Bojku: Presidenti Meta nuk e harroi sakrificën e djemve që e dhanë jetën për liri

Aktuale

Bojku: Presidenti Meta nuk e harroi sakrificën e djemve që e dhanë jetën për liri

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 18:10
Ismet Bojku

Ismet Bojku, axha i dëshmorit Shpëtim Bojku, ka thënë se janë të nderuar me veprimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka ndarë dekorata për tri familje kosovare bijtë e të cilave kanë rënë dëshmorë në luftën e vitit 1998/1999 në Kosovë.

Ai, në Info Magazine, ka theksuar se medaljet janë ndarë edhe për familjarët e dëshmorëve Ahmet Gjikolli dhe Jusuf Kelmendi.

“Kjo është një shenjë mirënjohjeje e falënderojmë presidentin Ilir Meta dhe presidencën, i falënderojmë po ashtu edhe ata të gjithë që janë marrë me këtë takim dhe ndarje të dekoratave”,ka thënë Bojku.

“Jemi më të fortë edhe pas 23-vjetëve sakrifica e djemve tanë nuk harrohet pasi dhanë jetën për liri. Dua të kujtoj deklaratën e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, i cili ka thënë se ‘Luftën e fituam, tani duhet ta fitoni lirinë”.

“I bëj një apel rinisë së vendit, lufta e fituar nuk ka mbaruar kështu që nuk duhet ta lëshojmë vendin dhe ta braktisim dhe të dalim jashtë. Ata duhet të qëndrojnë këtu dhe me aktivitet më të madh ekonomik duhet ta ngritim Kosovën në atë nivel që e meriton dhe që duhet me qenë”,ka thënë Bojku.

Ceremonia e nderimit u bë para shumë anëtarëve të këtyre tri familjeve pejane në pallatin presidencial në Tiranë.

Dhënia e këtyre dekoratave nga presidenti Meta vjen pak ditë para dorëzimit të detyrës si kryetar shteti që do të jetë më 24 korrik, derisa para kësaj do të zhvilloj edhe vizitën e fundit zyrtare në Republikën e Kosovës, gjatë javës së ardhshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat