​QKUM: Pengimi i ambulancave rrezikon jetën e qytetarëve

Shqipëria

​QKUM: Pengimi i ambulancave rrezikon jetën e qytetarëve

Më: 17 tetor 2026 Në ora: 16:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore në një reagim pas incidentit gjatë protestës ku një ambulancë u bllokua nga disa protestues sqaron se ambulancat dhe ekipet e saj kanë një mision të vetëm: ofrimin e ndihmës mjekësore dhe shpëtimin e jetëve.

Në një deklaratë për mediat, QKUM thekson se “ambulancat janë në shërbim të çdo qytetari që ka nevojë për kujdes urgjent, pa asnjë dallim”.

“Gjatë protestave, ekipet e Urgjencës Mjekësore janë në gatishmëri për t’u përgjigjur çdo rasti që kërkon ndërhyrje, ndërkohë që vijojnë të përballojnë të gjitha urgjencat e tjera mjekësore. Në Tiranë, përveç fluksit të zakonshëm prej rreth 250–280 vizitash dhe ndërhyrjesh në ditë, gjatë ditëve të protestave janë shtuar rreth 100 raste të tjera. Në nivel kombëtar, Urgjenca Mjekësore përballon rreth 500 vizita çdo ditë”, sqaron QKUM.

Në këto kushte, vijon QKUM, çdo pengim i lëvizjes së ambulancave, çdo vonesë apo cenim i personelit dhe pajisjeve mjekësore vështirëson ofrimin në kohë të ndihmës për personat në rrezik.

QKUM u bën thirrje qytetarëve dhe protestuesve të respektojnë ambulancat, të mos pengojnë lëvizjen e tyre dhe të mos cenojnë punën e personelit mjekësor. Ambulancat duhet të lejohen të përmbushin misionin e tyre në çdo rrethanë.

“Çdo pretendim për përdorimin e ambulancave jashtë misionit të tyre duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe të verifikohet nga institucionet përgjegjëse. Ambulancat janë në shërbim të jetës. Mos i pengoni. Çdo vonesë mund të kushtojë një jetë”, thekson QKUM.

Kujtojmë, pas qëndrimit për katër orë përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë në ditën e pestë të tubimeve ku kërkohet ndryshimi i klasës politike si dhe krijimi i kushteve për moslargimin e të rinjve nga vendi. Protestuesit ndodhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë që sërish ka tensione mes tyre dhe policisë.

Protesta e të rinjve vijon edhe sot për të pestën ditë radhazi. Ata po protestojnë kundër klasës politike në vend. Rreth mesditës nisën aktet e para të dhunës ndërsa protestues të maskuar kanë shkulur kangjellat pranë Ministrisë së Arsimit dhe i vendosën në mes të rrugës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat