Pas debateve të forta, përfundon seanca, rreth 8 orë diskutim për dialogun

Aktuale

Pas debateve të forta, përfundon seanca, rreth 8 orë diskutim për dialogun

Nga: Bota sot Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 07:29 Përditësuar në ora: 20:16 më 03.11.2023
Kuvendi i Kosovës

​Përfundon seanca, rreth 8 orë diskutim për dialogun

Pas rreth tetë orë diskutim në Kuvendin e Kosovës, ka përfunduar seanca plenare.

Në këtë seancë ishte ftuar kryeministri Albin Kurti për raportim në lidhje me takimin e fundit në Bruksel.

Partitë opozitare kanë kritikuar dhe akuzuar shefin e ekzekutivit se i njëjti ka pranuar asociacionin, që dikur e kundërshtonte.

Kryeministri Kurti duke iu përgjigjur deputetëve, ka thënë se nuk e ka pranuar draft statutin për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kurrë nuk do ta nënshkruajë draft-statutin, pasi ai do të duhej të jetë pako së bashku me marrëveshjen bazike dhe aneksin e zbatimit.

Pas deklarimeve të deputetëve të pozitës dhe opozitës, ka përfunduar seanca, ndërkohë që kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se për 11 pikat e mbetura do të caktohen për një seancë tjetër.

​Haxhiu: Hashimi në ballë të luftës, Albini me duar në xhepa i arrestuar prej Serbisë, reagon Konjufca

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu deklaroi se teksa Hashim Thaçi ishte në ballë të luftës, Albin Kurti kishte dezertuar dhe arrestuar nga Serbia. Për këtë deklaratë ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se është e papranueshme ofendimi i të burgosurve politikë. Më pas ka replikuar edhe kryeministri Kurti, i cili tha se Haxhiu është ndër deputetët e rrallë që “s’e ka huq asnjë votim të keq”.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se kryeministri Kurti po realizon interesat e Serbisë në Kosovë.

Haxhiu: Albini me duar në xhepa i arrestuar prej Serbisë

“Hashimi në ballë të luftës, Albini me duar në xhepa i arrestuar prej Serbisë edhe i dezertuar dhe i dorëzuar. Nuk desha t’ju them këtë, por pasi po e kërkoni po ju them... Vuçiq të shau, ti heshte, ai me 60 paramilitarë mercenarë me Radojiçiq të nënshtroi dhe të detyroi ta pranosh Zajednicën. Ne nuk jemi nënshtruar e as dorëzuar para Serbisë që i kishte 120 mijë ushtarë e paramilitarë. Prandaj e kemi fituar përkrahjen ndërkombëtare dhe e kemi fituar lirinë. Ky është dallimi mes neve dhe teje që e kërkove prej fillimit”, deklaroi ai.

Pas kësaj deklarate, reagoi kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se është e papranueshme që të ofendohen të burgosurit politikë.

Konjufca: Ishte e papranueshme se si i ofendoni të burgosurit politikë

“Ishte krejt e papranueshme zotëri Haxhiu se si i ofendoni të burgosurit politikë. Është terminologji e papranueshme se si i ofendove të burgosurit politikë. Jo, jo, çdo të burgosur politikë. Edhe kolegë, ki aty të tuat, pak marre duhet të të vijë prej asaj pune. A më kuptove çka të thashë?”, deklaroi ai.

Kryeministri Kurti tha se deputeti Haxhiu është ndër deputetët e rrallë që nuk e ka huq asnjë votim të keq.

Kurti: Je ndër deputetët e rrallë që s’ka votim të keq që s’e ke huq

“Më 27 qershor 2013 e keni votuar në këtë Kuvend zajednicën, më 3 gusht 2015 e keni votuar Gjykatën Speciale. Je ndër deputetët e rrallë që s’ka votim të keq që s’e ke huq”, përfundoi Kurti.

​Kastrati-Konjufcës: Thuaju të mos ulërijnë se nuk janë në ahur

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati gjatë deklarimit të tij i kërkoi kryeparlamentarit Glauk Konjufca t’ua tërheqë vërejtjen deputetëve të shumicës parlamentare, duke i thënë “ju lutem, u thuaj të mos ulërijnë, se nuk janë në ahur këta”.

Gjatë seancës së sotme plenare, ku është ftuar kryeministri Albin Kurti për raportim nga takimi i fundit në Bruksel, deputeti Kastrati kritikoi shefin e ekzekutivit ku tha se i njëjti nuk ka pronësi në draft-statutin e asociacionit.

Kastrati-Konjufcës: Thuaju të mos ulërijnë se nuk janë në ahur

“Dhe the më herët ata e kishin shkruar, për këtë draftin që po thua që nuk e kam pranuar. Kryetar ju lutem ju thua të mos ulërijnë se nuk janë në ahur këta.

Konjufca: Kujdes me fjalorin ju lutem.

Kastrati: Kjo tregon që ata e paskan shkruar dhe ti nuk e ke jep asnjë kontribut, asnjë germë nuk e qit aty. Do të thotë ti nuk ke pronësi. Kur ka pasur ekipe në Rambuje, ka pasur pronësi, kanë kontribuar këta tonët me ekspertizë për të shkruar aty dokumentin, kanë kontribuar në dokumentin e Vjenës për të shkruar dokument. Por këtu të shfajësoj, sepse kur e ke në ekip Bislimin dhe Gërvallën, vështirë është me qit ndonjë germë apo shkronjë aty në atë dokument. Në ata dy tipa duhet të gërmosh goxha thellë në trurin e tyre për të gjetur diçka të zgjuar apo të mençme”, deklaroi ai.

Kurti: Nuk jam pishman, kam bërë më të mirën që kam ditur e është dashtë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova është në avantazh pas 26 tetorit dhe takimit në margjinat e samitit të Këshillit Evropian, ku tha se aty realisht nuk ka pasur negociata, por takime bilaterale pa takim trelateral ku ai është ftuar nga krerët e BE-së dhe se beson  që gjëja më e përshtatshme të thuhet është përgjigjja pozitive dhe se beson që përmbyllja e asaj ditë e ka nxjerrë Kosovën më mirë se sa para se të shkonin, pra ishte avantazh.

Duek folur lidhur me draft statutin e pranuar në Bruksel, ai para deputetëve në Kuvendin e Kosovës vlerësoi se ka bërë më të mirën që ka ditur dhe që është dashur

Tutje shtoi se pa i luftuar strukturat kriminale terroriste në veri, nuk do të mund ta shohim as vullnetin e qartë te serbëve të Kosovës.

Kurti tutje para deputetëve në Kuvendin e Kosovës sqaroi se pse ai insiston në nënshkrim të draft statutit.

“Sepse me datën 9 shtator 2022 kur kanë ardhur 3 emisarët nga Evropa dhe e kanë sjellë draftin e parë të marrëveshjes bazike, ne krye të herës kanë qenë “contracting parties”, pra palët kontraktuese dhe aty ka qenë e qartë që në fund marrëveshja nënkupton nënshkrim”.

“Unë insistoj se ashtu është thënë në fillim. Kjo nuk është qasja ime, ka qenë qasja e ndërmjetësve. Prandaj nëse nënshkrimi është marrëveshje, e ne duam marrëveshje, le ta bëjmë nënshkrimin”.

Tutje kryeministri shtoi se arsyeja pse ai konsideron që kjo do të kishte qenë gabim, ta zënë në muajin maj ose qershor, është se në njërën anë ndërmjetësi e ka pranuar draft statutin e ndërmjetëses së Serbisë, i cili është edhe më keq se Republika Serbe.

“Atë draft statut e kanë pranuar ndërmjetësit. Nëse ne si Kosovë do të shkruanim një draft statut, atëherë për mu ka qenë shumë e qartë se ndërmjetësi ka tendencën ta gjejë mesataren dhe ajo mesatare do të ishte shumë e keqe për ne”.

“Atëherë Kosova, qeveria e posaçërisht unë do të vendoseshim në një kënd me komplet insistimin ndërkombëtar për një mesatare midis asaj që shkruajmë ne dhe asaj që tashmë e kishte shkruar Daniela Vujiçiq paradoksalisht në emër të Serbëve të Kosovës, ndërkohë që ishte deputete në Kuvendin e Serbisë. Unë nuk e kam dashur atë mesatare”.

“Ka qenë kurth për mua, jam i bindur për këtë gjë, edhe më shumë sot se sa në pranverë e verë, që po të kisha shkruar unë një draft statut, do të vinin me një mesatare aritmetikore midis Danijela Vujiçiqit dhe meje si kryeministër i Kosovës dhe kjo do të ishte shumë e dëmshme”.

“Unë kam insistuar në parime, në principe. Dhe tash emisarët kanë ardhur me një draft statut i cili njëmend i respekton këto principe, mirëpo unë prapë kam vërejtjet dhe kritikat e mia”, deklaroi Kurti.

Tutje ai shtoi se kurrë nuk e ka pranuar draft-statutin dhe se kurrë nuk do ta kishte nënshkruar draft-statutin, por se kur iu tha nga krerët evropianë se situata është urgjente dhe shansi është unik, ai tha se “prisni pak se marrëveshjen bazike, aneksin e zbatimit unë tashmë i kam pranuar. Nëse dëshironi një paketë, le ta bëjmë, dhe unë e pranoj si pjesë të pakos, ndonëse i kam dhënë vërejte, por vetëm si paketë, e jo të nxirret nga paketa”.

Sa i përket vetmenaxhimit të komunitetit serb, kryeministri shtoi se praktikisht është neni 7 ai që na shpëton nga neni 10 dhe se përveç se në nenin 10 thuhet që marrëveshjet e mëhershme që janë ligjërisht të detyrueshme dhe valide, neni 7 na shpëton se vetmenaxhimi. Do të thotë që nuk është vetadministrim, do të thotë që nuk është vetëqeverisje, qe nuk është vetëvendosje, është termi me i butë i mundshëm dhe shumë mirë që është ashtu.

“Unë kam thënë që marrëveshja bazike që unë e kam pranuar dhe pala tjetër ka refuzuar ta nënshkruajë, është njohje de-facto. Unë nuk kam thënë që nuk është de-jure, unë veç kam thënë që është njohje de-facto dhe besoj që është njohje de-facto”.

“Unë kam ofruar nënshkrimin e paketës. Po të më thoshin pranoje vetëm draft statutin, do të thosha jo. Por nuk më thanë! Ata nuk kërkuan prej meje që unë ta pranoj vetëm draft statutin. Unë draft statutin nuk do të mund ta pranoja. Po si pjesë e paketës kur të thonë krerët evropianë me mbështetje të ShBA-së se është urgjencë”.

Në fund ai vlerësoi se nuk do të ishte në këtë gjendje po të mos ishin disa dokumente të mëhershme.

“Por me këto mjete që kam, me këtë trashëgimi që më është lënë, për besë nuk jam pishman sepse kam bërë më të mirën që kam ditur e është dashtë”, përfundoi kryeministri Albin Kurti.

Tahiri: Kurti ka refuzuar ta arrestojë Radoiçiqin ndonëse e kishte në dorë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka refuzuar ta arrestojë kriminelin, Milan Radojçiq, ndonëse sipas tij e ka parë në kohë reale të armatosur në territorin e Kosovës.

Në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës, Tahiri ka thënë se Kurti ka ndaluar Policinë e Kosovës ta arrestojë Radojçiqin gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Tahiri: Kurti ka refuzuar ta arrestojë Radojçiqin ndonëse e kishte në dorë

“Ky kryeministër që në kohë reale e ka parë Radojçiqin në Republikën e Kosovës të armatosur me grup të armatosur dhe e ka ndaluar policinë e Kosovës ta arrestojë. Nuk ka dashur ta fusë në burgun personin të cilin e ka pasur në dorë. E ka parë në kohë reale, ka refuzuar ta arrestojë. Arsyet ne nuk i dimë, i di ky. Koha do ta shpjegojë”, tha ai.

Musliu – Shoshi ia lëshon Kurtit një fjalim të vitit 2011, ky e sugjeron që t’i gjejë të vitit 2006: Janë edhe ma t’forta

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, gjatë fjalës së saj në kuvend e ka lëshuar një fjalim të kryeministrit Albin Kurti, të cilin e ka bërë më 7 mars të vitit 2011 në kuvend.

Gjatë audios që Musliu – Shoshi e lëshoi në seancë, Kurti thoshte se nuk është problemi që bisedimet e paralajmëruar nuk kanë agjendë, por që agjenda e bisedimeve nuk është publike, duke aluduar se Kurti, tash si kryeministër po e mban të fshehtë draft-statutin për Asociacionin.

“Nuk do të ishte e mundur të thuhej që bisedimet nisin nesër, më 8 mars, sikur të mos dihej agjenda. Agjenda dihet, por nuk e dimë atë ne si qytetarë e si deputetë. Agjenda përcakton se cka është e negociueshme dhe cka është e panegociueshme”, ka thënë Kurti më 7 mars 2011, në audion e lëshuar nga Musliu – Shoshi.

Ndërsa, Kurti i replikoi deputetes së PDK-së, duke e sugjeruar që t’i gjej fjalimet e tij të viteve 2006 dhe 2007, pasi sipas tij, ato janë “hala më të forta”.

“Unë kam kundërshtuar edhe komunat mbi baza etnike që janë të Planit të Ahtisaarit, mirëpo kam marrë pjesë në zgjedhje në vitin 2010”.

“Kjo është trashëgimia juaj me të cilën mua më duhet të merrem, jo me dëshirë por me detyrë. Andaj, mos u ndal te fjalimet e vitit 2011, shiko ato 2006 dhe 2007, e pastaj e kupton krejt qysh është deshtë me qenë ndryshe arkitektura e shtet-ndërtimit demokratik dhe zhvillimi socioekonomik”, tha Kurti.

Më tej, Kurti i tha Musliu – Shoshit se i dëshiron “sukses në montimin e materialeve për filmin dokumentar”.

Enver Hoxhaj tregon çka po ndërton Albin Kurti në veri të Kosovës

Nënkryetari i Kosovës Enver Hoxhaj, në foltoren e Kuvendit në seancën raportuese të Kryeministrit Kurti për marrëveshjen e Asociacionit, tha se mesazhi që dha kryeministri është se do që ta mbajë të fshehtë marrëveshjen.

Hoxhaj tha se Kurti i ka thanë “Po” një dokumenti pa negocuar, pa përfitim për Kosovën dhe pa asnjë kusht, kurse tutje u shpreh se debati rreth nënshkrimit apo mos nënshkrimit është për t’i ikur Gjykatës Kushtetuese.

“Mesazhi që morëm sot nga kryeministri Kurti është se e ka pranuar marrëveshjen dhe do ta mbajë të fshehtë. A e keni menduar ju ndonjëherë se Albin Kurti sa ishte në opozitë ishte i parimeve dhe idealeve, dhe tani përfundon në një situatë ku është i fshehtë, dinak, idhnak, manipulues, dhe për t’ju vendosur hi syve qytetarëve të Kosovës. Këto janë taktika të manipulimit”.

“Nëse ky (Kurti) do të ishte burrështetas, sot do të thoshte ja e kam sjell draftin, shiheni draftin dhe lexojeni para se të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Do të duhej të thoshte se është i interesuar për konsensus të brendshëm politik, dhe me partnerët ndërkombëtar”, u shpreh tutje ish-ministri i jashtëm Envet Hoxhaj.

“Sot në Kuvend nuk e kemi vetëm një situatë të një mungese flagrante të transparencës që nuk e dijmë se çka ka pranuar, sot e kemi një situatë të një mungese flagrante të përgjegjësisë publike për fjalën e dhënë dhe për veprat e bëra. Na shprego kryeministër, se ju thatë që nuk është zajednicë, tash na trego a është autonomi, ajo që e ke nënshkruar?”, u shpreh Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së.

“Albin Kurti e ka përmbysë Ahtisarin në veri dhe tani mbi përmbysjen po e ndërton një autonomi. Sa t’i besojnë qytetarët e Kosovës fantazive politike të Albin Kurtit, ne do të flasim edhe më 2030 për temat e njejta”., tha Hoxhaj para deputetëve në Kuvend.

Kurti vazhdon polemikat me opozitën: Vuçiqi ju do fort juve, por ju s’jeni më

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk po e do Asociacionin e draftit të emisarëve të BE-së dhe ShBA-së.

Gjatë polemikave me opozitën, Kurti tha se Vuçiqi po e do vetëm marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015.

“Ai po thotë asgjë tjetër nuk pranojë, vetëm 2013 dhe 2015. Ai po iu lypë juve, pra s’po e do draft-statutin e emisarëve, ai po e do marrëveshjen me ju. Po thotë “ku janë ata, ata po i dua unë”. Ju do fort juve ai, por s’jeni ju më”.

“Tash jeni në opozitë, qeveria është tjetër fare, a juve po iu do. Aq shumë po iu do juve, saqë veç 2013 dhe 2015 thotë, asnjë tekst tjetër. Ky është realiteti i këtij konteksti politik”, tha Kurti.

Kurti iu përgjigj opozitës edhe për kërkesën për qasje në draft-statutin e propozuar nga emisarët, duke thënë se “qasje në dokument për ‘Zajednicën’ nuk mund të ketë pasi s’ka dokument për të”.

“Është e vërtetë që një ditë para se të nënshkruhej nga ish-kryeministri Mustafa, është një letër e Moghernit, dërguar ish-kryeministrit, ku thotë që s’do të ketë kompetenca ekzekutive. Ta marrësh atë letër, e megjithatë ta nënshkruash të nesërmen këtë, kjo e bën situatën e rëndë”.

“Jemi sot në një kontekst politik, ku vetë emisarët evropianë dhe amerikanë e kanë hequr atë “Zajednicën” e 26 gushtit të vitit 2015 dhe unë e kam forcuar letrën e Mogherinit, e cila ishte mbajtur e shtypur dhe është forcuar nënshkrimi i 26 gushtit të vitit 2015. Me punën tonë të suksesshme politike dhe diplomatike jemi kthyer në natën mes 24 dhe 25 gushtit të vitit 2015. Tjerat s’ia vlejnë”, tha Kurti.

Opozita ia kërkoi draftin, Kurti: Emisarët më thanë mos e shpalos, nëse ua tregoj i bie që s’jam i koordinuar me ta

Kryeministri Albin Kurti tha se është “në hall” me opozitën që po kërkojnë ta shohin draftin e Asociacionit.

Kurti tha se është kërkesë e emisarëve perëndimorë që të mos e zbulojë, duke thënë se është i koordinuar me ta.

“Unë e kuptoj kërkesën e juaj, që ta shihni draftin. Emisarët europianë dhe ata amerikanë mos me tregu draftin, tash a me koordinim a pa, qysh po doni se jam në hall me juve? Ata më thanë mos e bën publik, e kam ndarë me Presidenten sepse është shefja e shtetit.  Jam në koordinim të vazhdueshëm em amerikanët dhe europianët. Ata kanë kërkuar të mos e bëj publik, jam i korrdinuar me ta. Qysh po doni qysh me ja kallxu a me koordinim a pa koordinim. Për besë jam në hall me juve”.

Kurti u zotua se s’ka me qenë “Zajednicë” Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“S’ka me pasë Zajednicë”.

“Po i përgjërohesh Vuçiqit për nënshkrim” – Abazi me akuza të rënda për Kurtin

Akuza të rënda për kryeministrin e Kosovës, ka pasur deputeti Haki Abazi, në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Abazi tha se në të kaluarën Kurti i kishte quajtur kryeministrat e athershëm “serbofilë”, për shkak të pranimit të Asociaiconit, kurse tash sipas tij të njëjtën gjë e ka bërë edhe ai.

“Serbofil janë kryeministrat që pranojnë Asociacion. Cka je sot kryeministër, a je serbofil”, ishin fjalët e Abazit drejtuar Kurtit.

“Nuk do ketë Asociaicon me kompetenca ekzekutive apo pa kompetenca, monoetnike, cka është kjo, mos po flasim për komunitete tjera? Po flasim për një komunitet serb që është bërë mbi të gjithë dhe edhe mbi 95% të shqiptarëve, veriu është më I rëndësishëm por jugu është edhe më I rëndësishëm”, tha Abazi.

Abazi tutje tha se Kurti po i përgjërohet presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, për nënshkrim të marrëveshjes.

“Si ndodhi që Albin Kurti i cili ka thënë se asnjëherë nuk pranoj të nënshkruaj dokument për çështje të brendshme të Kosovës, me u përgjërua për një nënshkrim të Vuçiqit. Kjo është për retorikë, absolutisht për retorikë”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat