Haxhijaj: Buxheti i KOK-ut po keqpërdoret me projekte të dyshimta, vetëm një faturë është paguar 67,000 euro

Sporti

Haxhijaj: Buxheti i KOK-ut po keqpërdoret me projekte të dyshimta, vetëm një faturë është paguar 67,000 euro

Nga: Kemajl Goca Më: 28 shtator 2022 Në ora: 18:55
Shasivar Haxhijaj

Ish sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, thotë se ka rënie të imazhit të KOK-ut.

Haxhijaj drejton gishtin nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm Besim Aliti, duke thënë se nga ardhja e tyre, ka rënie drastike të aktiviteteve të KOK-ut, ndërhyrje e pa shembull në punët e brendshme të federatave sportive, ndërhyrje dhe ndikim në pavarësinë e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv të KOK (KAS), përçarje e Lëvizjes Olimpike, shkelje të Statutit e rregulloreve të KOK në mënyrën më flagrante të mundshme..

Haxhijaj flet edhe për procesin gjyqësor dhe për shumë gjëra tjera.

Image

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e KOK-ut deri me tash? 

Shasivar Haxhijaj: Komiteti Olimpik i Kosovës prej pranimit me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë e deri në fillim të vitit 2021 ka pasur një hovë të jashtëzakonshëm të rritjes së imazhit dhe kredibilitetit në të gjithë Lëvizjen Olimpike, qoftë brenda Kosovës ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, po ashtu rritje të aktiviteteve dhe mbështetjes financiare për sportin elitar edhe sportin për të gjithë, promovimin e sportit dhe sportistëve të Kosovës, rritje të aktiviteteve për trajnimin e trajnerëve të shumicës së federative të Kosovës dhe trajnimin e administratorëve të sportit në të gjitha federatat e klubet sportive të Kosovës, po ashtu numër të madh të aktiviteteve për edukimin olimpik, promovimin e sportit, konferenca me tema të ndryshme vendore, rajonale e ndërkombëtare, aktivitete për turizë, ambient etj.

Mirëpo nga fillimi i vitit 2021 kur edhe u bënë ndryshime në udhëheqjen e KOK-ut, ndryshime këto të cilat u priten me entuziazëm të madh, se sporti i Kosovës do të vazhdoj të ngritet akoma më shumë e më shpejtë, fatkeqësisht ndodhi e kundërta. Ndryshimet në udhëheqjen e KOK filluan gradualisht të prodhojnë rënie të imazhit e kredibilitetit të KOK, rënie drastike të aktiviteteve të KOK-ut, ndërhyrje e pa shembull në punët e brendshme të federatave sportive, ndërhyrje dhe ndikim në pavarësinë e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv të KOK (KAS), përçarje e Lëvizjes Olimpike, shkelje të Statutit e rregulloreve të KOK në mënyrën më flagrante të mundshme, e shumë e shumë dukuri tjera negative vështirë të imagjinueshme të gjitha këto të shkaktuara kryesisht nga dy persona Presidenti i KOK Ismet Krasniqi dhe Sekretari i Përgjithshëm Besim Aliti.

“Bota sot”: A i ka mbajtur premtimet deri me tash presidenti i KOK-ut?

Shasivar Haxhijaj: Sa i përket mbajtjes së premtimeve, merreni dhe shikojeni programin e Kryetarit të KOK, asnjërin nga 5 hapat e programit të tij që i kishte si premtime gjatë fushatës nuk janë realizuar. Buxheti i KOK është rritur për shkak të mbështetjes më të madhe të MKRS, mirëpo sa ja vlen kjo kur në vitin e parë mbi 200 mijë euro kanë mbetur pa shpenzuar, pra kanë shkuar në suficit, ndërsa në anën tjetër dihet se nevojat për sportin e Kosovës janë shumë të mëdha. 

Në vitin 2022, buxheti i KOK është duke u keqpërdorur me projekte të dyshimta, siç janë 180 mijë euro për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sportit, projekt ky i MKRS, ndërsa pagesat i bënë KOK në emër të MKRS, për të ju ikur procedurave të prokurimit publik të parapara me ligjet e Kosovës. Psh. si fillim po ju tregoj, vetëm një faturë 67,000 euro, e cila është paguar nga Besim Aliti Sekretari i KOK, për një ekspert kroat që është shok e bashkëpunëtorë i tij, e fatin e njëjtë do ta kenë edhe 120 mijë euro tjera të dedikuara për projektin e njëjtë dhe personin e njëjtë. 

Në formë të njëjtë nga Sekretari e Presidenti po vazhdohet edhe me disa projekte tjera për të cilat do të flas njëherë tjetër. Po ashtu si premtim Kryetari aktual e kishte themelimin e Akademisë Olimpike, e cila është themeluar formalisht sa për të marrë paga të mira dy persona të cilët as idenë më të vogël nuk e kanë se çfarë është Akademia Olimpike. Që nga themelimi i sajë e gjer më sot asnjë aktivitet të mirëfilltë që duhet ta ketë kjo akademi nuk është bërë, përkundrazi janë duplifikuar detyrat, të njëjtat i kanë kryer në të kaluarën zyrtarët e KOK, e tash të dy palët së bashku. Prej premtimeve kryesore të tij ishte organizimi i garave ndërkombëtare në Kosovë, sa gara ndërkombëtare kanë ardhë në Kosovë që nga ardhja e Ismet Krasniqit si President? 

Image

Formimi i disa lobeve ndërkombëtare gjoja në emër të ndërkombëtarizimit, ku janë ato lobe të fuqishme botërore, ku janë rezultatet e tyre? 

Përmirësimi i infrastrukturës sportive etj. Shumica prej tyre kanë qenë premtime jo reale dhe kanë mbetë si të tilla.

“Bota sot”: Si ish sekretar i përgjithshëm, cilat janë vërejtjet me te mëdha ndaj KOK-ut?

Shasivar Haxhijaj: Vërejtjet më të mëdha për punën e KOK nga ana ime janë se federatat kanë mbetur pa përkrahje nga KOK, në rastet kur po ju bëhen padrejtësi nga MKRS, qoftë për mos licencim, për ndarje të buxhetit, për ndërprerje të financimit ku MKRS ua ka ndalë nga 2 e 3 tremujorësh, për ndërrim të strukturave të federatave në tavolina duke i anashkaluar strukturat e dala nga kuvendet zgjedhore, për mos bashkëpunim në hartimin e miratimin e dokumenteve të rëndësishme për sportin. Pra KOK i ka futur veshtë në lesh dhe leje se nuk ju del në ndihmë federatave por ajo i sulmon e i dëmton ato. KOK nuk guxon të fshihet e ti ikë përgjegjësisë që ka për Lëvizjen Olimpike.

Pastaj performanca tepër e dobët kryesisht e Presidentit dhe e Sekretarit të KOK, për pasojë zbehja e imazhit dhe kredibilitetit të KOK, ndërhyrja në punët e federatave sportive në mënyrën më të keqe të mundshme, ndaj atyre federatave që kanë shprehë mos mbështetje ndaj presidentit aktual, disa federate i kanë rrezikuar deri në mos funksionim. 

Ndërhyrja dhe ndikimi në autonominë e KAS, lirisht mund të thuhet se me ndërhyrjet që direkt Presidenti i KOK ka bërë, KAS është para shkatërrimit, para mbylljes, paramendoje KOK ka arritur në atë shkallë sa thotë nuk e njeh kompetencën e KAS, pas kësaj kush tjetër do ta njoh më KAS-in.

Vërejtje tjetër është thellimi i përçarjes dhe ndarja në grupe e Lëvizjes Olimpike në Kosovë për shkak të veprimeve përçarëse direket nga Presidenti dhe Sekretari i KOK. 

Favorizimi i federatave të afërta me Presidentin dhe lënia anash e federatave që nuk e mbështesin atë. 
Procesi i kategorizimit i cili është bërë favorizues për disa federata të afërta me Presidentin duke u shkelur kriteret bazë të Rregullores së Kategorizimit të Sporteve dhe duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës rreth 100 mijë euro.

Ka mungesë totale të transparencës për punën e KOK, kjo argumentohet edhe me largimin e mediave nga Asambleja e fundit e KOK, ku edhe u bënë shkelje të shumta të statutit dhe rregullores së punës së Asamblesë së

KOK duke lejuar 7 delegat pa të drejtë vote të votohet në këtë Asamble, pastaj fshehja dhe ikja nga publiku e nga debatet në televizione duke mos e ditur se kanë përgjegjësi publike për tu përballur me shqetësimet e federatave dhe anëtarëve të tyre. 

Presioni bërë ndaj mediave të caktuare që mos me u marrë me tema që kanë të bëjnë me KOK. 
Po ashtu po ndodhin disa anomali të pa shpjegueshme, e banale, duke i shantazhuar e bërë presion federatave të caktuara rreth asaj me kënd takohen e me kënd pijnë kafe.
Të gjitha këto së bashku janë gjëra që nuk kanë qenë në traditën dhe funksionimin e KOK, këto gjëra logjika e shëndoshë nuk i pranon mirëpo gjëra që në realitet po ndodhin çdo ditë nga drejtuesit e KOK.

“Bota sot”: Çështja juaj, shkarkimi nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të KOK-ut, a është ende në gjykatë apo keni hequr dorë nga padia?

Shasivar Haxhijaj: Sa i përket çështjes së shkarkimit të sekretarit të KOK, ajo çështje është në procedurë gjyqësore dhe besojmë që shumë shpejt do të zgjidhet nga gjykata kompetente.

“Bota sot”: Ku është puna e mirë e KOK-ut dhe dështimet e tyre?
Shasivar Haxhijaj:
Janë disa veprime që janë për t’u përshëndetur, është rritur numri bursave për sportistët elitar si dhe për shpresat olimpike, po ashtu po vazhdohet edhe në këtë mandat me mbështetjen e përgatitjes të sportistëve elitar nëpër kampe ndërkombëtare, janë disa projekte që janë fituar nga disa organizata ndërkombëtare, për të cilat uroj të realizohen ashtu siç duhet.

“Bota sot”: A ka federata fiktive?
Shasivar Haxhijaj
:
Parimisht unë konsideroj se Kosova ka një përqindje tejet të vogël të njerëzve që merren me sport krahasuar me shtetet e BE por edhe me disa shtete të rajonit. Ne ende edhe disa lloje të sporteve nuk i praktikojmë, e për të cilat jam ithtar shumë i madh që të vinë e të filloj njohja e të rinjve tanë me këto sporte, por besoj se me kohë duke u përmirësuar infrastruktura sportive dhe kushtet për tu marrë me sport do të krijohen kushte të favorshme që fëmijët tanë të praktikojnë edhe sportet e munguara. Në këtë sens unë jam ithtar i asaj që me u rritë akoma më shumë llojllojshmëria e sporteve të Kosovës.

Mirëpo sa i përket asaj a ka apo jo federata fiktive në Kosovë, unë nuk do të thoja se janë një numër i vogël i federative që në mungesë të mbështetjes financiare i kanë disa sfida dhe ngecje në organizimin dhe zhvillimin e shpejt të tyre, por dua të shpresoj së shumë shpejt do ti evitojnë ato ngecje dhe të ecet tutje me ngritjen e nivelit dhe performancës së sporteve të tyre.

Ky lloj i federatave ka nevojë me e pasë një mbështetje qoftë nga MKRS ose edhe nga KOK, për të ua lehtësuar mënyrën e funksionimit, si dhe për të ua dhënë shansin që të ngritin nivelin e pjesëmarrjes në sportet e tyre.

Mirëpo janë edhe disa federate që janë themeluar ndër vite dhe nuk kanë pasur asnjë përpjekje për funksionalizim dhe deri me tani kanë mbetur të regjistruara në disa institucione, por ato nuk i shoh se shkaktojnë ndonjë problem për Lëvizjen Olimpike të Kosovës, uroi që sa më shpejt të funksionalizohen. 

“Bota sot”:  A lejohet që një zyrtar t'i ketë tre - katër pozita apo dy -tre vende të punës, a është konflikt interesi?

Shasivar Haxhijaj: Sa i përket kësaj pyetje, nuk e kam shumë të qartë për çfarë pozitave po aludohet në këtë rast, për ta pasur edhe përgjigjen më konkrete, mirëpo parimisht nuk është në rregull që dikush ti ketë 3 ose 4 pozita që paguhen, përndryshe nëse paguhet për një pozitë duhet të deklarohet si punë primare, ndërsa pozita e dytë si punë sekondare, kjo do të ishte në harmoni me ligjet e aplikueshme në Kosovë. Në të kundërtën mbajtja e më shumë se dy pozitave atëherë është e pa shpjegueshme. Për më tepër këto çështje duhet rregulluar nga institucioni përkatës nëse ka raste të tilla.

Përndryshe nëse aludohet në mbajtjen e 3 ose 4 pozitave në klube e federata mendoj se federatat që mund të kenë probleme të tilla, duhet urgjentisht ti sanksionojnë këto gjëra me aktet e tyre të brendshme, sepse 3, 4 ose 5 pozita ku paguhen nuk janë në rregull për t’u mbajtur.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat