Kuvendi miraton buxhetin për vitin 2023

Aktuale

Kuvendi miraton buxhetin për vitin 2023

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 07:03 Përditësuar në ora: 19:47 më 15.12.2022
Kuvendi i Republikës së Kosovës

​Kuvendi miraton buxhetin për vitin 2023

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për buxhetin për vitin 2023.

Pro buxhetit për vitin 2023 votuan 65 deputetë të mazhorancës, ndërsa deputetët opozitarë u përmbajtën nga votimi.

Kuvendi që nga mëngjesi ka shqyrtuar një nga një 97 amendamente për buxhetin për vitin 2023, shumica prej tyre nuk kanë marrë dritën e gjelbër nga shumica parlamentare. Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3.2 miliardë euro.

Kuvendi në seancën e sotme miratoi në parim edhe Projektligjin për kodin penal.

​Projektligji për paga dhe zyrtarët publikë shqyrtohen në Kuvend më 22 dhjetor

Kuvendi i Kosovës me 63 vota për ka miratuar mocionin për shmangien nga afatet procedurale të parapara për Projektligjin për paga dhe atë për zyrtarët publikë, pa përkrahjen e opozitës. Kësisoj, dy projektligjet do të shqyrtohen në lexim të dytë të enjten e 22 dhjetorit.

Duke arsyetuar mocionin, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se qëllimi është që dy projektligjet të miratohet gjatë vitit 2022, ndërsa pagat me koeficientet e rinj të dalin në shkurt të vitit 2023.

Kusari-Lila: Kërkojmë votimin e mocionit për shmangie të afatit procedural

“Ne deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën për shmangie nga afatet procedurale të përcaktuar me rregulloren e Kuvendit në mënyrë që të caktohen afatet e reja për shqyrtim të dytë të projektligjeve... I tërë ky propozim është që t’i japim mundësi administratës shtetërore që në afat të mirëfilltë dhe sipas kërkesës së punëtorëve shtetëror të procedohen pagat deri në muajin shkurt 2023 me koeficientet e rinj”, tha ajo.

Këtë mocion e kundërshtuan partitë opozitare në Kuvend.

​S’ka kuorum për votimin e Projektligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis

Kuvendi i Kosovës, s’ka pasur kuorum për të hedhur në votim Projektligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Në momentin e votimit, prezentë në sallën plenare ishte vetëm 57 deputetët e mazhorancës, pasi deputetët e partive opozitare u larguan nga salla.

Kësisoj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri të ditur se Kuvendi do të shkojë në pauzë deri në orën 16:30 për të vazhduar me votimin e kësaj pike dhe më pastaj shqyrtimin e buxhetit për vitin 2023.

​Kuvendi s’dyfishon buxhetin për rrugën Prishtinë-Podujevë

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar amendamentin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni për dyfishimin e buxhetit për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Deputeti i mazhorancës, në seancën e sotme ku po shqyrtohet në lexim të dytë buxheti për vitin 2023, tha se në kodet buxhetore për rrugën Prishtinë-Podujevë duhet të shtohen edhe gjashtë milionë euro.

Dyfishimi i buxhetit për këtë rrugë, Hyseni tha se është domosdoshmëri për qytetarët në atë pjesë.

Hyseni: Të dyfishohet buxheti për rrugën Prishtinë-Podujevë

“Projekti ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, të shtohet shuma prej gjashtë milionë euro, shumës aktuale që është planifikuar në buxhetin për vitin 2023. Pra të dyfishohet dhe të kemi 12 milionë euro gjithsej për këtë projekt”, tha ai.

Megjithatë, këtë amendament nuk e mbështetën bashkëpartiakët e Hysenit në Grupin Parlamentar të LVV-së, përveç shtatë deputetëve që janë nga rajoni i Podujevës. Ndërkaq, partitë opozitare u shprehën pro tij.

Derisa i paraqiti rezultatet e votimit të këtij amendamenti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ky propozim nuk kalon për gjysmë vote.

Konjufca: Ky propozim nuk kalon për gjysmë vote

“Për gjysmë vote nuk kalon, 75 deputetë kanë votuar, 37 për, 34 kundër, katër kanë abstenuar. S’kalon amendamenti 28”, deklaroi ai.

Amendament të ngjashëm për dyfishimin e buxhetit për rrugën Prishtinë-Podujevë paraqiti edhe deputeti i PDK-së, Isak Shabani.

Peci i ashpër me Musliun: Keni hy në pushtet me panla e keni dalë milionerë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci i ka reaguar deputetes së PDK-së Ganimete Musliu e cila tha se presidentja Vjosa Osmani do të mbahet mend që hyri në presidencë me “100 kilogramë dhe do të dalë nga aty me 50-të”

Ministri Peci  është shprehur se deputetja Musliu ka përdorë gjuhë bullizuese ndaj presidentes teksa i thotë asaj: “Ti vetë ke qenë viktimë e këtij diskursi, ndaj Gane e dashur, përmbahu, sepse i fyeri të fyen!”.

Peci ka thënë se partia e deputetes Musliu  është “majmur duke e shfrytëzu Kosovën si plaçkë lufte”.

Reagimi i tij i plotë:

Gane, kilogramë për kilogramë, ti dhe partia jote jeni majmur duke e shfrytëzu Kosovën si plaçkë lufte. Milionat që keni ba ju nuk peshojnë me kg, por me okë. Keni hy në pushtet me panla e keni dalë milionerë. Keni hy të lodhtë e keni dalë të fuqishëm në mënyrë të frikshme. Kur keni hy as biçikleta nuk keni pasë, sot voziteni me marka veturash nga trendet që shihen në TV.

Ky diskursi yt është diskurs i partisë, në fakt. Prej shprehjes “ma hangsh…”, e deri te fymjet të natyrave të tjera, janë bërë pjesë e “gjuhës parlamentare”, nga ti dhe bashkëpartiakët.

Bullizmi që ti e përdorë në raport me Presidenten e vendit është veç shpërfaqje e Ganes së vërtetë. Ti je kjo realja konform gjuhës që e përdorë. Ti vetë ke qenë viktimë e këtij diskursi, ndaj Gane e dashur, përmbahu, sepse i fyeri të fyen!

Për fund, po ta sjell në vëmendjen tuaj një thënie të mikes së madhe të Kosovës, ish-sekretares Albright: Ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk i mbështesin gratë!

​LDK paralajmëron se Buxheti mund të përfundojë në Kushtetuese, Konjufca: ‘Ngadalë, ngadalë’, që ka thënë ai

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) është kundër projektbuxhetit 2023, madje kjo parti pret që ky projektligj të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë shqyrtimit në lexim të dytë Deputeti nga LDK, Avdullah Hoti tha se projektligji për buxhetin ka disa anomali substanciale dhe është anti kushtetues, duke iu referuar tërheqjes së disa mjeteve vetanake të komunës së Prishtinës.

Deputeti Hoti ka kritikuar p ashtu se në buxhetin 2023 nuk janë përfshirë premtimet e partisë në pushtet, në këtë rast Vetëvendosjes.

Hoti: Qeveria nuk don as me reflektuar as me dëgjuar

“Ajo që është kërkuar për këtë buxhet, është evidentim i premtimeve të juaja me I reflektuar në buxhet. As atë se keni bërë. Ne kemi pritë që gjatë dy leximeve t’ i reflektojmë disa anomali substanciale që i ka projektligji. Duke filluar nga e para, projektligji në nenin e caktuar është të pjesës tekstuale është qartë antikushtetues. I kemi dhënë argumentet tona në komision, ke e ka bërë një analizë zyra ligjore e kuvendit, ministri nuk ka dashur as me reflektuar. Madje, as nuk e ka mbrojtur që ky nuk është kundër kushtetues. Dhe sot kuvendi mund ta votojë një ligj që mund të përfundojë direkt në Gjykatën Kushtetuese. Sepse nuk është e mundur që të hyrat nga mjetet vetanake në Prishtinë nga tatimi në pronë që mblidhen në “Dardani” e “Ulpianë”, ato mjetet me i dërguar për një rrugë ta zëmë në Mitrovicë ose në Gjilan. Krejt argumentet janë kundër këtij neni, ndërsa qeveria nuk donë as me reflektuar as me dëgjuar. Kështu që s’ka si me ia dhënë mbështetjen një projektligji të tillë”, tha ai.

Ndaj ish-kryeministrit Hoti ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca. Kryetari i Kuvendit, kërkoi të mos ketë nguti, sepse siç tha ai mund të arrihen do kompromise të mira për këtë buxhet.

Konjufca: Pse po nguteni bre? Ngadalë, ngadalë, që ka thënë ai

“Mund të arrihen do kompromise të mira për këtë buxhet me dashtë. Pse po nguteni bre? “Ngadalë, ngadalë, që ka thënë ai”, është shprehur Konjufca.

Hoti ka repikuar ndaj Konjufcës, ku tha se nuk bën të komentohen diskutimet e deputetëve.

Hoti: Nuk është detyra e juaj me i komentu diskutimet e deputetëve

“Besoj që është edhe detyra e juaja sot me i çuar këto përpara, e jo me I komentuar diskutimet e deputetëve”, tha ai.

Ish-ministri i Financave, Hoti ka kritikuar qeverinë edhe për ndarjen e mjeteve sipas tij jo të drejtë për projektet kapitale.

Në projektligjin për buxhet janë propozuar 97 amendamente. 10 prej tyre janë të Komisionit funksional, 82 janë të propozuara nga deputetët, por pa përkrahjen e Komisionit funksional dhe 5 amendamente të komisioneve tjera parlamentare.

​Kuvendi “shpëton” mjetet vetanake të komunave

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro-amandamentit që parasheh heqjen e nenit me të cilin mjetet vetanake të pashpenzuara të komunave të kalonin në llogarinë e shtetit.

Me projektbuxhetin i vitit 2023, të propozuar nga Qeveria, parashihej që mjetet vetanake të kalonin në arkën e shtetit por me propozimin e LDK-së dhe mbështetjen e pozitës, kjo është korrigjuar sot gjatë shqyrtimit në lexim të dytë. Pro këtij ndryshimi ishin 94 deputetë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në seancën ku po shqyrtohet buxheti për vitin 2023, ka thënë se ata si grup parlamentar propozojnë të hiqet fjalia e nenit 9 që të gjitha mjetet e pashpenzuara vetanake para vitit 2022, dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë Fondit Kosovar.

Sipas tij, kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim për Ligjin për Financat për pushtetin Lokal.

Gashi: Do ta dërgojmë në Kushtetuese

“Të hyrat vetanake janë të hyra që mbledhin nga komunat dhe në bazë të Ligjit për vetëqeverisjen lokale, i cili derivon drejtpërdrejt nga Karta Evropiane e vetëqeverisjes lokale e cila është e transfozuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dalin obligime për autonominë lokale, sidomos në aspektin buxhetor, prandaj vlerësojmë se nëse nuk kalon ky amendament do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ne si grup parlamentar do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese“, tha ai.

Lidhur me këtë ka dhënë sqarim ministri i Financave, Hekuran Murati.

Murati: Nuk shkelim Kushtetutën

“Bëhet fjalë për një fjali në një paragraf i cili as nuk është në kundërshtim me Kushtetutën sepse neni i Kushtetutës thotë se komunat kanë të drejt të mbledhin, të shpenzojnë të hyra vetanake, dhe të pranojnë buxhet nga Qeveria, asnjëherë kjo e drejt nuk cenohet nga kjo fjali, pra komunat kanë të drejt të mbledhin dhe t’i shpenzojnë ato por ajo bëhet në kuadër të ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësit, i cili thotë se të hyrat vetanake të mbledhura barten në vitin vijues, ra nga viti aktual bartën në vitin vijues“, tha ai.

Sipas tij, janë 100 milionë euro të pashpenzuara të komunave të cilat bartën nga viti në vit dhe ky është keqmenaxhim i parasë publike që e kanë bërë komunat dhe duhet të vijë një moment që ky problem të rregullohet.

Sërish ka reaguar deputeti Gashi duke thënë se qeveria po vepron me logjiken institucionale dhe primitive.

Gashi: Gjykata Kushtetuese do të vendos

“Është Gjykata ajo që e vendos, ne i kemi pretendimet vlerësojmë që cenon në mënyrë të drejtpërdrejt ligjin për vetqeverisje lokale, ligjin për financat lokale, kartën evropiane të vetqeverisjes lokale dhe mbanë mend kartën evropiane të vetqeverisjes lokale se do ta keni në raportet ndërkombëtare për Kosovën dhe për pasojë Kushtetutën e Kosovës sepse ajo është e përfshirë në Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.

Në mbështetje të Qeverisë ka dal edhe deputeti i VV-së, Armend Muja, duke thënë se nuk beson që duhet t’i bartin mjetet vit pas viti por duhet t’i japin kohë komunave që të përshtaten me provizionet e reja.

Muja: T’i japin kohë komunave

“Nuk beson në asnjë interpretim që duhet t’i bartin mjetet vit pas viti por besoj që mbi benzen e rekomandimeve të auditorit, duhet t’i japin kohë komunave që të përshtaten me provizionet e reja”, tha ai

Deputeti i VV-së i del sërish kundër partisë

Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, ka votuar ndryshe partisë së tij në kuvend.

Ai e ka votuar amendamentin e propozuar nga deputeti i PDK-së, Isak Shabani, për ndarjen e mjeteve buxhetore për ndërtimin e depos qendrore të barnave.

Pro këtij amandameni kanë votuar deputetët e PDK-së e LDK-së ndërsa kundër kanë qenë partia në pushtet VV-ja.

Megjithatë ky amandament i deputetit, Shabani nuk ka kaluar.

​Konjufca qorton administratën e kuvendit, ia huqin numrin e votave të deputetëve

Gjatë shqyrtimit në lexim të dytë të Projektbuxhetit për vitin 2023, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka qortuar administratën e kuvendit për numërim të votave.

Konjufca gjatë numërimit të votave të deputetëve për amendamentet e projektligjit, nuk arriti të kishte numrin real të votave, dhe tha se nuk është mirë për administratën të ndodhë kjo.

Konjufca: Numëroni ju lutem, mos bëni kështu!

“A i morët votat pro sa janë, mirë I kemi votat pro. Kush është kundër këtij amendamenti? A s’i morët votat për a? Pse?

Këta që votuan ‘për’ të gjithë ulur ishin dhe shumë mirë ishin. Numëroni ju lutem, mos bëni kështu!”, tha ai.

Kalon amandamenti i propozuar nga LDK-ja për mjetet e pashpenzuara të komunave

Është miratuar amandamenti i propozuar nga Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, i cili kërkoi që të fshihet fjalia e paragrafit 6 të Nenit 9 të Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, që parasheh që mjetet vetanake të komunave që kanë mbetur pa shpenzuar, të barten në Fondin e Kosovës, në bilanc bankar.

Pro këtij amandamenti kanë votuar 95 deputetë, derisa një ka abstenuar.

Gashi tha se kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.

“Në bazë të rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i LDK’së ka propozuar amandamentim në tekstin e Ligjit. Në Nenin 9, paragrafi 6, propozojmë që të hiqet fjalia “të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiscal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit Kosovar në bilancin banker”. Kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, Ne e konsiderojmë se nëse mbetet në mënyrën e tillë, është dëmtim i jashtëzakonshëm i buxhetit lokal dhe është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

Ai paralajmëroi se nëse nuk kalon ky amandament, LDK’ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse nuk kalon ky amandament, ky projektligj do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ne si Grup Parlamentar do ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat