Kush mund ta arrestonte në Kosovë Thaçin, Veselin, Rexhepin.... / Turp për veteranin Lushtaku apo për drejtësinë?!

Aktuale

Kush mund ta arrestonte në Kosovë Thaçin, Veselin, Rexhepin.... / Turp për veteranin Lushtaku apo për drejtësinë?!

Nga: Idriz Morina Më: 3 korrik 2022 Në ora: 19:02

A po e kuptoni pse nuk janë plotësuar kushtet për heqjen e vizave?

Apo e kuptoni sa larg ndërtimit të shtetit ligjor jemi?

Nuk e paguan gjobën e policisë për shkelje të rregullave, e thirr babain, e ai i thirr vëllezërit e vet dhe me ngadalë i sulmojnë policinë, kinse janë të frustruar se po u bëhet e padrejtë.

Mbi të gjitha sepse babai i të dënuarit për shkelje rregullash në trafik, ka qenë komandant lufte, e ai e ka çliruar Kosovën, dhe ‘bythen e policit’. Por, ja që të paktën edhe njëri prej tyre, paska qëlluar çlirimtar, por jo injorant, që beson se ai na e solli lirinë, dhe se ata që e kanë bërë këtë, nuk duhet t’ia din për shtet! Përkundrazi ai u ndesh, me veteranin e vërtetë, atë që e don dhe respekton shtetin në çdo vend dhe në çdo kohë (kështu po tingëllon aktualisht, nëse nuk dalin të dhëna befasuese negative edhe për policët)!

Lëre se e plagosin policin dhe tjetrin e zhdëpin dru e ia çajnë kokën, çka ndodhë pastaj është më e tmerrshmja!

Dështimi i shtetit ligjor!

Prokurori dhe gjykatësi i lirojnë dy të dyshuarit, ndërsa deklarojnë se vazhdojnë t’i ndjekin dy të tjerët, nip e axhë!

Edhe kjo nuk është e gjitha.

Pak ditë më parë Këshilli Prokurorial i Kosovës jo vetëm e kundërshtoi zbatimin e Ligjit të ri për këtë organ (KPK-në), duke e kundërshtuar ligjërisht, por ju bëri thirrje anëtarëve të tij (prokurorëve) që të mos e zbatojnë, që i bie me këtë edhe prokuroritë të mos e zbatojnë.

Po ky Këshill, si Roja kryesore e shtetit (ligjor) i bëri thirrje edhe ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, që ta bojkotojnë takimin e thirrur nga Ministrja e Drejtësisë, por ai nuk iu bind asaj thirrje arbitrare.

Por, kur ata kanë guxim të bëjnë thirrje të tilla publike kryengritëse, për padëgjueshmëri ndaj shtetit, tek kush e kanë mbështetjen? Rojet e shtetit kundër shtetit!

Dihet mbështetja për sjellje arbitrare vjen pikërisht nga njerëzit që sillen me forcë si Lushtaku, kundër rendit dhe ligjit. Pra, mbështetja e vetme janë tek ata që e shkelin arbitrarisht ligjin ose që e kanë shkelur që nga paslufta e deri më sot, në interes personal apo të grupit, dhe gjithnjë në kurriz të shtetit ose të shtendërtimit.

Prandaj duket se gjatë kësaj jave çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja. Ajo ishte promotori i emërimeve të njerëzve të saj në Këshill Prokurorial, e në Prokurori, e po ashtu në Këshill Gjyqësior e në gjykata, dhe në institucionet vartëse, duke krijuar kështu ambient arbitrariteti në drejtësi.

Nga drejtësia arbitrare mund të përfitojnë lehtësisht bosët e krimit, dhe ata në këso rrethana janë të paprekshëm nga drejtësia. Drejtësia arrin vetëm ndaj të pafuqishmëve.

Image
Nuredin Lushtaku

Kush do të guxonte t’i arrestonte pra klanin “Pronto”

Kush mund ta merrte me mend në Kosovë, se drejtësia, do të mund ta arrestonte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Ramush e Daut Haradinajn, etj. Kush mund ta arrestonte Thaçin dhe të tjerët përveç gjykatës speciale?! A e kupton sot, Glauku dhe të tjerët se sa gabojnë me këta njerëz duke ua falur krimet dhe duke i himnizuar e paraqitur si viktima, se nuk ajo gjykatë nuk ka një kontrollë? Dmth, ju e doni kontrollin ndaj Prokurorisë dhe gjykatës si ndaj rastit Lushtakut, që në fakt janë me qindra, me mijëra në këto vite.

E kush guxoi ta arrestonte pra klanin “Pronto”. E kush guxonte t’i dënonte.

Edhe ata që i kishte arrestuar EULEX-i, të gjithë dolën thuajse të pafajshëm, si Sami Lushtaku, Fatmir Limaj e të tjerë.

Prandaj, BE-ja e din se ne nuk kemi shtet ligjor efikas, sepse e njeh hollësisht si frymon dhe punon policia hetuese, prokuroria e gjykata, nëpërmjet misionit që ajo e kishte me rol kryesor EULEX-i, por edhe tani si prani e lehtë, si dhe nëpërmjet shërbimeve inteligjente.

Dhe ky është sistemi që PDK-ja don ta mbarojë me çdo kusht, por që fatkeqësisht e çuditërisht i ndihmon në këtë proces LDK-ja, më saktë një grup brenda saj, që i nënshtrohen ende figurave të PDK-së, dhe që e kanë frikën për veti nga zbatimi i ligjit.

Figurat kryesore që janë sjellë në mënyrë arbitrare, në luftë dhe pas lufte ishin dhe janë në PDK, por edhe në AAK, ndërsa një pjesë që iu nënshtruan këtyre janë edhe në VV e në LDK, këta të fundit kryesisht pas nënshtrimit të shkaktuar nga raportet me SHIK-un.

Ata nuk e kanë pranuar shtetin ligjor, madje as vetë shtetin, Republikën e Kosovës, themelimin e të cilës e kujtuam dje në 32 vjetorin e saj. Nuk e pranuan as Shtetin Paralel të krijuar në bazë të atij Kuvendi që e shpalli Republikën dhe bazuar mbi ato akte, që mundësuan krijimin e Kushtetutës së re e njohur si e Kaçanikut, e cila e shënon 32 vjetorin në shtator. Mbi këto baza u mbajt referendumi për Pavarësi i viti 1991 dhe më 1992 u mbajtën zgjedhjet e para Presidenciale e për Kuvend.

Por, këta nuk e njohën, dhe nuk e pranuan në mënyrë të veçantë Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, sepse ai ishte pjesa e vetme e sistemit shtetëror që funksiononte në mënyrë të plotë në planin e jashtëm, por bazuar në rendin e pranuar moralisht, edhe brenda Kosovës.

Këta, pra që e mohonin Presidencën, Kuvendin, dhe varësisht nëse qeveria u jepte para mjaftueshëm apo jo, e pranonin ose e refuzonin atë.

Pas luftës në emër të propagandës se ata ishin çlirimtarët e Kosovës, pra një grup i njëjtë, manipulonte me turmën dhe në vitin 2004 e kallën Kosovën nëpërmjet trazirave të marsit! Që nga atëherë Kosova edhe pse u bë e pavarur nuk e konsolidoi dot shtetësinë duke u hequr zvarrë nëpër bisedime, ku po të njëjtit radikal që e akuzonin Rugovën për tradhtar, i bën të gjitha lëshimet që Rugova ua kishte bërë të qartë se nuk duhej të bëheshin, në decentralizim e në trashëgimi.

Image
Ramush Haradinaj, i paprekshëm nga drejtësia në Kosovë

I kujt është turpi, pra?

Kjo nuk u mjaftoi këtyre grupeve, duke pranuar një Projektrezolutë të BE-së, që ishte kundër interesit të Kosovës, dhe në kundërshtim të plotë me vendimin e GJND-së, e cila me miratimin në Asamblenë e Përgjithshme, i hapi rrugë bisedave të pafundme në Bruksel.

Për ta dëmtuar më tej çështjen bëri marrëveshje të dëmshme për Asociacionin dhe Demarkacionin.

Kjo sjellje arbitrare, që nuk pyeste për ligj dhe Kushtetutë të vendit e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës Hashim Thaçin dhe klikën e tij.

Edhe ata apo ato, që bërtitën nga ky klan ‘turp Nuredin Lushtaku’, nuk u thanë turp, prokurorëve dhe gjykatësve, që e liruan ata. Sa për turpin, kjo klikë, e ndarë apo e bashkuar, kanë më shumë se 20 vjet, që bukën e hanë me të!

Kanë krijuar një sistem shëndetësor të dështuar dhe në kufijtë e krimit, një sistem arsimor të dështuar, për drejtësinë u morë vesh, dhe një mendësi e shoqëri, lavdëron marrëzinë, mashtrimin e krimin, dhe që gënjeshtrën e ka kthyer në dashuri!

Ku mbetën ata që deri dje të vrisnin për një fjalë goje – kritikë për veteranin, pse sot nuk kërkojnë gjykim, arrestim për veteranin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat