Kampioni olimpik hyn në garën politike

Xhudo

Kampioni olimpik hyn në garën politike

Më: 10 nëntor 2026 Në ora: 16:08
Pesë herë kampioni olimpik në xhudo, Teddy Riner, do të hyjë në garën presidenciale në Francë

Pesë herë kampioni olimpik në xhudo, Teddy Riner, ka paralajmëruar se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në Francë në vitin 2027, duke hyrë në garën politike në një periudhë kur Marine Le Pen është ndër emrat kryesorë të përmendur për presidencën.

Pesë herë kampioni olimpik në xhudo, Teddy Riner, ka befasuar opinionin publik duke njoftuar se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2027, raporton agjencia franceze e lajmeve AFP.

“Quhem Teddy Riner dhe sot dëshiroj t'ju them sy më sy: do të kandidoj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027”, deklaroi 37-vjeçari.

Njëri prej sportistëve më të njohur francezë hyn në garën presidenciale në një periudhë kur Marine Le Pen është ndër figurat politike që synojnë të marrin drejtimin e vendit pas përfundimit të mandatit të presidentit aktual, Emmanuel Macron.

Riner në të kaluarën ka shprehur publikisht shqetësimin e tij për “ngritjen e së djathtës ekstreme” në Francë.

Megjithatë, shpallja e kandidaturës nuk nënkupton automatikisht se ai do të jetë kandidat zyrtar në zgjedhje. Për këtë, duhet të sigurojë 500 nënshkrime mbështetëse nga përfaqësues të zgjedhur, në përputhje me rregullat zgjedhore franceze.

Si sportist, ai ka fituar pesë medalje të arta olimpike në xhudo. Në kategorinë mbi 100 kilogramë, triumfoi në garat individuale në Lojërat Olimpike të vitit 2012, 2016 dhe 2024, ndërsa dy medaljet e tjera të arta i fitoi me ekipin e përzier të Francës, në vitet 2020 dhe 2024.

Në Lojërat Olimpike të vitit 2008 dhe në Tokio më 2021, ai fitoi medalje të bronzta. Përveç sukseseve olimpike, Riner ka në koleksionin e tij edhe 11 tituj të kampionit të botës.

Nuk është i pari që kalon nga xhudoja në politikë

Riner nuk është xhudisti i parë francez i nivelit të lartë që i është futur politikës.

David Douillet, kampion olimpik në kategorinë mbi 95 kilogramë në vitet 1996 dhe 2000, u zgjodh deputet në Parlamentin francez në vitin 2009.

Më pas, nga shtatori i vitit 2011 deri në maj të vitit 2012, ai ushtroi edhe funksionin e ministrit të Sportit në Francë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat