Fillon transformimi rrënjësor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, 2.1 milionë euro investime në shërbim të qytetarëve

Aktuale

Fillon transformimi rrënjësor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, 2.1 milionë euro investime në shërbim të qytetarëve

Më: 12 maj 2023 Në ora: 21:54
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot, Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia ka vizituar Klinikën e Onkologjisë në QKUK për të parë nga afër punimet të cilat kanë filluar lidhur me investimet që do ta transformojnë rrënjësisht këtë klinikë.

Gjatë kësaj vizite Ministri Vitia u prit nga drejtori, Dr. Ilir Kurtishi dhe stafi i Klinikës së Onkologjisë.

Me këtë rast, Ministri Vitia theksoi rëndësinë e investimeve të cilat kanë filluar në Klinikën e Onkologjisë, në vlerë të 2.1 milionë euro të parapara në infrastrukturë dhe aparaturë të avancuar.

Sipas ministrit Vitia, përkujdesi ndaj qytetarëve si dhe avancimi i shërbimeve shëndetësore janë gjithmonë prioritet i Ministrisë e Shëndetësisë.

“Tashmë është i gatshëm edhe projekti infrastrukturor i detajuar për sigurimin e kushteve me të favorshme për pacientët në Onkologji”, tha ministri Vitia.

Ai theksoi edhe rëndësinë e shtimit të kapaciteteve të resurseve humane për riorganizimi të dhënies së shërbimeve në dy ndërrime, ndërsa bashkërisht ne stafin diskutuan edhe për projektimin e decentralizimit të shërbimeve onkologjike me qëllim që qytetarët të kenë trajtime sa më dinjitoz.

Në këtë takim, ministri Vitia ritheksoi se Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për të ngritur cilësinë e shërbimeve dhe sigurimin e terapisë për pacientët në nevojë.

Aktualisht, furnizimi me barna për pacientët e Klinikës së Onkologjisë është 90%, ndërsa furnizimi me material shpenzues 85%. Është shtuar angazhimi që kjo përqindje të rritet dhe të plotësojë nevojat e pacientëve tanë. Veçanërisht, pas ndarjes më të lartë të buxhetit për Listën Esenciale të Barnave, i cili për herë të parë do të jetë 60 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat