PD kundërshton mbledhjen e Këshillit të Sigurisë: “Është fasadë”

Shqipëria

PD kundërshton mbledhjen e Këshillit të Sigurisë: “Është fasadë”

Më: 28 shtator 2026 Në ora: 10:05
Partia Demokratike

Partia Demokratike deklaron se mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë lidhur me zhvillimet e fundit në vend pas arrestit të

ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit është fasadë. Deputeti Bardh Spahia shprehet në një reagim se shpëtimi nuk mund të vijë nga ata që e shkaktuan situatën.

“Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk është gjë tjetër veçse një maskaradë e pështirë, e orkestruar nga po ata krerë institucionesh që e zhytën vendin në këtë humnerë pasigurie, kriminaliteti dhe degradimi.

Kush diskuton sot për sigurinë kombëtare? ​Një tryezë ku shumica dërrmuese e anëtarëve janë të kapur mat në përgjime, në pazare të pista, në ndarje parash dhe në bashkëqeverisje të hapur me krimin e organizuar! Si mund të presë një popull i tërë mbrojtje nga ata që e kanë vënë shtetin në shërbim të bandave për të ruajtur pushtetin dhe paratë e vjedhura?

​Shkaktarët nuk mund të jenë kurrë shpëtimtarë!

Siguria kombëtare nuk mund të mbetet në duart e antikombëtarëve që shesin të ardhmen e vendit në duart e krimit. I vetmi akt me një fije dinjiteti i këtij këshilli të padinjitet, i kësaj qeverie dhe i këtij parlamenti të kapur, do të ishte një dhe i vetëm: vetëshkrirja dhe largimi pa kthim!

​Shqipëria nuk ka nevojë për mbledhje fasadë, por për:

​Shpërbërjen e menjëhershme të një shteti të kapur në “krevat” me krimin.

​Largimin e kësaj kaste të komprometuar dhe të zhytur në dosje e përgjime.

​Formimin e një qeverie teknike që garanton njëherë e mirë të drejtën themelore të mohuar: votën e lirë e të ndershme.

​Maskat kanë rënë dhe koha e maskarenjve ka marrë fund!” shkruan ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhet në Strasburg dhe gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një sërë takimesh dhe aktivitetesh në Parlamentin Europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat