Vllaznia përmbys Tiranën në Kupë, Erzeni mposht Elbasanin

Volejboll

Vllaznia përmbys Tiranën në Kupë, Erzeni mposht Elbasanin

Më: 13 dhjetor 2025 Në ora: 12:27
Pamje nga ndeshja

Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj ka kompletuar mbrëmjen e djeshme javën e pestë në Grupin B. Tirana e ka siguruar matematikisht kualifikimin për në gjysmëfinale edhe pse ka dalë e mundur nga transferta kundër Vllaznisë.

Shkodranët fituan në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” me rezultatin 3-2, por pika e marrë u ka mjaftuar kryeqytetasve për të hipoketuar kalimin në katërshe, ndonëse u ka mbetur edhe një takim për të zhvilluar. Për sa i përket ndeshjes, bardheblutë e Arben Sakos fituan setin e parë 22-25, ndërsa thelluan në 0-2 me sete, duke marrë edhe fraksionin e dytë 10-25.

Me biletën e kualifikimit në xhep, miqtë nuk mbajtën të njëjtin ritëm, ndërsa Vllaznia nisi ofensivën e rikuperimit. Kuqeblutë morën setin e tretë 25-22, ndërsa rikthyen baraspeshën, teksa pas pikëve shtesë fituan setin e katërt 26- 24, duke e çuar ndeshjen me set final. Sërish pas pikëve shtesë edhe seti i pestë shkoi për Vllazninë në shifrat 16-14, me shkodranët që vulosën fitoren 3-2 në harkun kohor të 2 orëve e 12 minutave.

Megjithatë, edhe pse fituan, shkodranët kanë zbritur në vendin e tretë në grup, pasi janë parakaluar nga Erzeni. Shijakasit bënë detyrën në shtëpi, duke mundur Elbasanin me rezultatin e pastër 3-0 (25- 12, 25-13, 25-15).

Tashmë gjysmëfinalistja e dytë e këtij grupi do të mësohet në javën e fundit, javë që rezervon ndeshjet Tirana-Erzeni dhe ElbasaniVllaznia. Ndërkohë, sot do të luhet takimi i ditës së pestë në Grupin A, Skënderbeu-Partizani, në orën 15:00 në Korçë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat