Me 8 medalje ballkanike, 4 prej tyre të arta, dhe një pjesëmarrje në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Indrit Çullhaj është një prej sportistëve shqiptarë që ka lënë gjurmë në xhudo.
Së fundmi, Çullhaj u shpall sërish kampion Ballkani, pas katër fitoreve radhazi. Sportisti shqiptar ka një karrierë të pasur, me 19 tituj kampion i Shqipërisë dhe 137 medalje ndërkombëtare.
I ftuar në emisionin “Rudina”, Çullhaj foli për rrugëtimin e tij në sport, sukseset, sakrificat dhe synimin për të qenë sërish pjesë e Lojërave Olimpike, këtë herë në Los Angeles 2028.
Duke kujtuar një prej momenteve më të vështira gjatë garës, sportisti tregoi se kishte pësuar një dëmtim në brinjë, por vazhdoi ndeshjen dhe arriti të ruante fitoren në sekondat e fundit.
“Ky është një moment shumë delikat për mua te kjo foto, sepse ka qenë një moment që unë e kisha krisur brinjën që në Tiranë dhe nuk e dija që e kisha vrarë. Aty i kam marrë pikët dhe kanë qenë 15 sekondat e fundit për të ruajtur fitoren dhe fitova. Në një moment më jep një therje të jashtëzakonshme te pjesa e brinjës dhe ulem, s’e kuptova nga erdhi.
Në një moment e dëgjoj vëllain që thotë: Indrit, kemi punuar katër vite për të ardhur, çohu, mos rri shtrirë. Thashë me vete: A ta dish ti çfarë është dhimbja…
Jo frymëmarrje që nuk merrja dot, por dhimbje të jashtëzakonshme. Shumë, shumë e jashtëzakonshme dhe më humbi veshja, si më thënë për diçka të vogël edhe kësaj radhe. Për Los Angeles dua të shkoj ta provoj veten siç duhet”, tha ai.
Pas eksperiencës olimpike në Tokio, Çullhaj ka vendosur tashmë objektivin e radhës: Los Angeles 2028. Për të, rruga drejt një tjetër pjesëmarrjeje olimpike kërkon katër vite punë dhe përkushtim.
“Synimi është drejt Los Angeles 2028. Nuk ka asgjë të pamundur. Thjesht të kesh dëshirë dhe fokus për të shkuar atje.
Është 4 vjet që të kapësh normën olimpike. Unë në Tokio e kam arritur gati për ta marrë atë, në Lojërat Olimpike të Tokios”, tha ai.