Adem Ukëhaxhaj, tri ditë para vrasjes u përplas me Shtabin e Dukagjinit, në shtëpinë e Faton Mehmetit / Autopsia do ta hiqte dyshimin

Aktuale

Adem Ukëhaxhaj, tri ditë para vrasjes u përplas me Shtabin e Dukagjinit, në shtëpinë e Faton Mehmetit / Autopsia do ta hiqte dyshimin

Nga: Idriz Morina Më: 18 korrik 2022 Në ora: 16:32
Eprori ushtarak Rrustem Tetaj

Në pjesën e parë të shkrimit për eprorin ushtarak Adem Ukëhaxhaj, janë dhënë detaje për organizimin, detyrat që mori ai nga ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, me qëllim të organizimit të luftës në mënyrë profesionale dhe institucionale, brenda mundësive të Kosovës. Si rezultat, të paktën njëri nga bashkëbiseduesit, i cili ka pasur rastin të marshojë, luftojë nën urdhrat e tij, shpreh dyshimin se Ademi duke qenë shumë virtuoz për nga përgatitja profesionale është shumë e vështirë të besohet që u thjesht u vra, pavarësisht që kishte luftime atë ditë.

Për ta vlerësuar më shumë këtë situatë dhe vetë angazhimin e Ademit në luftë, kemi biseduar edhe me eprorin ushtarak Rrustem Tetaj, i cili e ka njohur që para luftës, por edhe ka bashkëpunuar me të gjatë luftës.

Ademi ishte pjesë e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes edhe para luftës

Njohjen e parë Rrustemi me Ademin, e kishte shumë vite para luftës, kur Tetaj kishte rënë në burg, si pjesa e rrjetit të organizimit ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

“Me Ademin jemi njohur shumë kohë para lufte, sepse me axhën e tij kemi qenë në burg. Së bashku jemi dënuar nga pushteti okupues i Serbisë. Me të ndjerin Ibrahim Ukëhaxhën, gjatë vitit 1993 na kanë arrestuar dhe na kanë dënuar, mua me 5 vjet burg, e Ibrahimin 4 vjet, për shkak se kemi punuar së bashku për Ministrin e Mbrojtjes, me detyra për komunën e Deçanit. Ai kishte njohuri pasi shumë vjet përpara ishte i angazhuar në mbrojtjen territoriale në nivel komune, prandaj ishte një organizator i mirë dhe njohës i mobilizimit të Mbrojtjes Territoriale”, thotë eprori Tetaj, që në ushtri të rregullt e ka pasur gradën e kapitenit të klasit të parë.

Tetaj, thotë se Ademin e kishte angazhuar po ashtu në veprimtarinë e mbrojtjes në Kosovë, duke e ditur përgatitjen e tij ushtarake.

“Ademin e kisha angazhuar po me ato detyra, veçse ishte me akademi ushtarake dhe njohës i artit ushtarak. Ishte shumë ma i ri dhe i përgatitur ushtarakisht”, e kujton sot Tetaj, i cili në Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, ishte i emëruar komandant Artilerie, sipas të cilës detyrë duhej ta kishte një gradë shumë më të lartë se asaj, që e kishte pasur dikur.

Pas disa viteve, këta dy do të ritakoheshin, jo më në një përpjekje organizimi për të ardhmen, por për të vepruar drejtpërdrejt në luftë.

“Ma vonë na u dha edhe shansi ta kemi fatin e organizimit të UÇK-së së bashku. Pas sulmit të Gllogjanit u radhitëm së bashku në të njëjtin rresht ushtarak, që njohurit tona akademike ti shprehnim në praktikë”, thotë ai.

Sipas Tetajt, aso kohe ishin vetëm pesë epror ushtarak të përfshirë në organizim, atyre javëve. “Në organizimin e parë të UÇK-së ishim vetëm 5 oficer me akademi ushtarake, për çka edhe popullata kishte besim tek ne. Ata pesë veta ishim: unë, Ademi, i ndjeri Skender Rexhametaj, Gani Xhukaj dhe Shemsedin Çekaj”, thotë majori Tetaj.

Ai nuk e ka harruar pas më shumë se 24 vjetëve takimin e fundit me kapitenin Ukëhaxhaj.

“Për herën e mbramë kur jemi takue ishte dy apo tri ditë pa e vrarë. Kemi hëngër bukë në sofrën time, me nënën time, shoqen dhe djemtë e mi”, thotë Tetaj, duke e kujtuar se çfarë kishin biseduar ato momente.

“Jemi konsultuar me të sepse ai kishte disa javë që kishte ardhur nga Shqipëria, ku i kishte marr disa detyra dhe i ishin dhënë disa premtime për furnizimin me armë dhe gjëra tjera për ushtarët tonë, nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga vet ministri Ahmet Krasniqi, me seli në Tiranë”, thotë ai.

Ai thotë se kapiteni Ademi ishte përplot energji dhe shpresa për luftë.

“E kishin bindur se me formacione të armatosura, do të vinin brigadat e ushtrisë të Forcave të Armatosura, dhe të plotësuara me oficerë të Shqipërisë. Për atë ishte përplot energji dhe entuziazëm, se do ta kishim mbështetjen prej tyre. Por, ashtu kurrë nuk ndodhi”, thotë Tetaj.

Përplasja

Një moment tjetër shumë më delikat ai e kujton në këtë bisedë.

“Ajo që më së shumti më ra në sy asokohe, nja tri ditë para se Ademi të binte dëshmor, ishte një takim që e kishim me Ramush Haradinajn në Pozhar, në shtëpinë e Faton Mehmetajt”, rrëfen ai.

Image
Ramush Haradinaj

Gjatë vazhdimit të debatit, eprori Ademi duke ua kujtuar të pranishmëve se ai e përfaqësonte organizimin ushtarak, ata që mbështesnin organizimin jashtë institucional, po e kundërshtonin, aq sa fillon një përplasje.

“Aty folëm gjer e gjatë për organizimin e pikave dhe shtabeve në nivel fshati dhe për ngritjen e ushtarëve e të moralit të luftës ndaj popullatës së pambrojtur. Ademi ishte ma me zë, e theksonte Ministrinë e Mbrojtjes e dikujt, aty nuk ua kojke. Disa herë ia kam tërheq vërejtjen Ademit, se ishte ma i ri. Aty ndodhi një përplasje me diskutime. Prej atij takimi e morën në sy të keq, si oficer i njësive të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura që në fakt ishim”, thotë Tetaj.

Pavarësisht që ishte një luftë e ashpër, mospajtimet po ndodhnin, pasi e majta po e refuzonte organizimin institucional.

Për të hequr dyshimet se si dhe nga kush është vrarë ai, Tetaj mendon, se trupit të Ukëhaxhajt, duhet t’i bëhet autopsia.

“Pas dy apo tri dite Ademi u vra duke e mbrojtur vijën e parë. Por, sot e asaj dite ekziston dyshimi i vrasjes, si nga armiku (Serbia) apo nga armiku i brendshëm kjo duhet të sqarohet nga organet dhe t’i bëhet autopsia dhe ta zbardhin rastin”, thotë ai.

Tetaj thotë se lajmin e mori vesh kur ai ndodhej në fshatin Loxhë. “Atje ishim duke çelur istikame dhe e bënin përforcimin e pikës, te “Kryqi i Loxhes” dhe tek fshati Gorazhdec, që ishte i banuar me serb vendas dhe paramilitar serb”, rrëfen Tetaj.

Ai thotë se këtë e mori vesh kah mesi i ditës dhe menjëherë ishte kthyer për të marr vesh se cili ishte fati i Ademit. “Vazhdova në drejtimin e fshatit Pozhar. Atje më thanë që është dr. Arif Berisha, i cili ishte një humanist, që shëroi shumë ushtarë dhe fëmijë pa asnjë cent. Më tha që ishte rast i rënd dhe e kishte drejtuar për në ambulancën e Irzniqit ku ishte spitali ushtarak. Aty ishte mjeku dr.Haki Shehu dhe shumë të tjerë, të cilët e kishin shtie në dhomë, i kishin marr të gjitha masat, por ishte në pyetje mungesa e mjeteve. Më shumë nuk kishin mundësi”.

Ai e përshkruan gjendjen emocionale të atij stafi që e takoi aty. “Kur kam arritur aty unë për me marrë vesh për fatin e Ademit, më kanë prit një staf i spitalit. Aty ishte edhe dr. Selmon Berisha ku shumica prej tyre ia nisën me qajt. -Ju thashë ka vdekur a? - Thanë jo! - Ani, ju thashë. Më thanë: nuk po qajmë për të, por po qajmë për ty, se ai shkoi sot, e nesër ti, më thanë, nga emocionet”.

“Ah vajza vogël”!

Më pas ai thotë se i mblodhi energjitë, dhe ju dha kurajo të gjithëve. “U bona i fort dhe ju thash lufta këto i ka, duhet të jemi një dhe të fortë. Pastaj u takova me dr. Haki Shehun dhe jemi futur në dhomën ku ishte i shtrirë Ademi. Ia pa varrën dhe plumbi e kishte goditur nga ana e djathtë dhe ishte vdekjeprurës, por ai ishte akoma gjallë. U ndamë nga ai, dhe fjalën e fundit ma tha: “Ah vajza vogël”!”, rrëfen Tetaj.

Ai ishte interesuar nëse kishte ndonjë mundësi, që ta shpëtonin. Por, tashmë dukej se gjithçka ishte shumë vonë.

“Me dr.Hakiun biseduam për mundësinë se çka mund të bënim më tutje, por ishte shumë vonë. Trajtimi në spital si dhe dhënia e ndihmës së parë në ato kushte ishte shumë e shpejtë, profesionale dhe me të gjitha mundësitë dhe mjetet në dispozicion. Ishin ato rrethana e kushte të luftës, por aq ishin mundësitë!”, thotë eprori Tetaj, i cili edhe sot i përgëzon mjekët, stafin e asaj kohe, që sipas tij, ishin ‘në nivel dhe të mobilizuar’!

“Çdo gjë ishte në funksion dhe në kushte lufte, por morali mjekësor, i popullit dhe ushtarëve në atë kohë ishte i lartë. Kishte një disiplinë dhe mbështetje në popullatën e pa mbrojtur. Furnizimin me mjete mjekësorë e bënte shoqata “Nënë Tereza” nga Peja. I përgëzoj”, thotë Tetaj.

Image
Familja dhe zyrtarë të LDK-së duke e nderuar figurën e Adem Ukëhaxhajt

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat