Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave javën e ardhshme do të ketë tjetër aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar.
Vajzat tona do të marrin pjesë në edicionin përurues të “IFH Nations Trophy”.
Ftesa për pjesëmarrje në këtë kampionat në federatën tonë erdhi nga Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF). Federata jonë ka raporte të shkëlqyera me IHF-në dhe ka pranuar ftesën për pjesëmarrje në “IHF Nations Trophy”.
Ky kampionat mbahet prej 25 nëntorit deri më 29 nëntor në Kranevo të Bullgarisë.
Kombëtarja jonë është në Grupin A së bashku me Belgjikën e Rusinë. Në Grupin B janë Bullgaria, Armenia dhe Bjellorusia.
Kombëtarja jonë më 26 nëntor luan ndaj Belgjikës. Më 27 nëntor përballet me Rusinë.
Më 28 nëntor janë dy gjysmëfinalet dhe ndeshja për vendin e pestë. Ndërkohë më 29 nëntor janë ndeshjet për vendin e tretë dhe finalja.
IHF-ja ka prezantuar këtë ngjarje për avancim dhe ngritje të mëtejme të hendbollit dhe si vazhdimësi e kampionateve IHF Trophy për gjenerata të reja.
“IHF Nations Trophy” u shërben Kombëtareve pjesëmarrëse për ngritje në nivel edhe më të lartë.
Pak javë më parë, Kombëtarja jonë e kaloi me sukses raundin e parë kualifikues për Kampionat Botëror. Menjëherë në pranverë do të luajë në raundin e parë kualifikues për Euro 2028 dhe në raundin e fundit kualifikues për Botërorin 2027.
Kështu që ndeshjet e forta në Bullgari do të jenë përvojë shumë e rëndësishme për hendbollistet tona të reja. Kampionati në Bullgari po ashtu shërben për të rritur bazën e lojtareve në të cilat llogarit përzgjedhësi Nenad Shoshtariq.