Protestat në ditën e 11-të, rritet presioni për dorëheqjen e kryeministrit

Shqipëria

Protestat në ditën e 11-të, rritet presioni për dorëheqjen e kryeministrit

Më: 10 qershor 2026 Në ora: 19:26 Përditësuar në ora: 23:20 më 10.06.2026
Protesta

Arlind Qori në protestë me djalin: Populli e ka marrë sovranitetin në duart e veta

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, mori pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë, ku ishte i shoqëruar edhe nga djali i tij. Në një prononcim për në emisionin ‘NOW’ me Erla Mëhillin, Qori tha se në momente të tilla politikanët duhet të flasin më pak dhe të dëgjojnë më shumë qytetarët.

“Detyra e politikanëve është të përfaqësojnë popullin kur populli merret me punët e veta të përditshme. Tashmë populli është në rrugë, e ka marrë sovranitetin aktiv. Kështu që unë jam thjesht një grimcë në oqeanin e madh të shoqërisë shqiptare që po proteston”, u shpreh ai.

Qori tha se ka qenë pjesë e protestave që nga dita e parë, duke kujtuar se Lëvizja Bashkë ishte pranë banorëve të Zvërnecit që në fillim të kundërshtimit të projektit.

Sipas tij, protesta ka tejkaluar tashmë çështjen e Zvërnecit dhe është kthyer në një shprehje më të gjerë të pakënaqësive të qytetarëve.

““Fatmirësisht lajmi u përhap dhe tashmë populli ka nisur rrugën e vet. Tashmë dihet që Zvërneci nuk është më një kauzë e vetme, por është pasuar nga kauza të tjera jetësore për qytetarët shqiptarë. Zvërneci, Rrjolli e kudo tjetër ku shpronësohen qytetarët e ku shkatërrohet natyra, vazhdon të jetë kauzë. Por është e vërtetë që në shesh ka zbritur i gjithë mllefi i shoqërisë shqiptare për të gjitha padrejtësitë që ne pësojmë, dhe thelbi i kësaj pakënaqësie është emri i Edi Ramës si kryeministër, dhe emrat e Ramës dhe të Berishës si përfaqësuesit tipikë të një sistemi të vjetër dhe të korruptuar politik”, tha Qori.

I pyetur për praninë e djalit të tij në protestë, Qori tha se tubimi është një hapësirë ku marrin pjesë qytetarë të të gjitha moshave.

“Protesta ka qenë përplot me fëmijë, madje edhe me foshnja disa muajshe, sepse është shprehja më e bukur e asaj që ndjen çdo qytetar në zemrën e vet. Pa diskutim, fëmijët, të moshuarit, gjithkush është pjesë e kësaj proteste”, tha Qori.

Marshimi në Tiranë, protestuesit rikthehen te Kryeministria: Jep dorëheqjen

Pas më shumë se 90 minutash marshimi në rrugët e Tiranës, mijëra protestues janë rikthyer sërish në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ teksa vijojnë protestën duke I bërë thirrje Edi Ramës të dorëhiqet si Kryeministër.

Protesta e sotme, e 11-ta kundër Kryeministrit Rama dhe politikës së vjetër, konsiderohet si më e madhja e dy dekadave të fundit, ndërsa për herë të parë asaj iu bashkuan edhe shqiptarët e diasporës.

Me flamuj kombëtarë në duar, mijëra të rinj dhe të reja, që janë shtylla kryesore e protestës, kanë përshkuar në këmbë akset kryesore rrugore, ndërsa thirrjet “Jepe dorëheqjen”. “Pelikanin kaçurel do ta sjellim në Surrel”, ishin disa nga thirrjet që protestuesit kanë hedhur gjatë marshimit.

Ndërkohë një tjetër grup protestuesish ka ndjekur intervalin nga rruga e Elbasanit, duke kaluar para godinës së Parlamentit, për të vijuar marshimin drejt godinës qeveritare.

Protesta nisi në orën 18:00 dhe deri në orën 21:00 protestuesit qëndruan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ku nisën marshimin. Marshimi vijon drejt sheshit Skënderbej, teksa mijëra qytetarë nuk janë ndalur përgjatë gjithë pasdites.

Tirana në këmbë. Vijon marshimi, protestuesit kalojnë mes makinave, duartrokiten nga qytetarët!

Një tubim madhështor vijon prej 11 ditësh, me një kërkesë të vetme, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Edi Rama jep dorëheqjen”, janë thirrjet e qytetarëve, në këtë protestë.

Protestuesit po vijojnë marshimin në të gjithë akset kryesore të kryeqytetit. Protestuesit janë duartrokitur dhe mbështetur edhe nga persona të tjerë që kanë qenë duke lëvizur me automjete.

Thirrja e tyre është “Rama në burg, Berisha në burg”.

Protesta historike, që nuk ishte parë deri më sot, ka kaluar përtej kufijve.

Pakënaqësia nga qeveri, por nuk kanë munguar edhe kritikat e zhgënjimet nga opozita, ka bërë që shqiptarët të kundërshtojnë këtë kastë politike, duke kërkuar një Shqipëri të re, të drejtë, të lirë dhe me dinjitet për të ardhmen.

11 ditë në protestë/ Shehu: Ja e vërteta tronditëse pas ligjit për Zonat e Mbrojtura që nxori qytetarët në shesh

Ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura ka ngjallur debate të forta dhe ka kulmuar me protesta masive në shesh, duke nxjerrë në pah një mungesë totale transparence nga ana e institucioneve.

E ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte Besjana Shehu, eksperte ornitologjike, u shpreh se gjithçka nisi në fund të vitit, kur një grup prej 10 deputetësh të opozitës ndërmorën nismën për të zhbërë ligjin ekzistues, të cilin e konsideronin tepër strikt. Kjo lëvizje u pasua me miratimin e ndryshimeve në një proces që po denoncohet rëndë nga shoqëria civile.

"Kemi qenë bashkë atëherë dhe ka qenë fundi i vitit, Krishtlindje po mendoj që e mori vëmendjen, sado që mund të thuhet që s'e mori vëmendjen edhe vërtet u iniciua nga një grup i opozitës, ata 10 deputetët e iniciuan atë nismë për të riparë ligjin e zonave të mbrojtura për të bërë ato ndryshime që ata mendonin se ishin të nevojshme për të çngurtësuar apo për të zhbërë atë ligj që ata e shikonin shumë strikt.

Dhe ia dolën, ndryshimet i realizuan dhe do të thoja që bashkarisht kemi folur për këtë situatë ku jemi sot. Bashkarisht e prekëm që ne do ishim te kjo situatë që jemi sot. Jo te revolucioni po do ishim te prekja e zonave të mbrojtura.

Ne kemi qenë në çdo dëgjesë, në çdo takim me komisionin e veprimtarisë ekonomike e të gjitha të tjerat, kemi pasur të gjithë komunitetin kombëtar, shoqërinë civile, kemi pasur edhe komunitetin ndërkombëtar që ishte në mbështetje, që po e shikonte, nga momenti siç po e shikon edhe aktualisht Komisioni Europian që po shikonte vëmendësinë e ndjekjes së procedurave të ndryshimit të ligjeve. Dhe nëse mbaj mend ato bëheshin çdo javë, pa një njoftim publik, pa vendosjen e materialeve dhe informacionit të duhur në përdorim apo në funksion të shoqërisë civile apo grupeve të interesit që ishin të interesuara në atë kohë që të dinin se çfarë po ndodhte dhe ku janë këto ndryshime, specifikisht të gjitha.

Domethënë për ne kjo ishte në mungesë, i gjithë ky informacion, çdo gjë ishte në terr. Por ishim aty, të revoltuar, revolucionarë edhe në atë kohë do të thoja dhe nuk u mjaftuam me aq. Vërtet ligji u ndryshua, ajo më vonë u procedua, u ndoqën dhe rrugët e tjera ligjore, litiguese, në Gjykatën Kushtetuese. Paçka se edhe aty nuk mund të themi që fituam, por nuk mund të themi as që humbëm me atë vendimmarrje 4 me 4 që është praktikisht strategji.

E shikoj pozitive dhe e shikoj në favor të zonave të mbrojtura. E shikoj edhe rezistencën e liderit tonë apo të kryeministrit të këtij vendi për të vazhduar, për të proceduar, por e shikoj sikurse edhe frymën dhe energjinë, sa pozitive, sa paqësore, sa kreative, sa hyjnore të kësaj proteste që nuk po agravohet në kuptimin negativ", u shpreh Shehu.

Kikia: Shoqëria civile ka dhënë kontribut absolut për zonat e mbrojtura, në Shqipëri shkatërrimi vjen përmes ndërtimit

Një valë e re reagimesh publike ka përfshirë vendin pas shqetësimeve për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, ndërsa gazetari dhe analisti Mentor Kikia ka ngritur alarmin për pasojat që, sipas tij, po sjellin ndryshimet ligjore në mjedis.

Gjatë emisionit ”Ora e Betit” në “Ora news “, Kikia u shpreh se shkatërrimi i pasurive natyrore po ndodh përmes lejeve të ndërtimit, duke përmendur si shembuj zona me rëndësi të veçantë si Gjiri i Manastirit, Zvërneci dhe Pishë Poro në Nartë.

Sipas tij, aktivistët mjedisorë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë zhvilluar prej kohësh një betejë publike dhe institucionale për mbrojtjen e këtyre territoreve, përfshirë denoncime të vazhdueshme dhe dërgimin e çështjeve në Gjykatën Kushtetuese.

Kikia kundërshtoi pretendimet se çështjet mjedisore nuk zgjojnë interes publik, duke theksuar se reagimet kanë qenë të vazhdueshme dhe se zëri i aktivistëve është dëgjuar në çdo forum të mundshëm.

Ai vlerësoi se situata aktuale përfaqëson një moment kritik për mbrojtjen e natyrës, pasi pasojat e ndryshimeve ligjore tashmë janë të dukshme në terren dhe po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Sipas gazetarit, ajo që fillimisht ishte një përpjekje e kufizuar për mbrojtjen e mjedisit është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, e cila po nxit debat publik dhe politik mbi të ardhmen e zonave të mbrojtura në vend.

Ai theksoi se rezistenca e qytetarëve dhe organizatave mjedisore po dëshmon rëndësinë e angazhimit publik në mbrojtjen e pasurive natyrore, duke paralajmëruar për rrezikun e një modeli zhvillimi ku, sipas tij, “shkatërrimi vjen përmes ndërtimit”.

Mentor Kikia: Unë jam gazetar, por jam edhe një aktivist i mjedisit dhe në momentin kur po bëheshin ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura, të gjithë kanë qenë aty ku duhej të ishin shkruar, folur, bërtitur, drejtuar institucioneve, Gjykatës Kushtetuese konkretisht, kur u shkatërrua. Apo u shkatërrua përmes ndërtimit?

Sepse këtu është i vetmi vend ku shkatërrimi vjen përmes ndërtimit.

Nuk do të thoja që ka kaq shumë mungesë vëmendje, por gjithsesi ne kemi qenë aty ku duhej të ishim dhe e kemi ngritur zërin aq sa mund ta ngrinim.

Në raport me zonat e mbrojtura, kjo gjë po ndodh pikërisht në fazën kur me miratimin e ndryshimeve në ligj, nuk është që vëmendja e njerëzve që lobojnë për mjedisin mori fund.

Kjo gjë po ndodh pikërisht në mesin e një projekti shumë të rëndësishëm që bëhet pikërisht për të monitoruar pasojat që i vijnë zonave të mbrojtura natyrore nga këto ndryshime ligjore. Dhe Zvërneci, apo Pishë Poro në Nartë, është një nga zonat që ishte pikërisht nën monitorim për të kuptuar se çfarë po ndodh kur u shpërtheu ajo që, jo se nuk dihej, por që nuk kishte marrë këto përmasa.

Kështu që në këtë drejtim, unë mendoj që shoqëria civile përtej ironisë që mund të përdori qeveria në raport me vëmendjen, në raport me argumentin, ka kontributin e saj absolut."

Princ Leka dhe Blerta Celibashi krah qytetarëve në ditën e 11-të të marshimit nëpër kryeqytet

Në ditën e 11-të të protestës që po zhvillohet këtë të mërkurë në Tiranë, mijëra qytetarë janë mbledhur për të kundërshtuar investimin e planifikuar në Zvërnec.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen mes protestuesve ka qenë prania e përfaqësuesve të familjes mbretërore.

Në mesin e qytetarëve të cilët rreth orës 21:00 të mbrëmjes së sotme, nisën marshimin nëpër Tiranë, të pranishëm janë parë Princ Leka dhe partnerja e tij, Blerta Celibashi, e cila është në pritje të ëmbël.

Ndërkohë nga ana tjetër protestuesit, pas dy orësh duke mbajtur fjalime para Kryeministrisë, ata kanë nisur marshimin nëpër rrugët e Tiranës.

Protesta anti-Rama, mediat ndërkombëtare transmetojnë revoltën qytetare

Prej 11 ditësh në Tiranë, mijëra qytetarë po protestojnë kundër Kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkojnë dorëheqjen. “Rama jepe dorëheqjen, punon kundër interesave të vendit”, është motoja e protestuesve, ndërsa thirrja më e shpejtë është “Rama në burg, Berisha në burg”.

Protesta ka tërhequr vëmendjen e mediave më prestigjoze botërore, ku jo vetëm Reuters, por edhe Associated Press kanë transmetuar “live” në kanalet në youtube, ngjarjet nga Tirana. Kjo do të thotë se pavarësisht se Kryeministri po përpiqet të minimizojë protestën qytetare, duket se jehona ndërkombëtare nuk po arrin të ndalet.

Kjo është hera e parë në 13 vite në pushtet, që Edi Rama po përballet me një protestë qytetare të përmasave të mëdha, që nga organizatorët konsiderohet si revolucioni flamingo.

 

Për herë të parë, protestuesit e cilësuan Edi Ramën një armik, ndërsa iu kërkua institucioneve të drejtësisë që të veprojnë. “Nëse institucionet e drejtësisë do të veprojnë me shpejtësi ndaj të korruptuarve, do të kenë mbështetjen tonë”, thanë protestuesit.

“Rama ik”, një thirrje e dëgjuar edhe më parë në protestat e thirrura nga opozita, ka shoqëruar protestën qytetare në ditën e 11-të. Gjithashtu protestuesit kanë thirrur “poshtë patronazhistët”, ndërsa janë denoncuar presionet që po ushtrohen ndaj tyre.

“Sa më shumë të shtoni presionet aq më shumë do mblidhemi në shesh”, ishte thirrja që doli në protestën e sotme, teksa në një tjetër mesazh drejtuar Kryeministrit, protestuesit shprehen “ke detyruar fëmijët tanë të largohen nga Shqipëria, tani ne të largojmë ty”.

Protestat nisën në 31 maj në Tiranë, ndërsa u shtrinë në disa qytete kryesore të vendit. Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen janë protestat e organizuara në disa nga kryeqendrat europiane, ku protagonistë janë shqiptarët e diasporës.  

Ish-deputeti i PD Ervin Salianji i bashkohet protestës në Tiranë, e shoqëron Alesia Balliu

Ervin Salianji i është bashkuar protestës së opozitës para Kryeministrisë.

Një ditë më parë, ish-deputeti demokrat bëri thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm.

Salianji ka deklaruar vazhdimisht se opozita duhet të radikalizojë aksionin politik pas skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë dhe segmenteve të saj, ndërsa ka theksuar se PD po vuan nga mungesa e aktivizmit dhe forca reaguese.

Pikërisht për të rienergjizuar Partinë Demokratike, Ervin Salianji ka nisur turin e takimeve me bazën demokrate.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji i është bashkuar protestës në Tiranë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec si dhe kundër qeverisë. Krah Salianjit është dhe Alesia Balliu.

I riu propozon Kuvend Kombëtar të aktivistëve: Të bashkohemi, pa partitë politike!

Një aktivist nga Dukati ka propozuar krijimin e një Kuvendi Kombëtar të aktivistëve gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, duke kërkuar bashkimin e të gjitha grupeve qytetare në një forum të përbashkët, jashtë ndikimit të partive politike.

Duke folur para mijëra protestuesve të mbledhur në Tiranë, ai theksoi nevojën për ruajtjen e unitetit të lëvizjes dhe shmangien e përçarjeve që, sipas tij, mund të dobësojnë kauzën qytetare.

“Më bëhet zemra mal kur ju shoh kaq të shumtë dhe të bashkuar. Kemi pasur shumë debate edhe si aktivistë. Për të shpëtuar protestën duhet të kemi një forum, të mblidhen të gjithë grupet e aktivistëve. Nuk mund ta lejojmë protestën të na përçahet”, deklaroi ai.

Aktivisti propozoi ngritjen e një tryeze kombëtare ku të përfaqësohen të gjitha grupet e aktivistëve, me synimin për të vendosur rregulla komunikimi dhe koordinimi mes tyre.

Sipas tij, në këtë nismë nuk duhet të përfshihen partitë politike, qofshin ato të vjetra apo të reja, në mënyrë që protesta të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të pavarur.

“Të mos e nënvlerësojmë këtë pikë. Të ngremë një Kuvend Kombëtar, së bashku, përveç partive politike apo atyre forcave që duken si të reja, por nuk janë siç duken. Ju lutem të gjithëve të mos e ndalojmë protestën, ejani bashkohuni të gjithë, të bashkuar deri në fitore për të ardhmen e fëmijëve tanë”, u shpreh ai.

Fjala e tij u prit me duartrokitje dhe ovacione nga protestuesit, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vazhdim.

Revolucioni i Flamingove/ 11 ditë protestë, mijëra qytetarë marshojnë drejt Kryeministrisë

“Revolucioni i Flamingove” është futur në ditën e 11-të. Qytetarët janë mbledhur në Sheshin Skënderbej, nga ku kanë nisur më pas të marshojnë drejt Kryeministrisë.

Pas 11 ditësh radhazi në rrugët e Tiranës, mobilizimi nuk humbet ritëm. Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, në shesh kanë nisur të dëgjohen sloganet që tashmë janë kthyer në simbol të protestës, ndërsa flamujt kuqezi dominojnë mes turmës.

“Rama ik”, “Duam drejtësi”, “Atdheu nuk shitet”, “Shqipëri e Re”, “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama ka mbaru”.

Dita e njëmbëdhjetë vjen pas një marshimi maratonë një natë më parë, ku mijëra qytetarë qëndruan për orë të tëra në rrugët e Tiranës, duke kaluar nga bulevardi drejt zonës së Korpusit Universitar dhe më pas duke u rikthyer sërish në qendër të qytetit.

Ajo që bie në sy gjatë këtyre ditëve është fakti se protesta ka tejkaluar prej kohësh kauzën që e ndezi fillimisht. Në rrugët e Tiranës nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike në tërësi, duke reflektuar një pakënaqësi më të gjerë që shkon përtej një çështjeje të vetme.

Për shumë prej pjesëmarrësve, protesta është shndërruar në një reagim ndaj korrupsionit, keqqeverisjes, largimit të të rinjve nga vendi, mungesës së besimit te institucionet dhe tranzicionit të zgjatur politik që ka dominuar Shqipërinë për më shumë se tre dekada.

Protestat janë pasqyruar nga media ndërkombëtare, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama ka hyrë në debate publike lidhur me ngjarjet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat