Një 17 vjeçar që mbeti i plagosur me armë zjarri gjatë një feste me shokët në zonën e njohur si Kthesa e Kamzës në Tiranë, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës. Ai ndodhej i shtruar prej mbrëmjes së datës 24 Maj dhe fatkeqësisht sot ka mbyllur sytë përgjithmonë.
Adoleshenti dhe dy shokët e tij ishin ftuar në shtëpi nga Rigers Sylaj dhe teksa festonin me alkool, 19 vjeçari që rezulton se është djali i një ushtaraku, ka marrë armën e zjarrit pistoletë dhe ua ka treguar adoleshentëve.
Gjatë demonstrimit, ai nuk e ka ditur që arma kishte plumb në fole dhe aksidentalisht ajo ka bërë qitje të pavullnetshme, me predhën e plumbit që ka kapur në kokë 17 vjeçarin.
Shokët e kanë nxjerrë atë të plagosur në oborr dhe më pas nga hetimet ka rezultuar se ai ishte plagosur aksidentalisht nga Rigers Sylaj. I riu është arrestuar në kushtet e flagrancës, ndërsa shoku mbylli sytë sot në spital, pas 4 ditësh.