Rama për protestën e studentëve: Pas saj qëndrojnë forca që nuk e duan përparimin e Shqipërisë

Shqipëria

Rama për protestën e studentëve: Pas saj qëndrojnë forca që nuk e duan përparimin e Shqipërisë

Më: 24 tetor 2026 Në ora: 12:45
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve që po zhvillohet në Tiranë, duke akuzuar se një pjesë e protestuesve janë persona me precedentë kriminalë dhe se pas tyre qëndrojnë krimi i organizuar dhe “duar të huaja”.

Në rrjetin social Facebook, Rama tha se një numër personash me precedentë kriminalë, sipas tij, janë përfshirë në protestë duke u paraqitur si studentë, ndërsa akuzoi se qëllimi i tyre është destabilizimi i vendit.

“Dje unë informova për një listë të gjatë personash me precedent kriminal të cilët nën maskën e studentit por pa asnjë lidhje me statusin e studentit, me lëvizjen imagjinare studentore ushtruan dhunë dhe janë ndalur dhe proceduar nga policia e shtetit një listë domethënëse, përfaqësuese e një komponenti te dhunshëm te protestës që është integruar në ketë mase te larmishme personash me një qellim shumë të qartë destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë duke na kthyer pas ne te shkuarën”, tha Rama.

Ai pretendoi gjithashtu se pas këtyre personave qëndrojnë krimi i organizuar dhe persona të huaj, për të cilët, sipas tij, po zhvillohen hetime.

“Natyrisht që pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar si dhe duar të huaja për të cilat vazhdojmë te hetojmë intenzivisht”, deklaroi kryeministri.

Rama kritikoi edhe reagimet ndaj listës së personave të ndaluar dhe proceduar nga Policia e Shtetit, duke thënë se, sipas tij, duhet të kishte një reflektim më të madh ndaj dhunës së ushtruar gjatë protestave.

Ai tha se problemet e studentëve dhe të rinjve janë çështje legjitime që kërkojnë adresim, por kundërshtoi përdorimin e dhunës dhe gjuhës së urrejtjes.

“Këtu nuk ka asnjë moment tjetër transformues përveç një sfide të hapur me probleme të cilat kërkojnë adresim probleme të shoqërisë, probleme të familjeve të zakonshme, të studentëve e të rinisë, të tëra legjitime, dhe dhunës, gjuhës së gurit, gjuhës së zjarrit, gjuhës se urrejtjes e cila nuk mund të fitoj një status qytetarie nëse ne duam një të nesërme të sigurtë për neve dhe fëmijët tanë.”

Rama e cilësoi protestën si një “revolucion tërësisht imagjinar”, duke pretenduar se pas saj qëndrojnë forca që, sipas tij, nuk e duan përparimin e Shqipërisë.

“ Një revolucion tërësisht imagjinare pas të cilit qëndrojnë forca te cilat nuk e duan përparimin e Shqipërisë kjo është pak por shumë e sigurt”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat