Kundër-kandidatja reagon sërish për punësimin e gruas së deputetit në UP

Aktuale

Kundër-kandidatja reagon sërish për punësimin e gruas së deputetit në UP

Më: 19 korrik 2022 Në ora: 15:32
Iliriana Blakaj

Iliriana Blakaj, kandidatja për doktoratë në Universitetin e Oxfordit e cila kishte aplikuar për pozitën në të cilën u rekrutua gruaja e Fitim Ukës në UP, ka reaguar përsëri për të bërë një sqarim.

Blakaj ka thënë se nuk beson se e meriton një vend në UP vetëm sepse ka studiuar në Oxford.

Por, Blakaj tha se kritika e saj ka qenë për rregulloren dhe praktikat në përzgjedhjen e kandidatëve. Ajo u sigurua që suksesin e saj t’ia atribuojë me merita edhe stafit akademik të UP-së.

Reagimi i plotë i Ilirjana Blakaj:

Po e bëj një sqarim edhe pse mendoj se në statusin e fundit kam qenë shumë e qartë dhe mjaft e kujdesshme në mënyrën se si jam shprehë.

Unë nuk mendoj se e meritoj një vend në UP sepse kam studiu “jashtë” apo në Oxford. Unë jam studente e departamentit të Antropologjisë në UP, kështuqë çdo sukses i imi pasardhës është edhe meritë e stafit akademik të këtij departamenti, me të cilët unë kam pasë gjithmonë raporte të shkëlqyeshme dhe të cilët vazhdoj t’i respektoj. Prandaj, unë nuk i jam drejtu askujt specifikisht në status sepse nuk dyshoj tek profesionalizmi i askujt në departament.

Unë as nuk jam shprehë se kundërkandidatët e tjerë nuk e meritojnë atë pozitë sepse nuk kanë studiu “jashtë”, por jam shprehë se përvoja ime në “fushën përkatëse” është më e gjatë, dhe se për dallim nga kundërkandidatët tjerë, jam PhD kandidate- ka qëllu në Oxford, por njejtë do të duhej të kishte përparësi ndaj të tjerëve edhe sikur të ishte në UP.

Megjithatë, asnjëherë nuk kam pretendu se të tjerët që kanë apliku për pozitën e njejtë janë më pak të aftë në çfarëdo mënyre.

Unë e kam kritiku Rregulloren dhe praktikat në fuqi për përzgjedhjen e kandidatëve. Kam dashtë me hapë bashkëbisedim në lidhje me këtë çështje. Kam paraqitë ankesë siç e kërkon procedura, dhe vazhdoj të besoj që është debat shumë i nevojshëm, pamarrë parasysh përfundimin e këtij procesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat