Një lajm shumë pozitiv për Shqipërinë më në fund erdhi, pasi u tejkalua edhe ‘vetoja’ bullgare, ajo nënshkroi marrëveshjen për fillimin e anëtarësimit në BE, përkatësisht të negociimit.
Vetoja ndaj Maqedonisë së veriut u hoq, por Shkupi mori përsipër zotimin për përmbushjen e detyrimeve ndaj pakicës bullgare, regjistrimin e saktë dhe ndryshimin e Kushtetutës për të sistemuar në nivelin më të lartë të drejtat e pakicës bullgare.
Kjo situatë mund të çojë në një rrethanë paradoksale, ku një pakicë që nuk evidentohej në Kushtetutë as në regjistrim të popullsisë, të fitojë të drejta më shumë se sa shqiptarët, numri i të cilëve vazhdimisht shtypet, në dobi që të mbetet shumicë, mbi 50% ajo sllavomaqedonase. Por, në një regjistrim të lirë e të plotë, shqiptarët do të dalin nëse jo dominues së paku të barabartë. Dhe suksesi më i madh do të ishte, nëse arrihet që një pjesë të shqiptarëve ortodoks t’i rikthejnë në identitetin origjinar, shqiptar.
Ndërkohë, që pakica bullgare fitoi, nga ky proces, as shqiptarët në Maqedoni dhe as në Kosovë, tash për tash nuk mund të presin, asgjë derisa në Shqipëri qeveris Edi Rama. Pavarësisht që Shqipëria udhëhoqi OSBE-në, tani është anëtare e Këshillit të Përkohshëm të Sigurimit të OKB-së, ende asgjë nuk ka ndodhur, asnjë lehtësi për Kosovën. Madje as vizat nuk na u hoqën!
Trysni ndaj Kosovës
Por, derisa aktivisti austriak Gynter Felinger, shtron dilemën nëse Serbia po bie në fashizëm, Edi Rama, dhe të gjithë mbështetësit e Serbisë, trysninë e kthejnë ndaj Kosovës, institucionet tona.
Ajo që bëri jehonë nga kjo ceremoni përtej pritshmërive, ishin fjalët e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili, duke e ditur qëndrimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, se është në favor të Serbisë, kërkoi nga ai, që të ‘ndihmojë’ në arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Shqipëria gjithashtu ka qenë një zë moderues në një rajon të kompleksuar, duke ndihmuar edhe në dialogun Beograd-Prishtinë dhe vazhdoj të mbështetem te ju për këtë. Shqipëria ka dhënë një shembull për fqinjësinë e mirë dhe ky rol do të jetë edhe më i rëndësishëm derisa ju vazhdoni rrugën drejt BE-së”. Pra, kjo një kërkesë e hapur për presion ndaj Kosovës, sepse Rama, veçanërisht pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, nuk ka bërë asgjë tjetër në raport me Serbinë, përveçse e ka mbrojtur me tërë qenien e tij, dhe mundësitë si kryeministër i Shqipërisë, që ajo të mos shihet si fajtore.
Pra, Borell evidenton dy gjëra të politikës së Ramës, se ishte “një zë moderues në dialogun Kosovë-Serbi”, pra që e ka shtyrë Kosovën drejt marrëveshjeve me Serbinë, pavarësisht se çka humbnin e çka fitonin shqiptarët. Dhe e dyta, “shembull për fqinjësinë e mirë”!
Që të dyja argumentojnë se qeveritë Rama, nuk shquhen pra me asgjë për Kosovën, përveç se ka moderuar, në këtë rast në favor të Serbisë, madje edhe në përpjekjen fatale për ndarje të Kosovës. Dhe pavarësisht se si është sjellur dhe sillet Serbia në raport me Kosovën, Shqipëria e Ramës është indiferente, sepse më e rëndësishme për të është sipas traditës së Shqipërisë komuniste, ‘ruajtja e fqinjësisë’ me jugosllavët!
Represive ndaj shqiptarëve
A nuk është koha që Serbia të shihet me të gjitha mëkatet e saja, që nga themelimi i saj si principatë e më pas mbretëri dhe deri më sot?
A ka një periudhë Serbia, kur nuk ka pasur një program të shfarosjes së shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë ish-Jugosllavinë dhe në vetë Shqipërinë?!
Dhe pyetja kryesore kush kanë qenë mbështetësit e atij programi?
Padyshim që vendi kyç, ka qenë Rusia, ndaj të cilës sot Serbia, pavarësisht çfarëdo trysnie perëndimore nuk e ka ndërmend t’i vendosë sanksione. Përkundrazi ajo, edhe më keq veproi, kur vendosi, që të lejojë (licencoj për operim) në Serbi një televizion rus të propagandës së Putinit.
Ndaj kësaj ka reaguar më qartë, eurodeputetja raportuese për Kosovën dhe Serbinë, Viola von Cramon, e cila thekson se ‘është dukshëm më e rrezikshme t’u ofrohet ndihmë aktive përfaqësuesve rusë në përhapjen e propagandës, sesa mos vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë’.
Aktivisti austriak, mjaft i popullarizuar tek ne, Gynter Felinger që merret kryesisht me vendet që nuk janë të anëtarësuara në BE, shtron dilemën serioze për shtetin serb, nëse ky vend po shkon drejt fashizmit. “Serbia po bie në fashizëm?”, ka shkruar sot në tviter ai.
Krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve janë prej dy shekujsh. Fashizmin që e përmend Filinger, më së miri e konfirmon fakti se Serbia po ua humb të drejtën e shtetësisë, dhe me këtë edhe të pronave të tyre, shqiptarëve atje. Po ashtu ajo përdor të gjithë mekanizmat e mundshëm represiv që shqiptarëve t’ua bëjë të pamundur jetën atje.
Pra, trysnia duhet të drejtohet seriozisht ndaj Serbisë!
Shpopullimi
Ndërkohë, që Shqipëria e nënshkroi marrëveshjen me BE-në për hapjen e negociatave, shpopullimi në Shqipëri ka arritur kulmin. Nga 3.29 milionë banorë sa kishte arritur kulmin në vitin 1989/1990, popullsia ka rënë në 2.87, dhe atë fal një numri të shtuar nga popullsitë aziatike, Siri, Afganistan, Iran etj.
Nuk është vetëm tkurrja për mbi 400 mijë banorë për afër 13%, por humbja e shtimit të mundshëm, që do ta kishte çuar Shqipërinë në më shumë se 4.5 milionë banorë, dhe në rastin më të mirë në 5 milionë, dhe do të ishte kthyer në një fuqi ekonomike ballkanike.
Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet që janë zbrazur më së shumti, përkundër natalitetit që e kishin ndoshta më të lartin në rajon. Pra, gjënë më të përbashkët sot e kemi, shpopullimin, sikur të ishte një projekt i përbashkët ndërqeveritar, për ta ulur praninë e shqiptarëve në tokat autoktone!