VV pamundëson votimin e Komisionit Hetimor, opozita e lëshon seancën

Aktuale

VV pamundëson votimin e Komisionit Hetimor, opozita e lëshon seancën

Më: 19 prill 2022 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 12:33 më 19.04.2022
Kuvendi i Kosovës

​Kuvendi nuk diskuton sot për situatën e sigurisë në vend

Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet me shqyrtimin dhe votimin e disa projektligjeve, pa prezencën e partive opozitare në sallë. Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë refuzuar të marrin pjesë në seancë dhe votime deri në formimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me krizën energjetike.

Si pasojë e braktisjes së seancës nga opozita, marrëveshjet ndërkombëtare dhe debati për situatën e sigurisë në vend nuk do të jenë pjesë e rendit të ditës.

Konjufca pasi opozita lëshoi sallën: Nuk është e mundshme të votohen marrëveshjet ndërkombëtare

“I kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare sepse as që është e mundshme tani të votohen ato, edhe e kalojmë edhe debatin i cili është kërkuar nga AAK meqenëse propozuesi e lëshojë seancën, kështu që kalojmë të pika e tetë që është shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për sigurimin shëndetësore”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

​Konjufca i jep të drejtë opozitës për komisionin hetimor për energjinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka dhënë të drejtë partive opozitare për formimin e komisionit hetimor për energjinë. Këtë e ka arsyetuar, me deklarimin që kishte bërë në kohën sa ishte shef i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tha se e kishte quajtur gabim mohimin e të drejtës për formim të komisionit hetimor.

Konjufca: Po dua t’i jap të drejtë opozitës

“Po dua t’i jap të drejtë opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar kur na është mohuar kjo çështje dhe kam dalë e kam thënë që ajo është gabim. Kështu që për të qenë në konsistencë edhe me këtë interpretim që kam pasur atëherë, mendoj që duhet ta hapim fazën e propozimit të emrave për këtë komision hetimor parlamentar”, ka deklaruar ai.

Kuvendi miraton disa ligje që ndërlidhen me shëndetësinë

Me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës e ka miratuar sot në shqyrtim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor.

Me po kaq vota, Kuvendi ka miratuar sot në shqyrtim të dytë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetësi.

Me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua në shqyrtim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

Ndërsa me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar shqyrtimi i dytë i Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për produkte dhe pajisje medicinale.

VV-ja pamundëson votimin e Komisionit Hetimor, opozita e lëshon seancën

Formimi i Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme.

Vetëm 33 deputetë kanë votuar pro mocionit për futjen në rend të ditës të formimit të Komisionit Hetimor parlamentar të propozuar nga PDK-ja për energjinë.

Nga 108 deputetë të pranishëm, 72 vota janë nevojitur që mocioni të kalojë.

“33 deputetë kanë votuar pro, prandaj ky mocion mbetet në seancën e ardhshme”, tha Konjufca.

Arben Gashi i LDK-së tha se pasi “u mohua një e drejtë kushtetuese”, LDK-ja do ta lëshojë sallën e Kuvendit.

“Meqënëse opozita iu mohua një e drejtë kushtetuese, GP i LDK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë mbledhje dhe e ne e lëshojmë sallën”, shtoi Arben Gashi i LDK-së.

Po ashtu, shefi i deputetëve të PDK-së, Ableard Tahiri, tha se ky subjekt politik nuk do të marrë pjesë as në seancat e tjera, pasi dështoi të votohej mocioni rreth komisionit hetimor për sektorin energjetik.

“Kjo ishte hera e parë që propozohet themelimi i një komisioni hetimor. Sot mendoj që është bërë një veprim i dëmshëm nga mazhoranca. Si opozitë, kemi qenë konstruktiv, sot na u mohu një e drejtë parlamentare. Kjo është një padrejtësi e madhe. Si GP i PDK-së nuk do të marrim pjesë në votimet e mëtutjeshme as në seancat e tjera”, tha Abelard Tahiri.

Njëjtë deklaroi edhe Besnik Tahiri, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Mendoj që është një gabimi pafalshëm mosvotimi i këtij Komisioni Hetimor. Ne jemi të detyruar ta lëshojmë sallën, të mos marrim pjesë në votim dhe ta bojkotojmë një proces i cili realisht nuk është asgjë tjetër, një Komision Hetimor, një e drejtë legjitime, kushtetuese e kërkuar nga iniciuesi që u bllokua pa kurrfarë nevoje”, ka thënë Tahiri.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari, ka thënë se nuk është e mundur që të formohet Komisioni Hetimor parlamentar i propozuar nga opozita pasi sipas saj nuk është proces i ligjshëm.

Kësisoj, tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK lëshuan seancën, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për pamundësim të votimit të këtij hetimi.

Opozita me mocion procedural kërkon komision hetimor për energjinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar që përmes mocionit procedural të futet në rend të ditës, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për Krizën Energjetike.

Në seancën e sotme plenare, ai ka theksuar se kanë mbledhur nënshkrimet e 40 deputetëve për formimin e këtij komisioni.

Tahiri: Të jetë si pikë e rendit të ditës, i kemi 40 nënshkrime

“Grupi Parlamentar i PDK-së ka propozuar formimin e një komisioni hetimor, i cili është përkrahur tashmë nga 40 deputetë. Kjo është një kategori kushtetuese, e cila përcakton nenin 77. Meqë ju jeni në dijeni që propozimi i gjashtë deputetëve për formimin e komisionit hetimor ka rënë, tashmë kjo është një kategori kushtetuese që është vetëm një formalitet caktimi i komisionit. Ne si grup i PDK-së e kemi diskutuar edhe në seancën e kaluar për komision hetimor. I kemi zëvendëskryetarin dhe një anëtar dhe sot është një formalitet dhe përmes këtij mocioni procedural, ne kërkojmë që grupet parlamentare ta përkrahin këtë mocion procedural. Të jetë si pikë e parë e rendit të ditës, sepse nuk kërkon më shumë se 10 minuta që ky formalitet të përfundojë, pastaj komisioni të vazhdojë punën”, tha ai.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se në këtë mocion nuk përmendet se 40 deputetët nënshkrues janë iniciues.

Kusari-Lila: Rrethanat aktuale pamundësojnë funksionalizimin e këtij komisioni hetimor

“Ne na intereson se në çfarë përbërje mund të jetë ky komision përderisa 40 deputetët nënshkrues janë të grupeve parlamentare PDK, LDK, AAK. Do të thotë në rrethanat aktuale pamundësohet funksionalizimi i këtij komisioni hetimor përderisa të gjitha partitë opozitare janë inicuese të komisionit hetimor ndërsa me ligj asnjë nga deputetët e pozitës nuk mund të jetë kryesues i komisionit hetimor parlamentar”, ka thënë ajo.

Për këtë, Tahiri tha se PDK është propozues për formimin e këtij komisioni hetimor, e jo partitë tjera.

Tahiri: Ju inkurajoj që t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese

“Nëse ju mendoni që po bëjmë shkelje kushtetuese, ju inkurajoj që t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese pas votimit të këtij Kuvendi. Kjo është çështje shumë e thjeshtë, janë 40 nënshkrime, 40 deputetë janë kategori kushtetuese që e caktojnë komisionin hetimor. Nuk po propozojmë, e kemi caktuar. Është formalitet propozimi i emrave dhe kryesuesit... Si grup parlamentar i PDK-së po i bëjë thirrje mazhorancës që ta votojë, përndryshe atëherë do të hyjmë në një cikël jo të mirë të punës tonë si Kuvend me mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, mos votimit të ligjeve të opozitës dhe nuk besoj që kjo i intereson dikujt”, ka deklaruar Tahiri.

Këtë po e përkrah edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku shefi i deputetëve të kësaj partie, Arben Gashi tha se nuk janë iniciues të themelimit të këtij komisioni.

Ai ka thënë se nuk ka kuptim demokracia dhe parlamentarizmi nëse opozitës i mohohet e drejta kushtetuese për formimin e komisionit hetimor parlamentar.

Gashi: Nuk ka më kuptim që të marrim pjesë në Kuvend

“Nëse ju tentoni këtë të drejtë të vetme të garantuar me Kushtetutë dhe pakonstitueshmërinë e saj atëherë, nuk ka më kuptim që ne të marrim pjesë në Kuvend, nuk ka më kuptim që ne të marrim pjesë në votim, çfarë kuptimi ka që ne me marrë pjesë në votime, me votu marrëveshje ndërkombëtare kur ju ia pamundësoni një mekanizëm, të vetëm të garantuar me Kushtetutë opozitës dhe ky mekanizëm i vetmi i garantuar me Kushtetutë, është hetimi parlamentar. Ju doni ta pamundësoni, e keni pamundësuar me gjashtë nënshkrime, tash doni ta pamundësoni me 40 nënshkrime”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka paralajmëruar bojkot të Kuvendit në rast se nuk formohet ky komision hetimor parlamentar.

Gashi: Nëse nuk formohet komisioni, nuk ka kuptim që LDK të marrë pjesë në votim në Kuvend

“Si grup parlamentar i LDK-së dhe si deputet i këtij Kuvendi mund të konkludoj se nëse nuk formohet komisioni hetimor parlamentar nuk ka kurrfarë kuptimi që grupi parlamentar i LDK-së me marrë pjesë në asnjë lloj votimi në Kuvend, asnjë lloj votimi në Kuvend, e mbi të gjithë nuk ka kurrfarë kuptimi që Grupi Parlamentar i LDK-së dhe në këtë rast mendoj komplet opozitës me votu marrëveshje ndërkombëtare kur ju i mohoni në mënyrë eksplicite kundër kushtetuese të drejtën e formmit të një komisioni hetimor parlamentar”, ka deklaruar ai.

Më tej, ai shtoi se iniciues për formimin e këtij komisioni hetimor është Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka tentuar të formojë këtë komision me procedurë të thjeshtë me gjashtë nënshkrime. Sipas tij, pushteti është tmerruar nga mundësia e hetimit të keqmenaxhimit në sektorin e energjisë elektrike.

Gashi për deputetët e VV-së: Britmat në Kuvend janë të panevojshme kur flet Kushtetuta

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se është jetike që të formohet Komisioni hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike.

Ai ka thënë se janë të panevojshme britmat në Kuvend kur është e përcaktuar në Kushtetutë.

Britmat në Kuvend janë të panevojshme kur flet Kushtetuta. Kuvendi i Kosovës që përbëjnë politika të kuvendit. Kuvendi me 1/3 e cakton komisionin për një çështje të veçantë siç është komisioni hetimor. Janë dy deputetë që nuk e kanë nënshkruar formimin e këtij komisioni. Nga një VV që Kadri Veselin e quajn kriminel sot bëhet me interpretime të tij. Jam përkrahës por jo iniciator.

Unë jam pajtuar të ketë hetim për këtë çështje. Është jetike që njëra prej shtyllave të saj të funksionojë mbikëqyrja parlamentare dhe nuk guxon të cenohet”, tha Gashi.

Kusari: Me ligj asnjëri nga deputetët e opozitës s’mund të jetë kryesues i Komisionit Hetimor Parlamentar

Seanca e së martës në Kuvendin e Kosovës ka nisur me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, pasi opozita ka insistuar që në rend dite të hyjë formimi i Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike.

Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në mocionin e prezantuar nga PDK-ja nuk përmendet fakti se 40 deputetë nënshkrues janë iniciues të formimit të këtij komisioni.

Ajo ka thënë se VV-së i intereson se çfarë përbërje mund të ketë ky komision, pasi deputetët nënshkrues janë nga partitë opozitare.

Në rrethanat aktuale pamundësohet funksionalizmi përderisa të gjitha partitë opozitare janë iniciuese, ndërsa me ligj asnjë nga deputetët e pozitës nuk mund të jetë kryesues i këtij komisioni. Bazuar në praktikën e mëhershme, më 2018, kur njëjtë nënshkrues ishin LDK-ja e LVV-ja, kryeparlamentari asokohe tha që për arsye se deputetët e dy partive janë iniciuese të komisionit hetimor nuk mund të themelohet sepse nuk mund të udhëhiqet nga deputetët e njërit grup parlamentar që është iniciues i komisionit hetimor”, ka thënë ajo

Tahiri përplaset me pozitën në Kuvend për Komisionin Hetimor: Çfarë po fshihni

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje që të votojnë formimin e një Komisioni Hetimor, që sipas tij do t ë hetojë disa nga proceset që kanë ndodhur së fundmi në vend, përfshirë punësimet në KEK, shtrenjtimin e tarifave të energjisë e të tjera.

Fillimisht Tahiri tha se ai nuk është iniciues për formimin e këtij Komision, por se është vetëm nënshkrues.

“Iniciuesi është PDK-ja. Unë nuk jam në PDK. Unë jam kryetar i Grupit Parlamentar të AAK-së dhe si deputet kam nënshkruar një kërkesë të iniciuesit që shpeshherë ka ndodhur që kolegë deputetët të këtij grupi mos me nënshkru në një kërkesë të opozitës që rrjedhimisht nuk janë iniciues”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, i kërkoi kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës që të votojnë këtë Komision, nëse duan bashkëpunim afatgjatë me opozitën.

“Kam kërkesë për ty kryetar dhe znj. Kusari -Lila. Është e domosdoshme që nëse dojmë me pas një frymë të një bashkëpunimi afatgjatë për çështje të rëndësishme kërkojmë nga ku që të merrni seriozisht dhe të votoni. Ju themi troç, nuk do të kalojë dhe nuk do të heshtimin dhe nuk do të pranojmë mos themelimin e këtij Komisioni”, tha ai.

Më tutje, ai deklaroi se nëse pozita mendon se ky Komision është antikushtetues, çështja sipas tij mund të dërgohet edhe në Gjykatë Kushtetuese.

“Nëse ju mendoji që ky Komision është jokushteteues adresoni çështjen në Gjykatë Kushtetuese. Mem ba mua iniciues kur nuk jam iniciues, jam nënshkrues. Deputetët e AAK-së janë nënshkrues të një inicimi që e ka nisur PDK-ja. Pyetja shtrohet këtu z.Konjufca dhe deputetëve. Çka jemi tu mshef. Pse nuk po bëjmë hetim parlamentar për çështja thelbësore që janë nis”, tha Tahiri.

“Pse mos me pas një hetim parlamentar ku shumica e anëtarëve janë VV dhe të shohim se a ka reaguar qeveria me kohë në krizën energjetike. Tarifat a janë të drejta apo jo, cila është rrjedha, lidhja në mes të KEDS, KEK e kështu me radhë. Punësimet në KEK. Pse mos me bë një hetim, çfarë po fshihni”, tha ndër të tjera ai.

LDK paralajmëron bojkot të Kuvendit nëse nuk lejohet të formohet Komisioni Hetimor nga opozita

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, ka paralajmëruar bojkot të Kuvendit nëse opozitës nuk i lejohet formimi i Komisionit Hetimor parlamentar për çështjet energjetike.

Ai tha se s’ka më kuptim parlamentarizmi në Kosovë nëse i mohohet formimi i Komisionit Hetimor.

Mohimi i kësaj të drejte për ne është përtej çdo limtii, si deputet mund të konkludoj se nëse nuk formohet Komisioni Hetimor parlamentar nuk ka më kuptim që LDK të marrë pjesë në çfarëdo votimi në Kuvend. Nuk ka më kuptim që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare nëse i mohohet opozitës të formojë komision hetimor”, tha Gashi.

Nëse opozitës i mohohet formimi i një komisioni hetues parlamentar nuk ka më kuptim parlamentarizmi. 40 deputetë janë kategori kushtetuese”, tha Gashi.

Gashi tutje tha se beson se ka deputetë brenda VV-së që do të deklarohen se është gabim moslejimi i formimit të Komisionit Parlamentar.

Kjo mënyrë e të menduarit është e patolerueshme, besoj se ka njerëz brenda VV-së që kanë me thanë që e keni gabim, unë du me besu që kryetari i Kuvendit që me u rrëzu shtylla kryesore, mbikëqyrja parlamentare. Unë deklaroj, se ne nuk do të votojmë asnjëherë në këtë Kuvend pa u formu Komisioni Hetimor”, tha Gashi.

Opozita ka kërkuar që të votohet mocioni procedural për ta futur në rend të ditës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Marrëveshjet ndërkombëtare – S’ka gjuhë të përbashkët ndërmjet partive në Kuvend

Ka nisur debat ndërmjet shefave te grupeve parlamentare lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare, por siç duket nuk po pajtohen për këtë pikë.

Ata janë mbledhur afër kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca për të gjetur një zgjidhje për këtë pikë.

Pjesë e këtij debati është bërë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat