Ka ndërruar jetë në moshë të re trajneri i volejbollit, Sheqir Ferizi.
Ky lajm ka tronditur jo vetëm volejbollin e Kosovës.
“Federata e Volejbollit e Kosovës, Presidenti Bahri Gjinovci, Bordi i FVK-së dhe i gjithë komuniteti i volejbollit në Kosovë, me pikëllim të thellë morën lajmin për ndarjen nga jeta të trajnerit të mirënjohur, Sheqir Ferizi, në moshën 49-vjeçare.
Vdekja e Sheqir Ferizit është një humbje e madhe për volejbollin e Kosovës dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të punojnë me të.
Me përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë e pakushtëzuar për sportin, ai la gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e shumë gjeneratave të reja, veçanërisht në Shkollën e Volejbollisteve Vajzave “Prishtina”.
Sheqiri nuk ishte vetëm trajner.
Ai ishte edukator, motivues dhe shembull i njeriut që jetoi për sportin dhe për të rinjtë. Kontributi i tij do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së volejbollit tonë.
Përveç angazhimit si trajner, Sheqir Ferizi ka qenë edhe sportist i dalluar dhe kontribuues i madh në volejbollin kosovar si lojtar aktiv i Klubit të Volejbollit “Policia e Kosovës”, lojtar i KEK-ut, ish Universitetit të Prishtinës, si dhe pjesëtar i Policisë së Kosovës, duke shërbyer me përkushtim si në sport ashtu edhe në institucionet e vendit.
Në këto momente të rënda, Federata e Volejbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ferizi, bashkëpunëtorëve, sportisteve dhe gjithë komunitetit sportiv.
Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë përgjithmonë ndër ne.
Prehu në paqe.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot, më 15.05.2026, në ora 17:00, në fshatin Prapashticë”, shpreh ngushëllime Federata e Volejbollit e Kosovës.