“Dilni nga klasa”, “Poshtë patronazhistët”/ Thirrje revoltuese në Universitetin e Durrësit
Edhe studentët e Durrësit ashtu siç paralajmëruan një ditë më parë, kanë nisur bojkotin e mësimit ditën e sotme për t’u bashkuar në një protestë që do të zhvendoset në sheshin qendror në qytetin e Durrësit.
Fillimisht studentët në Kampusin e UAMD-së në Spitallë, janë grumbulluar tek oborri i universitetit duke bërë thirrje për bojkot.
Ata janë futur si fillim në godinën e Fakultetit Ekonomik duke iu bërë apel studentëve që ndodheshin në auditorë për t’iu bashkuar protestës.
E njëjta gjë do të bëhet tek të gjitha godinat e fakulteteve, teksa pritet që më vonë të marshojnë drejt bashkisë së qytetit.
Nuk ndalet aksioni! Studentë dhe gjimnazistë marshojnë drejt Rrugës së Elbasanit, shkatërrojnë semaforët
Tirana është përfshirë nga të gjitha anët e saj në protestë! Gjimnazistë dhe studentë kanë bojkotuar mësimin dhe po protestojnë.
Siç u transmetua nga pamjet live, një grup të rinjsh po vijojnë marshimin drejt rrugës së Elbasanit, ndërkohë që vijon sulmi ndaj sinjalistikës rrugore.
Një grup të rinjsh kanë dëmtuar me sende të forta semaforin, duke e shkatërruar atë.
Gjimnazistët “zotër” të rrugëve të Tiranës, ndërhyjnë Forcat Shqiponja
Përpos studentëve, sot në rrugët e Tiranës për të protestuar kanë dalë edhe gjimnazistët.
Ata janë të shumtë në numër, duke kërkuar ndryshim të sistemit politik. Gjimnazistët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas disa momenteve të protestave nga ana e tyre, kanë ndërhyrë dhe Forcat Shqiponja.
Forcat Shqiponja ndërhynë, me qëllim që të shpërndajnë gjimnazistët.
Bojkotohet mësimi në Fakultetin e Bujqësisë në Korçë, studentët në mbështetje të protestës në Tiranë
I boshatisur është paraqitur këtë mëngjes Fakulteti i Bujqësisë në Korçë, ku pedagogët janë paraqitur në ambientet e fakultetit, por studentët kanë bojkotuar mësimin.
Mbi 80% e studentëve nuk janë paraqitur në auditorë në shenjë mbështetjeje për protestën e zhvilluar në Tiranë.
Ndërkohë studentë dhe nxënës të gjimnazeve në Korçë kanë paralajmëruar edhe një protestë e cila pritet të mbahet rreth orës 11:00 në qendër të qytetit.
Jo vetëm studentë, gjimnazistët marrin në dorë protestën. Pas shkollave të mesme në Tiranë, nisen drejt kryeqytetit dhe nxënës nga Divjaka
Pas studentëve, duket se ata që kanë marrë në dorë protestën e sotme janë gjimnazet.
Disa gjimnaze në Tiranë kanë bojkotuar mësimin dhe janë dyndur në rrugë, ndërkohë që edhe nga Divjaka, janë nisur nxënës drejt kryeqytetit.
Protesta që kanë vijuar për mbi 130 ditë në kryeqytet, janë bërë dy ditët e fundit të dhunshme, me protestuesit që përplasen me policinë ndërsa i është vënë zjarri disa prej instucionevë kryesore në vend.