Edi Rama duhet të arrestohet sikurse ‘komandantët’ në Kosovë / Vjedhja e shtetit, droga, vrasjet... kërkojnë ndëshkim

Aktuale

Edi Rama duhet të arrestohet sikurse ‘komandantët’ në Kosovë / Vjedhja e shtetit, droga, vrasjet... kërkojnë ndëshkim

Nga: Idriz Morina Më: 5 korrik 2022 Në ora: 19:12
Edi Rama duhet të arrestohet sikurse ‘komandantët’ në Kosovë / Vjedhja e shtetit, droga, vrasjet... kërkojnë ndëshkim

Edi Rama nuk duhet të lihet më i qetë asnjë çast derisa t’i dorëzohet drejtësisë.

Shqipëria e ka një problem të madh të ngjashëm me Kosovën. Derisa në Kosovë problemi u krijua nga propaganda dhe madhërimi i luftës së disa komandantëve, të cilët meqë o nuk kishin luftuar seriozisht, o nuk kishin marrë pjesë në fronte, ose nuk kishin regjistruar asnjë sukses serioz, u vërsulën me propagandë, para, vrasje, kërcënime shantazhe, ndaj të gjithë atyre që e flisnin të vërtetën ose nuk ua pranonin autoritetin.

Paprekshmëria e "komandantëve"

Në mungesë të shtetit shqiptar, ndërkombëtarët, të fuqishmit e UNMIK-ut, zgjodhën që t’i kishin apo t’i mbanin si partner këta, sepse ata ua gjetën ‘pikatë e dobëta’ u ofronin para dhe vajza, ndërsa ndaj atyre më kryelartë, u jepnin shembuj frikësimi dhe ankthi, duke i ekzekutuar kryesisht njerëzit e LDK-së!

Fuqia e tyre u rrit aq shumë sa kur u bë shteti i pavarur, ata tashmë ishin mbi shtetin, mbi ligjin, mbi Kushtetutën! Kjo situatë do të vazhdonte gjatë sikur, amerikanët dhe shtetet perëndimore që ndihmuan në krijimin e shtetit të Kosovës, nuk vendosën, që të krijohej një gjykatë jashtë kontrollit dhe mundësisë së emërimeve nga institucionet e Kosovës!

Gjykata speciale, filloi para më shumë se 19 muajve, me arrestimin e disa ish krerëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, vrasjen e kundërshtarëve politik.

Si rrjedhim, vetëm pas gati 20 muajsh, u bë e mundur, që një ‘komandant’ i këtij grupacioni, edhe pse nuk akuzohet për krime lufte apo vrasje politike, por për shkelje të rënda ligjore, të arrestohej.

Madje edhe arrestimi dhe dënimi me paraburgim 30 ditor ndodhi, vetëm pas një presioni të madh 24 orësh të opinionit publik, kur u ndryshua qasja, nga lënia e lirë e tij, u kthye në paraburgim.

Në Shqipëri u pasuruan kryesisht njerëzit e lidhur me ish-pushtetin komunist. Madje shumë prej tyre u pasuruan edhe duke u shërbyer grupit të të fortëve të Kosovës, të cilët në kohë lufte kishin qindra miliona nëpër duar, dhe i konsideronin si pasuri të tyre private, ani pse ato ishin para të dhuruara nga shqiptarët për t’u përdorur në luftë kundër forcave shtetërore serbe!

Ky pasurim i madh i paligjshëm, ndërhyrja e shërbimeve të huaja armiqësore, dhe dalja e vendit nga një regjim që i kishte varfëruar e tjetërsuar një pjesë të madhe të shqiptarëve, krijoi gjendje të paligjshmërive të vazhdueshme.

Politikanë të korruptuar, vjedhës në tenderë dhe në forma të tjera të buxhetit të shtetit, janë kthyer në pengesa serioze të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Për pasojë kurba e krimit ka njohur vetëm rritje rapide madje, vrasje, plagosje, krime makabre, pa zgjedhur apo pa u kufizuar në shënjestra.

Pasuritë në emër të personave të dytë dhe të tretë

Pasuritë e tyre, sikurse të fuqishmit në Kosovë, i kanë bartur në emër të personave të dytë dhe të tretë për humbje gjurmësh, pasi kanë pranuar të krijohen institucione ‘fantazma’ të kontrollit të pasurisë.

Sipas denoncimeve të bëra në mediat e Shqipërisë, rezultojnë së paku dy pleq që kanë qarkulluar miliona euro pasuri, pronar biznesesh, ndërsa jetojnë në varfëri, sepse ato para si kanë parë kurrë me sy.

Kështu ka rezultuar të jetë Thanas Çani, që tani po shquhet si “Tano Karidi i Brakës” në Tiranë, i cili edhe pse 90 vjeçar është pronar i kompanisë “Lumi 06” dhe “Sopotonia”. Ai sipas hetimeve paraprake nga mediat është kushëriri i ish-ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknurit, njëherit koordinator i PS-së në Elbasan.

Image
Ministri Damian Gjiknuri i akuzuar për përfshirje në skandal

Më e habitshmja është se plaku Thanas jetonte në fshatin Kudhës të Vlorës, por ka disa vite që dikush e ka sjellur në një banesë, që ndodhet në katin e tretë, të një pallati, njoftojnë mediat në Shqipëri.

Mediat shkruajnë se ai zotëron miliona euro, por sipas tyre, dyshohet se është përdorur nga kushëriri i tij shumë më i ri, Damiani, i cili llogaritet si numri 2 i Qeverisë.

Nëse Thanasi nuk flet (dëshmon) është e vështirë që ai të dënohet, në moshën e thyer që ka.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe më plaken Haxhire Gurakuqi gati, e cila sa s’ka mbushur 90 vjet, e intervistuar nga Panorama.

Për dallim nga Thanasi, kjo thotë hapur se jeton prej më se 20 vjetësh me qira në Laprakë. Por, pas tërmetit “dola në rrugë”, thoshte ajo për media. “Më pas, një i Bashkisë që e kam mik më futi këtu në azil dhe paguaj me pensionin. Kam 2 vite e gjysmë që jetoj këtu. Paguaj të gjithë pensionin”.

Por, ajo ende nuk ishte në dijeni se është ‘milionere’. “Lëre se kur erdhën këtu e më thanë që gjoja jam me kompani u thashë që mos u tallni me mua, se nuk jam bërë, se deri më tani kam jetuar korrekt. Ata duhet të kenë gjetur pasaportën. Unë pasaportën e kam dorëzuar në Laprakë. Por, s’më vjen ndërmend ku e kam bërë”, thotë ajo, duke lënë vend për dyshim se dikush i ka falsifikuar të dhënat e saja.

Ajo nga mediat e kuptoi se është pronare e dy kompanive: “KOLECI 2003” dhe “LUMI 06”! Sipas saj, mashtrimin mund t’ia kenë bërë dy të rinjë duke i kërkuar të nënshkruajë dokumente të “prokurorisë”.

“I kam shkruar dhe Edi Ramës, por s’më ka kthyer përgjigje”, thoshte ajo për mediat në Shqipëri.

Sipas saj, as dy kompanitë që janë ‘pronë’ e saj nuk e ndihmojnë, por “vetëm disa shoqe”. “Ato më japin ndonjë Lek kur vijnë të më takojnë”.

Pra, vetëm këto dy raste zbulojnë edhe njëherë mënyrën se si funksionon krimi në Shqipëri, fshehja e pasurisë në emër të personave të dytë e të tretë;

Ushtrimi i rrejshëm i kontrollit nga institucionet e kontrollit,

Dhe pastrimin e dosjeve nga policë hetues dhe prokuror, dhe shfajësimin në gjykata për shkelje procedurale e të tjera.

Të gjitha agjencitë kontrollohen nga njerëzit e tyre, sikurse edhe institucionet e drejtësisë. E vetmja shpresë e vakët është SPAK-u, por siç po shihet është i ndikuar nga interesat politike.

Gjenocidi grek i kryer brenda Shqipërisë londineze

Për sa vepra kriminale dhe antishtetërore dhe antikushtetuese tashmë i ka konsumuar Edi Rama do të duhej të ishte në burg, apo më së paku një i detyruar për dorëheqje për shkeljet e rënda.

Një tjetër deklasim politik Ramës, edhe pse kryeministër iu bë nga ministri i Jashtëm grek Niko Dendias, para disa jave kur ishte në Shqipëri.

Rama ‘kokëfortë’, arrogant e kryelartë me shqiptarët, nuk guxoi fare t’i kundërvihet Dendiasit, i cili edhe e poshtëroi atë, pavarësisht që e shkeli protokollon e shtetit duke i kërkuar, që Shqipëria të mos e mendojë fare çështjen çame. Ndërsa, Rama i premtoi që çështjen e detit të mos e refuzonte Shqipëria, por Greqia të priste derisa të zgjidhej presidenti i ri, sepse çështjen e kishte bllokuar Meta.

Image
Pamje nga masakrat greke ndaj shqiptarëve

Por, nuk është vetëm gjenocidi çam, të cilin jo vetëm duhet kujtuar, por për të cilin duhet kërkuar llogari, është edhe gjenocidi grek i kryer brenda Shqipërisë londineze në vitin 1914.

Sipas historianëve, Greqia shkatërroi 250 fshatra, i dëboi nga shtëpitë e tyre 100 mijë veta. Shkatërrimet u bënë në 11 zona nga Korça, Devolli, Gora, Kolonja, Leskoviku, Përmeti, Frashëri, Skrapari, Tepelena, Kurveleshi e deri tek Gjirokastra.

Rreth një mijë shqiptarë u masakruan nga andartët e “Batalionit të Shenjtë” grek. Sipas të dhënave të kohës, foshnjat hidheshin në puse, grave shtatzëna ua hiqnin me thika foshnjat e gjalla nga barku, ua çanin trupin me bajoneta për së gjalli, thernin fëmijë. Shumë shqiptarëve të vrarë, ua prenin kokat dhe ia hidhnin në humnera. Fëmijët ua thernin nënave në sy të tyre.

Ndërsa, pasi ua dogjën me qindra e mijëra shtëpi, ua morën edhe gjënë e gjallë.

Por, siç rrëfen edhe në intervista ministri i Jashtëm grek, nuk ekziston çështja çame, dhe se për këtë, sipas tij është pajtuar plotësisht Edi Rama. Dhe Shqipëria është pajtuar që as mos t’ia kujtojë ndonjë prej gjenocideve që i ka kryer Greqia në Shqipëri apo ndaj shqiptarëve autokton në Greqi.

A nuk janë këto vepra tradhti kombëtare, shkelje të rënda kushtetuese, që më së paku duhet të përfundojnë me dorëheqje?!

Ndoshta do të thoni Jo, sepse Rama është kalorës i “Ortodoksisë”, greko-serbo-ruse!

Por, për krimet ekonomike qindramilionëshe kur do të fillojë llogaridhënia, pa ia njohu asnjë atribut, që çon në shkelje të ligjit dhe barazisë!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat