Krasniqi dhe Aliti takojnë Husajn dhe e përgëzojnë

Volejboll

Krasniqi dhe Aliti takojnë Husajn dhe e përgëzojnë

Më: 2 shtator 2022 Në ora: 17:14
Krasniqi dhe Aliti takojnë Husajn dhe e përgëzojnë

Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur volejbollistin më të mirë shqiptar, Gazmend Husaj, si dhe kryetarin e Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci.

Husaj prej vitesh bënë karrierë të suksesshme jashtë vendit, kurse ditë më parë është transferuar në klubin Kuvajt të shtetit të Kuvajtit. Ai më parë ka fituar trofe të shumtë me klube nga Franca, Turqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe së fundi në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku fitoi ligën me Shabab Al Ahli.

Husaj ka qenë edhe kapiten i Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa muaj më parë vendosi t’i kthehet Kombëtares së Kosovës.

Krasniqi ka përgëzuar Husajn për karrierën e begatshme, duke theksuar se ai është inspirim edhe për gjeneratat e reja se si me punë mund të arrihen suksese të mëdha.

Krasniqi i uroi fat dhe suksese edhe në klubin e ri, e po ashtu edhe në Kombëtaren tonë, duke vlerësuar ardhjen e tij përforcim të madh.

Nga ana e tij, volejbollisti Husaj falënderoi Krasniqin për pritjen dhe përkrahjen që po i jep zhvillimit të sportit tonë, në veçanti sportit të volejbollit. Ai theksoi se do të vazhdojë ta përfaqësojë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, me besimin se sukseset nuk do të mungojnë edhe me Kosovën.

Edhe Gjinovci, vlerësoi lart ardhjen e Husajt tek Kosova, si dhe falënderoi presidentin Krasniqi për pritjen dhe mbështetjen që po i jep sportit të tij, duke thënë se bashkëpunimi i FVK-së me Komitetin Olimpik të Kosovës do të thellohet edhe më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat