Sot protesta e PD/ Ish-kandidati për deputet, Ethem Aga: Të gjithë në shesh, rinia do të bëjë historinë!

Shqipëria

Sot protesta e PD/ Ish-kandidati për deputet, Ethem Aga: Të gjithë në shesh, rinia do të bëjë historinë!

Më: 10 shkurt 2026 Në ora: 14:41
Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Ethem Aga

Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Ethem Aga, i ka bërë një thirrje të fortë publike qytetarëve në prag të protestës kombëtare të PD-së, që do të mbahet sot, duke kërkuar një mobilizim masiv dhe vendosmëri maksimale.

Ai tha se sot është dita e kryengritjes. Në deklaratën e tij, Aga shprehet se Shqipëria ndodhet në një moment kyç të historisë politike, shoqërore dhe ekonomike, ku heshtja dhe indiferenca, sipas tij, nuk janë më neutralitet, por bashkëfajësi. Ai thekson se barra e korrupsionit ndihet nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe se kjo protestë duhet të udhëhiqet nga të rinjtë, studentët, të sapopunësuarit dhe çiftet e reja.

Aga nënvizon rolin historik të rinisë shqiptare në momentet vendimtare të vendit, duke kujtuar lëvizjet studentore që rrëzuan diktaturën dhe protestat për dinjitet e drejtësi. Sipas tij, sot ky zë rrezikon të zbehet nga apatia, emigrimi dhe zhgënjimi i qëllimshëm që i është imponuar brezit të ri.

Ai kritikon një sistem që, sipas tij, nuk u ofron perspektivë të rinjve, i trajton ata si statistikë apo votë të manipulueshme dhe ka frikë nga mendimi kritik. Në këtë kontekst, Aga përmend universitetet e politizuara, mungesën e mbështetjes për studentët dhe një treg pune që, sipas tij, i përzë të rinjtë në vend që t’i mirëpresë.

Në thirrjen e tij, Aga thekson se ndryshimi nuk vjen duke u larguar nga vendi, por duke u përfshirë aktivisht në jetën publike, duke e krahasuar situatën edhe me protestat e të rinjve në vendet e rajonit. Ai sqaron se protesta nuk është thirrje për konflikt apo radikalizëm, por për përgjegjësi qytetare dhe vetëdije.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat