“Si me lidhë gjarpnin n’brez!”/ Iu ‘vërsulen’ pas kritikave ndaj Abdixhikut – Lajçi ka një pyetje për Kurtin

Aktuale

“Si me lidhë gjarpnin n’brez!”/ Iu ‘vërsulen’ pas kritikave ndaj Abdixhikut – Lajçi ka një pyetje për Kurtin

Nga: A.M. Më: 17 korrik 2022 Në ora: 09:44
Çun Lajçi

Shkrimtari Çun Lajçi ka publikuar dje një shkrim në rrjetin e tij social Facebook për Lumir Abdixhikun, ku ndër të tjera “ndihmojeni ket çunak, se gjumi s’po e merr, prej marakut për Albinin!”.

Pas këtij postimi, Lajçi siç duket ka marrë kritika të shumta, ku vendosi sërish të reagojë në Facebook dhe t’i drejtohet Kurtit me disa pyetje.

Ai tha se me shkru për kryeministrin Kurti “asht njisoj si me lidhë gjarpnin n'brez, e me ecë vezëve të tij”.

“Dje, pa sherr i luta ta ndihmojnë nji çunak, që ka dëshirë t'jetë si Abeli, e ty t'ka therrë n'sy, por të gjithë u varen n'bishtin tim t'kandarit, e boça m'ra n'gishtin e madh t'kambës, e mbeta pa thua, si kali pa patkoj!”, u shpreh Lajçi, përcjell “Bota sot”.

Derisa, kryeministrit iu drejtua me pyetjen "Aman! A je Abeli, Kaini a Albini. Cili je?"

Postimi i plotë

Aman! A je Abeli, Kaini a Albini. Cili je?

Cili je ti kaçurreli i viteve 90-ta? Ti këmishëbardhi që t'zvarrisnin rrugëve t'Velanisë, me nji tufë studentësh nga mbrapa!

Ibrahimi rrinte n'kodër, me dorën mbi vetulla, tue i kullua zemra dhimbje, për studentët e rebeluem, me nji rektor plak n'ballë!

Cili je ti flokë dredhani me duert e thyeme që s'të dilte ofshama as gjama!

Kaini?

Fausti apo Mefisto?

Emnin s'po ta shkruej, se njimijë e nji, m'kacavaren n'bishtin e kandarit e m'thehet boça, pa e mat burrninë time e qëndresën tande!

A je ai që ishe, apo je ky që po t'gjasojnë me Samsonin, flokë premë, nga nji Dalilë norvege, që s'po ka forcë mu përballë me Vuçiqët e Serbisë! Apo, je Mefisto që dredhë e zhdredhë, e Faustët e Parlamentit s'ti kuptojnë shenjat, rrugëve dardane.

Me shkrua për ty, asht njisoj si me lidhë gjarpnin n'brez, e me ecë vezëve të tij! Kush s'tafrohet e kurrë vetëm nuk mbesësh, se Mefistot vriten me Kainët e Abelit i mbesin fajet!

Aman cili je, që po m'shajnë sa herë po ta shkruej emnin, e s'po m'lanë as me t'vra as me t'falë!

Unë Samsonin e deshta e Dalilës kurrë s'iu frigova, se flokë s'pata si ti, me mi pre e me ma marrë fuqinë. Zotat me deshtën edhe qeros, ani se ua rrëzova kullat e rrenave, mashtruesve qe mundoheshin me kafshua ujkun, n'pyllin e dendun!

Dje, pa sherr i luta ta ndihmojnë nji çunak, që ka dëshirë t'jetë si Abeli, e ty t'ka therrë n'sy, por të gjithë u varen n'bishtin tim t'kandarit, e boça m'ra n'gishtin e madh t'kambës, e mbeta pa thua, si kali pa patkoj!

Emnin ma thuej të Vellusha, kur t'frynë era e kur gjethet e plepave t'shushurisin, që mos të zgjohen Kainët e Kuvendit me i thirrë Mefistofelët, me tërfurqët e hekurit, se jam i lig nga zemra, e s'muj mu futë n'kanalin e Prishtefkës!

Nëse je ai kaçurreli i viteve 90-ta, mos e harro Ibrahimin që t'shikonte nga kodrat e Velanisë, pa fuqinë e Samsonit me të ndihmu!

As anglishtën e brisht mos e harro, se ajo t'pruni deri këtu!

Aman! A je Abeli, Kaini a Albini. Cili je?

Shengjin, 17.07.2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat