Skënderbeu i Kraishtës thyen liderin në një përballje dramatike

Volejboll

Skënderbeu i Kraishtës thyen liderin në një përballje dramatike

Më: 15 mars 2025 Në ora: 23:27
Skënderbeu i Kraishtës

Skënderbeu i ka shkaktuar humbje me rezultat 3:2 (17:25, 25:20, 22:25, 25:21, 15:10) Ferizajt në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.

Ky ishte derbi i javës së 18-të të Raiffeisen Superligës A.

Në një nga përballjet më të forta të kampionatit, Skënderbeu nga Kraishta e Lipjanit ia doli të mposhtë liderin e tabelës, Ferizajn, pas një lufte të ashpër që u vendos vetëm në setin final. 

Me këtë fitore, Skënderbeu arrin në 43 pike dhe e ngushtoi diferencën në vetëm dy pikë, duke e bërë garën për titull edhe më të nxehtë.

Ferizaj e nisi fuqishëm ndeshjen, duke dominuar setin e parë me lojë të sigurt në bllok dhe sulm efektiv. Megjithatë, Skënderbeu reagoi menjëherë në setin e dytë, duke shfrytëzuar gabimet e vendasve dhe duke e barazuar rezultatin.

Seti i tretë ishte një luftë e vërtetë, me Ferizajn që riktheu epërsinë falë një përqendrim më të madh në pikët vendimtare. 

Por skuadra nga Kraishta nuk u dorëzua dhe e çoi ndeshjen në setin e pestë, duke fituar të katërtin me një lojë të shkëlqyer në mbrojtje dhe kundërsulme të shpejta.

Në setin final, Skënderbeu tregoi më shumë qetësi dhe vendosmëri, duke shfrytëzuar lodhjen e vendasve dhe duke fituar 10:15, për të marrë dy pikë të çmuara që e afrojnë me kreun e tabelës.

Me këtë humbje, Ferizaj mbetet lider, por tashmë me një diferencë shumë të ngushtë, ndërsa Skënderbeu konfirmon formën e shkëlqyer dhe synimin e tij për kreun e kampionatit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat