Volejbollistet e Fer Volleyt nga Ferizaj festuan për gjatë gjithë natës titullin e kampionit të Kosovës.
Vashat e trajnerit Edon Ibrahimi e mbrojtën titullin e kampionit në një seri maratonike të finaleve, pesë ndeshje dhe triumfuan me rezultat të përgjithshme 3:2 në seri të fitoreve.
Valmira Ramadani, volejbollistja më e mirë në vendin tonë, reprezentuese e Kosovës, ishte motiv shtesë për bashkëlojtare.

Valmira Ramadani e Edon Ibrahimi
Që nga fillim i serisë finaleve, Ramadani ishte e bindur se titulli sërish do të jetë në vitrinat e klubit, duke parë organizimin, punën dhe cilësinë që ka ekipi.
Asnjëherë nuk e dyshonte.
Është si “tornado’ në pozicionin e saj, në qendër, e pakapshme për rivalet me, pasime mjeshtërore dhe goditje të fuqishme.
Goditjet e saja shumë herë lanë volejbollistet rivale në pozicionin mat.
Fer Volley
Goditjet e saja të fuqishme, thuajse ishin të pakapshme për “radarët” e rivales.
Disa Valmirën e quajnë si shpirt i ekipit, disa zemra e ekipit, disa motori i ekipit, disa me shtatë zemra.
Është fanatike, humbjet nuk i duron.
Valmira Ramadani ka folur për rrugëtimin deri të titulli, sa ishte vështirë dhe cili është pengu në jetën e saj.
Rrugën deri te titulli nuk e kishte të lehtë, finalja e pestë ishte drithëruese jo vetëm për të.
“Bota sot”: Prapë kampionë, e prisni?
Valmira Ramadani: Po, kemi besuar shumë gjatë gjithë sezonit te puna jonë dhe te grupi që kemi ndërtuar.
Nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse kampionati ishte shumë i fortë dhe çdo ndeshje ka kërkuar maksimumin, por në fund treguam karakter dhe mentalitet fitues.
Besimi, puna dhe sakrifica na sollën sërish titullin.
“Bota sot”: Kampionet e Kosovës, fituat Superkupën, Kupën e FVK-së dhe Kupën e Pavarësisë, ku ishte çelësi i këtij suksesi?
Valmira Ramadani: Çelësi i suksesit ishte grupi.
Kemi pasur harmoni brenda ekipit, shumë punë gjatë gjithë sezonit dhe fokus maksimal në çdo garë.
Secila lojtare ka dhënë maksimumin e saj, ndërsa trajneri dhe kryesia kanë bërë një punë të palodhshme gjatë gjithë vitit, duke na mbështetur në çdo aspekt. Kjo frymë bashkëpunimi, disipline dhe besimi te njëra-tjetra na solli këto trofe.
“Bota sot”: Jo si herave tjera, kësaj radhe presioni ishte i madh sepse titulli ishte në fije të perit me Ferizajn në finalen e pestë të play-off-it, ku ishte dallimi?
Valmira Ramadani: Këtë herë ka qenë një prej finaleve më të vështira dhe presioni ishte shumë i madh, sepse gjithçka vendosej në ndeshjen e pestë.
Ferizaj ishte kundërshtar shumë i fortë dhe e bëri garën interesante deri në fund.
Duke qenë se jemi edhe nga i njëjti qytet, derbi lokal gjithmonë luhet dhe përjetohet ndryshe, me më shumë emocione, rivalitet dhe presion.
Mendoj se dallimi ishte te karakteri i ekipit tonë, përvoja në ndeshje të mëdha dhe qetësia në momentet vendimtare.
Në fund treguam më shumë fokus dhe besim te vetja.
“Bota sot”: Si klub fituat të gjitha trofetë, por iku Kupa e Kosovës në Gjilan, befasi apo pafat në atë finale?
Valmira Ramadani: Nuk do ta quaja befasi, sepse në finale çdo gjë mund të ndodhë dhe përballë kishim një kundërshtar shumë serioz. Sigurisht që na ka ndikuar ajo humbje, sepse gjithmonë hyjmë në çdo garë për ta fituar. Ndoshta në disa momente nuk ishim në nivelin tonë më të mirë, por edhe kjo është pjesë e sportit.
Megjithatë, mendoj se ekipi reagoi shumë mirë pas asaj finaleje dhe tregoi karakter duke vazhduar sezonin me trofe me kampionin.
“Bota sot”: Si e pa Fer Volleyn në garat evropiane në vjeshtë, a mendon se volejbolli ka ngritje me klube?
Valmira Ramadani: Besoj që Fer Volley do ta përfaqësojë dinjitetshëm klubin dhe volejbollin tonë në garat evropiane.
Edhe në paraqitjet që kemi pasur deri tani kemi treguar nivel të mirë.
Kundër ekipit zviceran Düdingen kemi zhvilluar një nga ndeshjet më të zjarrta dhe më cilësore, ku mendoj se e kemi përfaqësuar shumë mirë jo vetëm klubin, por edhe volejbollin kosovar në përgjithësi.
Ndeshjet ndërkombëtare janë një mundësi e mirë për eksperiencë dhe për të parë nivelin jashtë vendit.
Besoj se viteve të fundit volejbolli ka pasur ngritje, sidomos në aspektin e konkurrencës, organizimit dhe seriozitetit të klubeve.
“Bota sot”: Si e sheh Fer Volleyn në vazhdim?
Valmira Ramadani: E shoh Fer Volleyn si një klub shumë premtues, që po ndërtohet hap pas hapi me punë të vazhdueshme dhe me një vizion të qartë për të ardhmen.
Është një klub që nuk fokusohet vetëm te rezultatet momentale, por te zhvillimi i lojtarëve, te organizimi dhe te krijimi i një identiteti të fortë sportiv.
Më pëlqen fakti që ka synime të qarta dhe një strukturë që po përmirësohet çdo vit. Nëse vazhdohet me këtë seriozitet dhe përkushtim, Fer Volley ka potencial të bëhet një nga emrat më stabilë dhe më konkurrues jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
“Bota sot”: A do mbetesh besnike e Fer Volleyt?
Valmira Ramadani: Pas këtij kampionati nuk dua të hyj në shumë detaje, sepse dua ta shijoj maksimalisht këtë titull kampioni dhe njëkohësisht të fokusohem te Kombëtarja që na pret.
Por ajo që mund ta them me bindje është se Fer Volley është shumë i veçantë për mua dhe kjo është më se e dukshme pra ekipi ku jam rrit dhe jam ndertu ne volejbollisten qe jam tani
“Bota sot”: Pengu i juaj për edicionin 2025-2026?
Valmira Ramadani: Kush më njeh mua, e di që pengu im i vetëm do të ishte të mos isha kampione me Fer Volleyn, por kjo u arrit vitin e kaluar dhe këtë vit u mbrojtën edhe trofetë.
Sa i përket kësaj pjese, jam e mbushur dhe nuk kam pengje.
Për mua është edhe më e veçantë sepse me Fer Volley jam në qytetin tim, me njerëzit e mi dhe me klubin ku kam filluar karrierën.
Normalisht, aty ku nis rrugëtimi dhe aty ku e fiton suksesin, është edhe më e dëshirueshme dhe më emocionale.
Por gjithmonë kam dëshirë për më shumë, sepse kjo vjen nga karakteri dhe shpirti luftarak që kam brenda vetes.
“Bota sot”: Çfarë i pengon Valmirës?
Valmira Ramadani: Më pengon pak edhe mungesa e dëshirës dhe përkushtimit që ndonjëherë shihet te gjeneratat e reja për punë të vazhdueshme dhe sakrificë.
Ndonjëherë shihet edhe pritshmëria që gjërat të vijnë më shpejt dhe më lehtë, pa kaluar procesin e gjatë të punës që kërkon sporti.
Gjithashtu, një pjesë e madhe e pengesave lidhet me kushtet dhe infrastrukturën në volejboll. Nuk jemi gjithmonë në nivelin që e meriton sporti, qoftë në palestra, pajisje, apo organizim më profesional në disa raste.
Këto gjëra ndikojnë jo vetëm në performancë, por edhe në zhvillimin afatgjatë të lojtarëve dhe vetë sportit.
Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, me punë dhe përkushtim gjithmonë mund të arrihet progres.
“Bota sot”: Synimi që e ke në zemër të parealizuar?
Valmira Ramadani: Kam disa dëshira që dua të mbeten brenda meje dhe që me kalimin e kohës mund të realizohen. E shoh veten gjithmonë rreth sportit të volejbollit edhe pasi të përfundoj karrierën si sportiste aktive, kështu që ka kohë për gjithçka.
Për mua, një pjesë e madhe e synimeve lidhet me atë se si dua të jem e përfshirë në sport edhe në të ardhmen dhe si mund të kontribuoj më tej për volejbollin. Në fund, për mua suksesi nuk është vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, në mënyrën si e vazhdon rrugëtimin me sportin që e do.