​Sali Berisha bën thirrje për mos bindje civile

Shqipëria

​Sali Berisha bën thirrje për mos bindje civile

Më: 17 tetor 2026 Në ora: 20:46
​Sali Berisha

Kreu i PD-së u bën thirrje qytetarëve nga rrethet të vërshojnë drejt Tiranës, ndërsa protesta e ditës së pestë u shoqërua me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve në rrethe që t’i bashkohen mosbindjes civile, në një kohë kur protestat kundër qeverisë në Shqipëri po vijojnë mes tensioneve dhe përplasjeve me policinë.

Në një konferencë për media të mbajtur mbrëmjen e sotme, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen dhe të udhëtojnë drejt kryeqytetit, duke e cilësuar mosbindjen civile si një mbështetje të rëndësishme për të rinjtë që po protestojnë.

“Mosbindje civile është ndihma më e çmuar për studentët luftëtarë, për studentët dhe gjimnazistët, heronj të vërtetë. Ndërsa qytetarët që mund të vijnë në Tiranë nesër, të vërshojnë drejt kryeqytetit. Këtu është sheshi ku fitorja do të firmoset nga qytetarët shqiptarë”, deklaroi Berisha, raporton TCH.

Ai i ashpërsoi kritikat ndaj qeverisë, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave dhe duke bërë thirrje për mobilizim qytetar.

“Këtij regjimi të urryer do t’i dridhet toka nën këmbë”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës

Krahas thirrjes për mosbindje civile, lideri demokrat i kërkoi kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke e paraqitur këtë si rrugën për zgjidhjen e krizës politike.

“Njofto një minutë e më parë dorëheqjen. Jep dorëheqjen, hapi rrugën zgjidhjes së denjë për një vend anëtar në Bashkimin Evropian”, deklaroi Berisha.

Protesta e pestë, përplasje dhe të lënduar

Thirrjet e Berishës vijnë në ditën e pestë të protestave në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë tubimeve janë raportuar persona të lënduar si në radhët e protestuesve, ashtu edhe të efektivëve të policisë.

Përplasjet më të ashpra u regjistruan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku protestues të maskuar hodhën fishekzjarrë, molotovë dhe gurë në drejtim të policisë.

Në përgjigje, efektivët përdorën autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Protestat kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa thirrja e Berishës për mobilizim të mëtejshëm të qytetarëve pritet të ndikojë në zhvillimet e tubimit të paralajmëruar për ditën e nesërme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat