Finalja e Kupës Davis do të sjellë një përballje spektakolare mes Italisë dhe Spanjës, të dielën në Bolonjë.
Pasi Italia siguroi kualifikimin të premten, duke eliminuar Çekinë me rezultat 2:1, Spanja arriti të njëjtin objektiv të shtunën, duke mposhtur Britaninë e Madhe me rezultat të pastër 2:0.
Jodari siguron pikën e parë, Alcaraz vulos kualifikimin
Pikën e parë dhe shumë të rëndësishme për Spanjën e siguroi tenisti Rafael Jodari (ATP 10), i cili në një paraqitje bindëse mposhti britanikun Cameron Norrie (ATP 52), me rezultat 2:0 (6:2, 7:5).
Më pas, në fushë zbriti Carlos Alcaraz (ATP 3), i cili nuk i la asnjë mundësi britanikut Arthur Fery (ATP 32). Tenisti spanjoll triumfoi me rezultat 2:0 (6:2, 6:1), duke siguruar kështu kualifikimin e Spanjës në finalen e madhe.
Tashmë, spanjollët kanë mundësinë që të rikthejnë trofeun e Kupës Davis pas shtatë vitesh, pasi triumfin e fundit e regjistruan në vitin 2019. Ky do të ishte titulli i tyre i shtatë në histori.
Megjithatë, përballë do të kenë një kundërshtar jashtëzakonisht të fortë. Italia është kampione në fuqi dhe ka qenë finaliste në katër edicionet e fundit të kësaj gare.
Të dielën në Bolonjë, dy kombëtaret do të luftojnë për trofeun më prestigjioz të tenisit ekipor.