Në të gjitha komunat e Gjenevës, përfundimi i vitit shkollor shënohet me ceremoni të shumta kulturore dhe artistike

Zvicra

Në të gjitha komunat e Gjenevës, përfundimi i vitit shkollor shënohet me ceremoni të shumta kulturore dhe artistike

Nga: Arif Ejupi Më: 4 korrik 2023 Në ora: 11:51
Pamje nga aktivitetet

Në të dyzet e pesë komunat e Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, përfundimi i vitit shkollor është shënuar me ceremoni të shumta kulturore dhe artistike.

Pjesë e këtyre manifestimeve kanë qenë edhe prindër e nxënës shqiptarë, që prej vitesh jetojnë në këtë qytet, qendër e civilizimit, kulturës dhe diplomacisë botërore.

Në fakt pjesa dërrmuese e fëmijëve të mërgimtarëve tanë janë të lindur në Gjenevë. Fatmirësisht ata janë treguar dhe po tregohen mjaft të suksesshëm qoftë si nxënës shkollash fillore të Mesme, qoftë edhe si studentë në Fakultete e Shkolla të Larta të Gjenevës dhe Lozanës.

Sot, ish- nxënës dhe studentë shqiptarë janë udhëheqës të dalluar repartesh në spitalet e Gjenevës, siç është rasti me doktoreshën e specializuar Fortesa A.Mehmeti, e cila me sukses e drejton Klinikën e Pediatrisë .

Pastaj, e reja tjetër Anita N. Hiseni, shquhet për punën e saj të shkëlqyer si inxhiniere e Kimisë .

Ajo, ka 5- 6 vite që punon në Kompaninë e njohur të parfumerisë dhe aromës “Firmenich”të Gjenevës.

Në anën tjetër Zyrat e Avokatisë dhe ato Jurisprudencës, kanë numër të kënaqshëm juristësh shqiptarë .

Ndërmarrjet me emër drejtohen nga ekonomistë dhe arkitektë të dalluar që e dominojnë fushën e Ndërtimtarisë dhe të Restaurimit. Në këtë sferë kampion janë vëllezërit “Orllati” nga Rahoveci i Republikës së Kosovës.

Puna e tyre cilësore ka bërë që ata të jenë të pranishëm në çdo pëllëmbë të Zvicrës, frëngjishtfolëse.

Prandaj, shpresohet që rrugën e sukseseve të tyre do ta ndjekin edhe nxënës e studentë të tashëm dhe të ardhshëm, që jetojnë dhe veprojnë jo vetëm në Gjenevë, por anembanë Zvicrës.

Meqenëse, mërgimtarët tanë janë të përqendruar në numër më të madh në komunat Vernier Meyrin dhe Onex të Gjenevës, prania e tyre natyrisht, që me rastin e shënimit të përfundimit të vitit shkollor ka qenë më e madhe në këto komuna.

Ansambli i këngëve dhe valleve tona popullore “ Gëzuar “i Gjenevës, trashëgimi e punës shumëvjeçare e treshes së njohur Xhemali Berisha, koreograf, Nexhmedin Ilazi, producent dhe Ismet Kurteshi, kryetar po vazhdon me sukseset e dikurshme edhe me udhëheqësit e rinj, Fadili Avdiu, Linda Rexhaj-Maliqi dhe edukatorja Yllka Kurteshi, që është zëvendësuar nga valltarja e mirënjohur kërçovare, Shota Fejza.

Këngëtarë dhe valltarë të këtij Ansambli, në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme kanë prezantuar pika të zgjedhura këngësh e vallesh, përpara komuniteteve të huaja të botës, që po ashtu jetojnë në Gjenevë të Zvicrës.

Z. Ismet Kurteshi, një aktivist i hershëm i komunitetit tonë thotë “Shumica prej veprimtarëve të viteve 80 e 90 – të, jemi pensionistë apo në prag të tij, që lë me kuptuar që kontributi ynë s’ mund të jetë sikurse i gjeneratave të reja“.

Z. Kurteshi e mbyll fjalën e tij me mesazhin “profesionistët e vërtetë duhet t’i krijojnë pasardhësit e tyre. Në të kundërtën ata ikin nga kjo botë ngjashëm me drunjtë që s’bën hije e as nuk dhanë fryt”.

Në të gjitha manifestimet e mbajtura ka mbretëruar atmosferë gëzimi dhe hareje. Mirëpo, ai i organizuar në ambientet e shkollës së ciklit të ultë “ Ecole du Bosson” të komunës Onex të Gjenevës, ka qenë i gërshetuar me shumëllojshmëri kulturash si : shqiptare, italiane portugeze, afrikane, aziatike dhe amerikano-latine.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat