojë e një vale të nxehti, ku më së shumti është në pellgun e Mesdheut, ndërsa territorët shqiptare momentalisht kanë sinjale që të jenë në periferi, duke bërë që këto vlera të jenë më të ulëta se 37 apo 38 gradë Celsius.”

Muaji gusht do të jetë një muaj i nxehtë, por sipas meteorologëve nuk pritet të regjistrohen temperatura maksimale mbi 44 gradë Celsius, të cilat u regjistruan në korrik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat