Tirana vijon ecurinë me pikë të plota

Volejboll

Tirana vijon ecurinë me pikë të plota

Më: 13 dhjetor 2025 Në ora: 17:41
Tirana

Kupa e Shqipërisë në volejbollin e femrave ka zhvilluar dje tri ndeshje të vlefshme për ditën e pestë të fazës së grupeve. Në Grupin A, gjithçka e thjeshtë për Partizanin kundër Korabit.

Të kuqet fituan pastër në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke i mbyllur llogaritë për 60 minuta.Diferencat mes ekipeve ishin të mëdha dhe kryeqytetaset i morën thellë të tria setet, përkatësisht në shifrat 25-10, 25-17 dhe 25- 13.

Kjo ishte fitorja e dytë në grup për Partizanin, me të kuqet që mbajnë gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm.

Ndeshja tjetër e Grupit A do të jetë derbi i juglindjes ndërmjet Skënderbeut dhe Pogradecit, takim që do të luhet të shtunën në orën 17:00 në Korçë. Liqenoret e kanë siguruar kalimin në gjysmëfinale, ndërsa korçareve u duhet edhe një 1 pikë për ta arritur matematikisht.

Ndërkohë, duke kaluar në përballjet e Grupin B, Tirana vijon ecurinë me pikë të plota në Kupë. Vajzat bardheblu shënuan fitoren e pestë në po kaq takime, teksa dje mposhtën Dinamon në derbi me rezultatin 3-1.

Sfida e zhvilluar në “Farie Hoti” foli për ekipin e Adrian Gorencës, me Tiranën që e nisi vrullshëm, duke marrë bindshëm dy setet e para në shifrat 25-17 dhe 25-10.

Dinamo u rifut në lojë, teksa fitoi setin e tretë 20-25, duke ngushtuar në 2- 1, për t’i shkaktuar edhe setin e vetëm të humbur deri më tani Tiranës në Kupë. Megjithatë vajzat bardheblu, të cilat janë edhe fitueset në fuqi të këtij kompetocioni, ashtu sikurse edhe të kampionatit, morën setin e katërt 25-16 dhe vulosën gjithçka me rezultatin 3-1 në harkun kohor prej 1 ore e 38 minutash.

Në sfidën tjetër të Grupit B, Teuta mori një sukses të rëndësishëm në Shkodër, teksa likuidoi Vllazninë me 3 sete. Durrsaket u treguan superiore, duke i fituar fraksionet e lojës në shifrat 15-25, 16-25 dhe 19- 25, në një takim që zgjati 89 minuta. Me këtë triumf Teuta ngjiten në vendin e dytë, duke parakaluar Dinamon në renditje, me kualifikimin që do të vendoset në ndeshjet e ditës së fundit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat