Preteksti për sulm ndaj policëve nga ‘komandant’ Nuredin Lushtaku / Nga kërcënimet në plagosje, gjithherë gënjente për akuzat

Aktuale

Preteksti për sulm ndaj policëve nga ‘komandant’ Nuredin Lushtaku / Nga kërcënimet në plagosje, gjithherë gënjente për akuzat

Nga: Idriz Morina Më: 3 korrik 2022 Në ora: 14:05
Nuredin Lushtaku

Sa mund të shkojë larg dhe për të keq, një njeri si Nuredin Lushtaku? Ai është një prej veteranëve dhe që përbënte si të thuash grupin e ‘të fortëve’, të komandantëve, veçmas të Drenicës, të cilët nuk donin të dëgjonin se ekziston Rugova dhe LDK-ja.

Sipas parimeve që kishin vendosur ata, LDK-ja duhej të shuhej në Drenicë, por edhe në Kosovë mundësisht.

Në Drenicë në një mënyrë ia dolën. Nga një vend që e përkrahte Rugovën dhe LDK-në masivisht, qoftë me falsifikim votash, qoftë nga vrasjet, kërcënimet trysnitë etj, kjo parti me kohë atje, erdhi buzë shuarjes.

Njerëzit që mund të kurdisen apo ndikohen ka shumë si Nuredin Lushtaku, por një njeri me të kaluarën e tij, bëhen tepër të rrezikshëm.

Madje edhe vetë djali i tij, për shkak të një dënimi në trafik nuk duhej ta thërriste fare babain, nëse është i saktë, rrëfimi i paraqitur në media, në incidentin që mbrëmë çoi në plagosjen e një polici dhe rrahjen e rëndë të një tjetri, vetëm pse guxuan t’ia shqiptonin një gjobë, të birit të “Nurës”, siç e thërrasin kryesisht në Drenicë apo Skenderaj.

Nuredin Lushtaku në një deklarim për media është munduar t’ua hedhë fajin për plagosje vetë policëve, duke e paraqitur si një devijim nga konflikti, policë-qytetarë, në polic me policë.

Por, këtë e ka demantuar Inspektorati Policor i Kosovës, sipas të cilit “në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, kanë sqaruar ata për media.

Pra, Lushtaku duke shfrytëzuar ndikimet e veta dhe të grupeve që e mbështesnin, e ndryshonte tregimin për të vërtetën, sipas nevojave, apo rrezikut që shihte ai.

Nga përvoja personale, e kërcënimit nga Nuredin Lushtaku, e kam kuptuar se ai para ligjit nuk e ka problem të gënjejë dhe t’i mohoj akuzat. Edhe në rastin tim, e kishte mohuar se më kishte kërcënuar duke thënë se ishte një lloj mosmarrëveshje. (Në fakt unë nuk kam pasur rastin ta shohë asnjë deklaratë të tij, por këtë ma kishte thënë në takim zyrtari policor që e kishte rastin.)

Nga ajo që pata kuptuar, atëherë hetuesit nuk e kishin takuar fare N. Lushtakun, por ‘kishin biseduar me të në rrugë operative’!

Pra, si duket edhe shumë raste të tjera të tij, madje edhe sulme me forcë, rrahje, të paktën në tri raste të bëra publike, një madje e një ish-zyrtari të lartë për media, janë mbyllur me shpjegimet e tij absurde, dhe sigurisht me trysninë, që ai llogariste të bënte tek palët.

Në fakt, sipas një burimi, mundet që rasti të ketë ndodhur për motiv hakmarrje. Njëri nga policët shumë vite më parë i paska arrestuar vëllezërit e Nuredin Lushtakut. Nisur nga kjo nuk përjashtohet mundësia, që gjoba në trafik të jetë shfrytëzuar si pretekst për sulm.

Kjo konfirmon se njerëzit si Lushtaku duan të jenë mbi ligjin!

Sipas burimeve, njëri nga policët e plagosur është Enver Smakiqi dhe polici tjetër Mërgim Geci.

Pas lirimit të Nuredin Lushtakut, policia vazhdon kërkimin për arrestimin e djalit të tij, z. Arbër Lushtakut.

Në ngjarje kanë marrë pjesë edhe dy vëllezërit e tij, Faton e Arif Nuredini.

Rastet e konflikteve dhe të sulmeve të Nuredin Lushtakut

Nuredin Lushtaku e kishte sulmuar Glauk Konjufcën në foltoren e Kuvendit derisa ky po fliste, dhe po e kritikonte Sami Lushtakun. Ai këtë e bënte në vitin 2016 në mbrojtje të Sami Lushtakut, por, që u pengua ta rrihte Glaukun nga deputetët, të cilët ndërhynë.

Në atë kohë, sipas raportimeve në media në çështje hulumtuese, Nuredin Lushtaku përveç se kishte raporte shumë të mira me Sami Lushtakun, ai këtë (mbrojtjen agresive të tij) vlerësohej se e bënte për të mbrojtur investimet e veta.

Nuredin Lushtaku aso kohe i kishte konsoliduar disa biznese. Sipas raportimeve në media, ai e kishte ndërtuar një kompleks banesor, një firmë të kontrollit teknik të automjeteve, pastaj edhe një biznes thëngjilli që e udhëhiqte vëllai i tij.

Sipas raportimeve në media në vitin 2013 në Polac të Skënderajt shfrytëzohej prej kohësh një basen thëngjilli pa pasur leje, me sipërfaqe prej gati 14 mijë metra katror (1.4 hektar), sipas kallxo.com, nga firma e Faton Lushtakut, që aso kohe vëllai i tij, Nuredini ishte zv.ministër i Diasporës.

Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale, në mars të atij viti e kishte dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Edhe atë rast, vëllai i tij, Fatoni e kishte quajtur spekulim, duke thënë se, këta kanë hedh dhe, “për t’i mbyllur gropat”.

Në nëntor të vitit 2012 Nuredin Lushtaku e ka rrahur Mustafë Xhemajlin, vëllai i Emrush Xhemailit, ish-kryetar i LPK-së pas luftës. Xhemaili ishte zyrtar i lartë në Ministrinë e Diasporës, drejtor i Departamentit për Politika të Diasporës. Burime nga Ministria u kishin thënë mediave se Lushtaku e ka goditur kur ai kishte refuzuar që t’ia punësonte kundërligjshëm një të afërm të tij.

Në vitin 2020, gjatë verës, Nuredin Lushtaku, në restorantin e tij e kishte sulmuar fizikisht kushëririn Fejzë Lushtaku.

Po gjatë atyre ditëve në objektin e komunës së Skenderajt, e kishte sulmuar Gani Halilajn.

Lushtaku i kishte mohuar akuzat duke thënë se nuk ishte rrahur me askë.

Në vitin 2015, e kishte kërcënuar kryeredaktorin aso kohe, dhe aktual të “Bota sot”, Idriz Morinën.

Për të gjitha këto raste nuk është regjistruar asnjë ndëshkim.

Shkrimi kishte të bënte, mbase për herë të parë në mënyrë eksplicite, se si ai dhe shokët e tij, e kishin braktisur heroin Adem Jashari, komandantin e tyre si thonë ata, në kohën që ai dhe familja e tij ishin sulmuar nga forcat serbe, në mars të vitit 1998.

Por, pas luftës ky dhe shokët e tij në emër të Adem Jasharit, akuzave që i bënin ndaj Rugovës, nuk e lejoi Gardën e TMK-së, ta nderonte presidentin Rugova, në janar të vitit 2006.

Për këtë çështje, ka pasur mjaft reagime në media, kryesisht nga mbështetës të Rugovës.

Raportet me Sami Lushtakun

Në tri vitet e fundit duket se Nuredin Lushtaku i ka ashpërsuar raportet me Sami Lushtakun, kushëririn e tij, dhe nën urdhrat e të cilit kishte luftuar.

Në vitin 2020 Nuredin Lushtaku e akuzonte Sami Lushtakun se ka blerë tokë në luftë. “Sami Lushtaku ka blerë tokë gjatë luftës me paratë e popullit”, e akuzonte kushëririn e tij Samiun, që sipas tij ato para ishin mbledhur për luftë.

“5-6 javë pas ofensivës ku Drenica ka qenë në mjerim, që nuk kanë pas njerëzia, as strehim, as ushqim edhe nuk e di qysh ka mujt me i shku mendja dikujt me ble tokë”, kishte thënë Nuredin Lushtaku në Kanal 10.

Këto akuza dhe raportet tjera, bën që sot Sami Lushtaku të mosreagonte fare për rastin, duke thënë thjesht se, për incidentin kishte dëgjuar në media.

Ngjarja gati fatale

Dy policë raportohet se janë plagosur pas mesnatës në Skenderaj, njëri me armë, e tjetri me mjete të forta.

Në sulm janë përfshirë, përveç djalit të tij, i cili është ende në kërkim, edhe vëllezërit e tij.

Incidenti filloi, pasi djali i Nuredin Lushtakut nuk ishte pajtuar me gjobën e policëve, dhe e thërret në telefon babain e tij, të cilët si duket organizohen dhe dalin në vendngjarje, për t’i ndëshkuar policët.

Nga raportimet, që të dy policët janë jashtë rrezikut për jetë. Njëri polic është plagosur në këmbë dhe tjetri ka plagë në kokë, nga mjetet e forta.

Ky rast shpjegon edhe motivet tjera të sulmeve dhe rrezikshmërinë e njerëzve të tillë.

Po ashtu edhe karakterin e tyre, se si për një gjobë trafiku janë në gjendje, duke u thirrur në emër të luftës, që jo vetëm të mos paguajnë ndëshkimin, por t’i rrahin e plagosin ata që mbrojnë ligjin!

Pasuria e Nuredin Lushtakut, sipas raportimi të “Bota sot”, edhe sipas asaj të deklaruarës i kalon mbi 1 milionë euro, duke përfshirë një shtëpi, banesë, tokë, truall e kontrollim teknik të automjeteve. Ai e ka edhe një veturë “Mercedes”, 30 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat