Volejbollistet e reja kroate befasojnë Brazilin  

Volejboll

Volejbollistet e reja kroate befasojnë Brazilin  

Nga: K.G. Më: 7 gusht 2026 Në ora: 22:49
Kroacia

Fillim fantastik për kombëtaren e volejbollit të femrave të Kroacisë U17 në Kampionatin Botëror U17 në Kili.

Në Grupin C, volejbollistet kroate u përballën me një kundërshtar shumë të fortë, Brazilin, në një ndeshje që zgjati plot dy orë e gjysmë.

Në fund, ndeshja në Santiago përfundoi me një fitore të madhe të Kroacisë me rezultat 3:2 (20:25, 25:21, 26:24, 17:25, 15:10).

“Çfarë mund të them tjetër, përveçse kjo ishte ndeshja e parë në Kampionatin Botëror, të cilën e kishim pritur aq shumë, dhe arritëm një fitore të madhe në pesë sete, ndaj një Brazili shumë të fortë.

I përgëzoj vajzat. Ishte një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë dhe shumë emocionale.

Pas gjithë asaj që kemi kaluar gjatë përgatitjeve, mendoj se kjo është një shpërblim i madh për gjithë mundin – për të gjithë ne, përfshirë edhe ato vajza që, fatkeqësisht, kanë mbetur në shtëpi.

Ne treguam se jemi një ekip i bashkuar, që merr frymë si një i vetëm. Ajo që na ndodhi gjatë gjithë ndeshjes, veçanërisht në setin e katërt, u përmbys nga lojtaret që hynë nga stoli.

Ato morën përgjegjësi, rikthyen përqendrimin e nevojshëm dhe për këtë meritojnë shumë lavdërime.

Nuk është e lehtë të hysh nga stoli në një ndeshje të tillë dhe të bësh një punë kaq të madhe.

Urimet shkojnë edhe për stafin teknik, i cili e përgatiti shumë mirë ndeshjen. Shërbimi ynë ishte pika më e fortë e lojës sot dhe sa herë që na duhej, na ndihmoi.

Ndoshta aty qëndron edhe çelësi i kësaj fitoreje.

Ndeshja pati shumë ngritje dhe ulje nga të dyja skuadrat. Brazili është një ekip me cilësi të jashtëzakonshme teknike dhe nuk ishte aspak e lehtë ta mposhtnim”, tha përzgjedhësja Svetlana Ceca Iliç.

Seti i pestë ishte, si gjithmonë, dramatik.

Pas pikës së parë të Brazilit, Kroacia reagoi me katër pikë radhazi dhe mori epërsinë.

Në ndërrimin e anëve, Kroacia kryesonte 8:4. Në fund të ndeshjes, vajzat kroate shënuan tri pikë radhazi dhe kaluan në avantazh 12:8, më pas siguruan pikën e ndeshjes në 14:9 dhe e mbyllën setin me 15:10, duke fituar edhe takimin.

Pikëshënueset më të mira për Kroacinë ishin: Erin Iveziq 19 pikë, Emilie Stojiq 16 pikë dhe Lana Drvish 9 pikë.

Në ndeshjen e dytë të grupit, Kroacia do të përballet me Japoninë, e cila në raundin e parë humbi nga Spanja me rezultat 2:3.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat