Shqipëria pret sot Bosnjë-Hercegovinën

Volejboll

Shqipëria pret sot Bosnjë-Hercegovinën

Më: 8 qershor 2022 Në ora: 16:26
Shqipëria pret sot Bosnjë-Hercegovinën

Shqipëria e volejbollit të meshkujve do të zbresë mbrëmjen e sotme në parket për ndeshjen e saj të radhës në Ligën e Argjendtë të Europës, teksa në orën 20:15 do të përballet me Bosnjë-Hercegovinën në sallën “Feti Borova” në Tiranë.

Një sfidë shumë e rëndësishme për kuqezinjtë e trajnerit Jani Melka, që kërkojnë kualifikimin për në fazën “Final four”.

Shqipëria vjen në këtë takim me moral shumë të lartë, kjo pas dy paraqitjeve të shkëlqyera që ka bërë kundër Maqedonisë së Veriut, duke marrë edhe dy suksese në shifrat e njëjta 3-1, fillimisht në Shkup e më pas të shtunën e kaluar në sallën e Farkës.

Kombëtarja jonë aktualisht renditet në vend të dytë në grup në kuotën e 7 pikëve, teksa regjistron 2 fitore dhe 2 humbje me bilanc pozitiv setesh 9- 8. Grupi B kryesohet nga Rumania me 11 pikë, skuadër që ka arritur që t’i fitojë të katërta ndeshjen e zhvilluara deri më tani.

Në rast suksesi në sfidën e sotme, Shqipëria do të bënte një hap të madh drejt kualifikimit dhe ndoshta mund ta siguronte që sot kalimin për në “Final four”, duke parë se Maqedonia e Veriut ka një ndeshje të vështirë përballë Rumanisë.

Ndeshjen e fundit në grup kuqezinjtë do ta zhvillojnë më 12 qershor, në transfertë ndaj rumunëve. Kujtojmë se faza finale e Ligës së Argjendtë do të mbahet në datat 18-19 qershor në Hungari.

Ekipi kampion siguron pjesëmarrjen në Ligën e Artë të Europës për vitin 2023, ndërsa fut në kasafortë gjithashtu edhe një shpërblim financiar prej 50 mijë eurosh.

Kujtojmë se 4 vite më parë Shqipëria regjistroi një rezultat shumë të mirë në Ligën e Argjendtë të Europës me Kombëtaren e femrave, teksa vajzat kuqezi arritën të fitonin medalje bronzi në këtë kompeticion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat