Fer Volley ka fituar titullin e parë të kampionit të Kosovës në volejbollin e femrave, pas një finaleje dramatike dhe të jashtëzakonshme ndaj Skënderajt, të cilën e fitoi me rezultat 3:2 në sete.
Në një atmosferë elektrizuese në palestrën “Bill Klinton” në Ferizaj, skuadra vendase tregoi karakter dhe zemër të madhe, duke triumfuar në ndeshjen e tretë të serisë finale dhe duke mbyllur gjithçka me 3 fitore kundrejt 0 humbjeve.
Ferizajaset nisën fuqishëm ndeshjen duke fituar dy setet e para 25:23 dhe 25:19, me organizim të mirë në fushë dhe mbështetje të madhe nga tribuna.
Skënderaj reagoi fuqishëm, duke marrë setin e tretë 18:25 dhe të katërtin 23:25, për ta çuar finalen në setin e pestë vendimtar. Aty, Fer Volley nuk lejoi befasi – me vendosmëri dhe qetësi, fituan 15:11, duke shpërthyer më pas në festë historike.
Ky titull shënon një arritje të jashtëzakonshme për Fer Volley, një klub që u themelua vetëm në vitin 2019, por që brenda pak vitesh ka ndërtuar një projekt të suksesshëm, të kurorëzuar me trofeun më të çmuar në volejbollin tonë.