Marco Bezzecchi fitoi garën Sprint të Çmimit të Madh të Komunitetit të Valencias në MotoGP, të zhvilluar në pistën “Ricardo Tormo” në Cheste.
Sipas mediumit spanjoll “Marca”, piloti italian dominoi garën nga fillimi deri në fund, ndërsa vëmendjen kryesore e mori penalizimi i Marc Marquezit, i cili nuk arriti ta mbyllte në mënyrën më të mirë garën e fundit Sprint të karrierës së tij.
Spanjolli përfundoi në pozitën e 13-të, një rezultat që përbën një homazh simbolik për legjendën e motociklizmit, Ángel Nieto, i cili njihej për 12+1 titujt e tij botërorë. Márquez mbetet me 25 fitore në 75 gara Sprint të zhvilluara.
Bezzecchi fitoi përpara bashkëkombësit të tij në Aprilia, Jorge Martínit, ndërsa Enea Bastianini siguroi pozitën e tretë. Me këtë triumf, Bezzecchi vazhdon garën për vendin e dytë në kampionat.
Temperatura ishte më e larta e fundjavës, me 20 gradë Celsius në ajër dhe 22 gradë në pistë. Të gjithë pilotët zgjodhën gomën e fortë për pjesën e përparme dhe atë të butë për pjesën e pasme.
Nisja e garës ishte gati të realizohej, por semafori mbeti i ndezur në të kuqe dhe nuk u fik. Për shkak të qëndrimit të gjatë të motorëve në xhiro të larta, Ducati GP26 e Marc Marquezit filloi të nxirrte tym të bardhë dhe flakë.
Piloti spanjoll u detyrua të zbriste nga motori pasi pësoi djegie në këmbën e djathtë. Nisja u anulua, ndërsa mekanikët e dërguan motorin në garazh.
Komisarët morën një vendim të diskutueshëm: Marquezit iu lejua të nisej nga pozita e tij në start, me motorin rezervë, por u dënua me dy kalime në zonën e penalizimit “Long Lap”.
Ky vendim shkaktoi vërshëllima nga publiku, pasi shumë tifozë nuk e kuptuan arsyen e penalizimit të spanjollit për një problem që nuk ishte shkaktuar prej tij.
Bezzecchi shkëputet, Marquez përballet me penalizimin
Në nisjen e dytë, Marc nuk pati një start të mirë dhe u parakalua nga Jorge Martín dhe Raúl Fernández. Megjithatë, piloti me numrin 93 reagoi shpejt dhe parakaloi Raúlin.
Ndërkohë, Bezzecchi nisi të shkëputej në krye.
Raul Fernandez u rrëzua në kthesën e dytë, në përpjekje për të ndjekur pilotët kryesues.
Marquez kërkonte hapësirë për të parakaluar Martínin, por piloti i Aprilias mbrohej mirë. Kjo i dha mundësi Bezzecchit të krijonte epërsi prej një sekonde e gjysmë.
Marquez arriti ta parakalonte Martínin, por u zgjerua në njërën prej kthesave dhe piloti i Aprilias e rimori pozitën e dytë.
Pas kalimit të parë në zonën e penalizimit, Márquez ra në pozitën e tetë, ndërsa më pas zbriti deri në vendin e 14-të, pothuajse dhjetë sekonda prapa Bezzecchit.
Bezzecchi feston fitoren e dytë radhazi në Sprint
Dy pozitat e para dukeshin të vendosura, pasi Bezzecchi menaxhonte me qetësi epërsinë e tij ndaj Martínit.
Vëmendja u përqendrua te beteja për pozitën e tretë, ku u përfshinë Enea Bastianini dhe Álex Márquez. Ndërkohë, Ai Ogura vazhdoi me ritëm të shkëlqyer dhe arriti ta parakalonte Álex Márquezin.
Fermín Aldeguer u rrëzua në kthesën e tetë, ndërsa Ogura vazhdoi garën me ritëm të lartë.
Di Giannantonio gjithashtu parakaloi Alex Marquezin, me një manovër agresive në kthesën e katërt.
Në fund, Marco Bezzecchi triumfoi në Sprintin e dytë radhazi, duke mos u shqetësuar seriozisht nga rivalët.
Jorge Martín përfundoi i dyti, ndërsa Enea Bastianini siguroi vendin e tretë. Marc Marquez kaloi vijën e finishit në pozitën e 13-të, duke mbyllur kështu me një rezultat zhgënjyes garën e fundit Sprint të karrierës së tij.