Isak Curri: Kemi pritur medalje në Evropian, sidomos nga vajzat – në veçanti Fortesa dhe Vlera        

Sporti

Isak Curri: Kemi pritur medalje në Evropian, sidomos nga vajzat – në veçanti Fortesa dhe Vlera        

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 11 maj 2025 Në ora: 13:27
Isak Curri me vashat heroina

Kombëtarja e Kosovës në karate ka shënuar sukses të madh në Kampionatin Evropian që u mbajt në Yarevan të Armenisë.

Vashat e Kosovës fituan medaljen e bronztë në ekipore, duke lartësuar edhe një herë fuqishëm shtetin tonë.

Karateistet në krye me Fortesa Oranën, Vlera Qerimin, Elmedina Istogun e Behije Mustafën, treguan klasin e lartë të tyre.

Vashat tona shkëlqyen në luftë për medalje të bronztë duke e mposhtur me rezultat 2:1 Greqinë. 

Vashat tona në vitin 2023 fituan të bronztën në Kampionatin Botëror dhe tani në Evropian, gjeneratë e artë. 

Selektori i kombëtares së Kosovës, Isak Curri, është i ngazëllyer me suksesin e madh në Evropian, duke përgëzuar vashat e tij.

“Jemi shumë të kënaqur dhe të emocionuar për suksesin e arritur, por edhe për paraqitjen fantastike të përfaqësueses sonë.

Të them të drejtën, kemi pritur medalje, sidomos nga vajzat – në veçanti Fortesa dhe Vlera – të cilat shkëlqyen në luftimet ekipore.

Edhe nga djemtë, veçanërisht Betimi dhe Islami, kemi qenë të bindur se do të kishim një paraqitje të fortë dhe serioze për të arritur lart”, thotë Curri për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Curri ka përmendur edhe karateistin Jakup Ajdari: “Befasia jonë më e madhe ishte Jakup Ajdari, i cili tejkaloi të gjitha pritshmëritë tona duke treguar një nivel të lartë dhe duke mposhtur edhe kampionë aktualë evropianë.

Shkëlqimi më i madh u pa në luftimet individuale të Betimit dhe Islamit, të cilët i dhanë Kosovës nder dhe respekt në arenat evropiane”.

Cilat ishin përparësitë?

“Një nga përparësitë tona në garat ekipore ishte motivimi dhe besimi shtesë që kishim, pasi vijmë si medalistë botërorë në vitin 2023 dhe të pestët në Botërorin 2024. 

Cilësia e vajzave tona ishte gjithashtu një aset i rëndësishëm për ekipin.

Për këtë arsye, objektivi ynë ishte të arrinim në finale, por fatkeqësisht në gjysmëfinale nuk arritëm ta kalonim Gjermaninë.
Urime Kosovës për këto suksese! Besojmë fuqishëm se do të vazhdojmë përpara drejt arritjeve edhe më të mëdha për shtetin tonë”
, ka përfunduar Curri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat