Safete Rifati tash e një kohë është arsimtare e edukatës fizike dhe trajnere e volejbollit, ndërsa së fundi po mburret me suksesin e arritur me SHFM “Skënderbeun” nga Kraishta.
Sipas saj, shkolla ka një numër të madh talentesh të reja që premtojnë shumë për të ardhmen.
Vendi i dytë në garat rajonale të shkollave fillore është fryt i punës dhe përkushtimit. SHFM “Skënderbeu” në finale u mposht (2:1) nga Shkolla “Jeronim De Rada”.
“Në finale kemi luajtur në garat rajonale të volejbollit. Ishte një garë jashtëzakonisht e mirë, ku dolën në pah disa talente të këtij sporti të bukur.
Jam e kënaqur me vendin e dytë, sepse treguam edhe një herë se jemi një fshat që kemi shumë talente në këtë lojë”, tha Rifati për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Safetja dikur ishte hendbolliste dhe kapitene shumëvjeçare e KH Kastriotit, ndërsa për një periudhë ka luajtur edhe për Vushtrrinë. Si lojtare, ka qenë shembull si në fushë, po ashtu edhe jashtë saj.