Më përfundimin e Kampionatin Ballkanik U-19 për vajza, aktivitet i zhvilluar disa ditë më parë në Tiranë, Shqipëria tashmë po bëhet gati të presë një tjetër kompeticion të rëndësishëm në volejbollin e moshave.
Këtë herë në bashkëpunim me Kosovën, në Tiranë dhe në Prishtinë do të mbahet Kampionati Europian U-16 për vajza.
Ky eveniment do të zhvillohet nga data 2 deri më 13 korrik, i organizuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit dhe Federata e Kosovës.
16 përfaqësuese europiane, të ndara në dy grupe do të nisin rrugëtimin e tyre, në kërkim të trofeut. Shqipëria është pjesë e Grupit A, së bashku me Italinë, Bullgarinë, Poloninë, Francën, Ukrainën, Lituaninë dhe Spanjën. Ndërsa në Grupin B bëjnë pjesë Kosova, Turqia, Kroacia, Hungaria, Sllovenia, Çekia, Greqia dhe Mali i Zi.