Dokumentari “Kufiri i kuq – T’huej mes t’vetve!” është një vepër kinematografike me vlera të veçanta dokumentare dhe historike, që ri sjell në vëmendje një të vërtetë të dhimbshme të së kaluarës sonë të afërt – ndarjen tragjike të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës gjatë regjimit totalitar komunist. Më shumë se një kronikë e së kaluarës, ky dokumentar është një akt kujtese, një thirrje për reflektim dhe një homazh për ata që guxuan të krijonin nën trysninë e përndjekjes dhe izolimit.
Me skenar të Admirina Peçit dhe regji të Rezart Shehut, dokumentari është një vepër që ndërthur ndjeshmërinë artistike me thellësinë historike, duke shpalosur një prej plagëve më të rënda të historisë së popullit shqiptar.
Në thelb, “Kufiri i kuq…” dëshmon për 45 vite shkëputje të dhunshme të komunikimit kulturor ndërmjet shqiptarëve në dy anët e kufirit, ndarjen e tij ideologjike dhe shpirtërore ndërmjet Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës dhe Kosovës së nënshtruar regjimit jugosllave të Titos. Ky izolim, i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ishte vetëm politik e gjeografik, por edhe shpirtëror e krijues. Ai ndau lexuesin nga autori, aktorin nga skena, mendimin nga fjala, dhe shqiptarët nga vetvetja.
Dokumentari sjell dëshmi të vyera nga shkrimtarë, studiues e botues që kanë përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë pasojat e kësaj ndarjeje. Poeti Primo Shllaku thekson se me mbylljen e kufirit u ndal edhe historia e përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa Nazmi Rrahmani, shkrimtar dhe botues nga Kosova, rikujton mungesën e qasjes së ndërsjellë në letërsinë shqipe, që krijoi një boshllëk kulturor me pasoja të thella.
Studiuesi Behar Gjoka e vë theksin tek rezistenca krijuese e autorëve kosovarë, të cilët, edhe nën robërinë politike, arritën të sjellin prurje të rëndësishme në letrat shqipe. Një ndër ta ishte Anton Pashku, një prej figurave më emblematike të letërsisë moderne kosovare, i ndaluar dhe i përçmuar nga regjimi komunist shqiptar si “armik i realizmit socialist”. Krijimtaria e tij hermetike dhe jashtë normave ideologjike u konsiderua kërcënim për rendin e vendosur dhe për këtë arsye mbeti e ndaluar në Shqipëri.
Vetë titulli “T’huej mes t’vetve” është një shprehje e hidhur e realitetit absurd që shqiptarët e Kosovës përjetonin kur vizitonin Shqipërinë dhe anasjelltas – një ndjesi përjashtimi që mbeti e gjallë për dekada të tëra. Admirina Peçi, autorja e skenarit, nënvizon se ndarja ishte aq e thellë sa shqiptarët, në vend të përjetonin ndjenjën e atdheut, ndiheshin të huaj edhe mes të vetëve.
Përtej analizave dhe dëshmive historike, dokumentari nuk lë jashtë as aspektin njerëzor dhe emocional. Rrëfen histori arratisjesh, përndjekjesh, kampesh internimi dhe akuzash absurde ndaj shqiptarëve të Kosovës që, pasi vinin në Shqipëri, detyroheshin të “pranonin” se ishin agjentë të huaj – një tjetër fytyrë e errët e paranojës së regjimit komunist.
“Kufiri i kuq – T’huej mes t’vetve!” nuk është thjesht një dokumentar mbi të shkuarën – ai është një akt i fuqishëm i rikthimit të së vërtetës në diskursin publik dhe kulturor shqiptar. Është një ftesë për reflektim të thellë mbi plagët që ndarja dhe diktatura kanë lënë mbi kombin, dhe një dëshmi për qëndrueshmërinë e shpirtit krijues shqiptar që, edhe kur ndodhej i ndarë, nuk reshti kurrë së kërkuari bashkimin përmes artit, fjalës dhe kujtesës.
Dokumentari përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e një narrative të ndershme dhe të përbashkët shqiptare. Ai u shërben jo vetëm studiuesve dhe njerëzve të artit, por mbarë shoqërisë shqiptare që kërkon të kuptojë veten, të pranojë të kaluarën dhe të projektojë një të ardhme më të bashkuar.