Kolegji i Posaçëm i Apelimit riktheu në detyrë gjyqtaren e Tiranës Blerina Muço e shkarkuar 2 vjet më parë nga vetingu
“Trupi gjykues KPA i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 3/2024, datë 18.01.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Blerina Muço kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 711, datë 01.11.2023.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 711, datë 01.11.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Blerina Muço. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në vendimin e KPA.
KPK vendosi më 1 nëntor 2023 të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Tiranës, Blerina Muço, pasi shumica e trupës e gjykuese konkluduan se ky subjekt rivlerësimi nuk arriti nivel të mjaftueshëm për pasurinë, si dhe se në vlerësimin tërësor të çështjes u evidentuan probleme që cenojnë besimin e publikut tek drejtësia.