Mimoza emocionon për vajzën e saj: U largove e vogël, por u bëre e madhe bij

Volejboll

Mimoza emocionon për vajzën e saj: U largove e vogël, por u bëre e madhe bij

Nga: K. Goca Më: 31 maj 2025 Në ora: 23:08
Megi Bislimi e Mimoza Shkodra

Ish volejbollistja e shquar, Mimoza Shkodra, ka emocionuar me një shkrim për vajzën e saj, Megi Bislimi, e cila është talente e volejbollit dhe me sukses luan në kampionatin turk

Mimoza është krenare që vajza e saj po arrin suksese dhe beson e shpreson se do të paraqitet në nivele më të larta.

Edhe babai i Megit ka qenë basketbollist i spikatur, ai është Arben Bislimi.  

Image

Megi Bislimi

“U largove e vogël, por u bëre e madhe bij e mamit.

Kampionja e sakrificës dhe e zemrës.

Në moshën kur shumica ende kërkojnë veten, ti u nise rrugëve të sakrificës, larg prej nesh, por me ëndrra të mëdha në zemër.

Sot, u shpalle kampione në kategorinë Yildiz në Turqi, duke e vendosur emrin tënd lart – jo vetëm si sportiste, por si shembull force, përkushtimi e elegance.

Në fushë, nuk isht vetëm një lojtare – ishe zemra e ekipit. Me qetësinë, energjinë dhe vizionin Tënd udhëhoqe çdo aksion si një kampione e lindur. Sot, tregove që je lojtare domethënëse duke treguar se talenti nuk është rastësi, por rezultat i shpirtit luftarak, punës së palodhur dhe dashurisë për lojën.

Por ajo që na emocionon më shumë është se, përveç fushës së volejbollit, ti po shkëlqen edhe në shkollë – me nota të larta, etikë dhe vlera që vetëm një vajzë e edukuar me dashuri mund t’i ketë.

Je dëshmia se nuk duhet të jesh afër për të na bërë krenarë – mjafton të jesh vetja jote, një vajzë e fortë, e mirë, e dashur dhe e palodhshme.

Një pjesë e zemrës sime po rritet larg… por sot ajo pjesë u bë kampione.

Nuk ka titull më të madh se të jem nëna e një vajze si ti.  

Ti je kampionia ime e jetës! 

Faleminderit që je ti Megi Bislimi”, ka shkruar Mimoza.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat