Tensione në disa pika të Tiranës, policia përdor gaz lotsjellës, sulmohen konviktet

Shqipëria

Tensione në disa pika të Tiranës, policia përdor gaz lotsjellës, sulmohen konviktet

Më: 15 tetor 2026 Në ora: 10:05 Përditësuar në ora: 13:34 më 15.10.2026
Pamje nga protesta

Protesta në Tiranë, sulmohet selia e Partisë Socialiste

Tensionet gjatë protestës në kryeqytet janë shtrirë edhe te selia e Partisë Socialiste, e cila raportohet se është sulmuar nga protestuesit.

Ngjarja vjen në një moment kur protesta është shoqëruar me përplasje dhe akte dhune në disa zona të Tiranës.

Priten detaje të mëtejshme mbi rrethanat e incidentit, dëmet e mundshme dhe reagimin e Policisë.

Përplasje te parlamenti, policia hedh gaz lotsjellës! Shpërndahen protestuesit

Përplasjet janë agravuar edhe para parlamentit. Sapo ka shkuar atje turma e protestuesve të rinj, policia ka hedhur gaz lotsjellës.

Nxënësit dhe studentët u tërhoqën nga pjesa e parme e parlamentit, teksa policia vijoi me aksionin e shoqërimit të tyre.

Policia apel nxënësve dhe prindërve: Qëndroni larg dhunës, largohuni nga zonat e rrezikshme

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin përfshirjen në akte dhune, në një kohë kur protestat e të rinjve vijojnë të shoqërohen me tensione.

Përmes një mesazhi publik, policia u kërkon nxënësve të mos përfshihen në veprime që mund të rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen e tyre, si dhe të largohen menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë.

Një apel i veçantë u drejtohet edhe prindërve, të cilëve u kërkohet të kujdesen për fëmijët dhe t’i këshillojnë ata të qëndrojnë larg situatave të rrezikshme.

Policia thekson se efektivët janë në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

“Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin drejtuar prindërve, ndërsa Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve bashkëpunim për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Shqipëria në kaos nga protestat e studentëve, Rama për “Reuters”: Nuk do të jap dorëheqjen

Ndërkohë që Shqipëria prej tre ditësh është nën pushtetin e të rinjve, të cilët kanë dalë në protesta masive, kreu i qeverisë, Edi Rama ka deklaruar për Reuters, se nuk do të japë dorëheqjen.

Në përgjigjet me shkrim drejtuar Reuters-it, cituar nga DW, Rama deklaroi se nuk do të lejonte që dhuna të rrezikonte synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha agjencisë Reuters të enjten se nuk do të jepte dorëheqjen përballë protestave të dhunshme të udhëhequra nga studentët, të cilat tashmë kanë hyrë në ditën e tyre të tretë radhazi.

Në përgjigjet me shkrim drejtuar Reuters-it, Rama deklaroi se nuk do të lejonte që dhuna të rrezikonte synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, shkruan DW në Facebook.

Marshimi drejt parlamentit, të rinjtë thyejnë derën e Ministrisë së Ekonomisë

Protesta e nxënësve dhe studentëve vijoi edhe sot me dhunë dhe me agravim të situatës.

Pas përplasjeve me policinë te Ministria e Arsimit, të shumtë në numër të rinjtë marshuan drejt parlamentit dhe bulevardit kryesor të Tiranës.

Rrugës ata kaluan nga Ministria e Ekonomisë, teksa shkelmuan dhe thyen një prej dyerve të ministrisë.

Rruga e Durrësit në kaos, policia shoqëron të riun me dhunë duke ia mbyllur gojën

Edhe protesta e sotme vijoi me dhunë dhe kaos.

Protestuesit e rinj nuk u zmbrapsën përpara forcave policore te rruga e Durrësit.

Ata hodhën gurë ndaj tyre, sakaq policia iu kundërpërgjigj me dhunë.

Një prej të rinjve të shoqëruar me dhunë u kap edhe nga goja, teksa efektivi i Shqiponjave ia mbante shtrënguar me dorë gojën të riut.

Kaos te Ministria e Arsimit, të rinjtë nuk tërhiqen nga rruga godasin me gurë, policia hedh ujë

Protesta po vijon me kaos përpara Ministrisë së Arsimit.

Policia zhvilloi një aksion të befasishëm teksa shoqëroi dhunshëm disa të rinj.

Sakaq të rinjtë nuk janë larguar por kanë vijuar të godasin me gurë policin, teksa këta të fundit janë kundërpërgjigjur me ujëhedhëse.

Dhunë dhe shoqërime para ministrisë së Arsimit, policia tërheq zvarrë gjimnazistët! I shpërndan me ujë protestuesit

Situata para ministrisë së Arsimit është agravuar, me forcat e policisë, të cilat kanë ushtruar dhunë ndaj të rinjve, ndërsa gjatë shoqërimit të tyre, ata janë tërhequr zvarrë.

Të rinjtë fillimisht nisën të gjuajnë me gurë, ndërsa policia ka ndërhyrë me dhunë, duke i shoqëruar.

Gjatë ndërhyrjes, policia ka përdorur edhe ujë për të shpërndarë protestuesit, duke përshkallëzuar situatën.

Protesta zhvillohet në kuadër të lëvizjes së studentëve dhe gjimnazistëve, të cilët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

“Rama jepe dorëheqjen”/ Fakulteti i Filologjikut bojkoton auditorët, studentët i bashkohen protestës

Studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë kanë bojkotuar mësimin dhe i janë bashkuar protestës që po zhvillohet në Tiranë.

Me thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, të rinjtë kanë lënë auditorët për t’iu bashkuar tubimit masiv në kryeqytet.

Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve vijon, ndërsa bojkoti i mësimit është shtrirë në disa shkolla dhe universitete.

Aksione proteste po zhvillohen edhe në qytete të tjera të vendit.

Protesta e të rinjve/ Nxënësit e “Asim Vokshit” duan t’i bashkohen tubimit, drejtoresha nuk i lejon të dalin nga shkolla

Të rinjtë që po protestojnë në Tiranë u kanë bërë thirrje nxënësve të shkollës “Asim Vokshi” që t’i bashkohen protestës.

Sipas raportimeve nga vendngjarja, nxënësit kanë shprehur dëshirën për të dalë dhe për t’u bashkuar me protestuesit, por drejtoresha e shkollës nuk i ka lejuar të largohen nga ambientet e institucionit.

Ndërkohë, protesta e të rinjve vijon në Tiranë, ku protestuesit po u bëjnë thirrje edhe nxënësve dhe studentëve të tjerë që t’u bashkohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat