Dështon formimi i qeverisë Konjufca - Hapet rruga për zgjedhje të reja

Aktuale

Dështon formimi i qeverisë Konjufca - Hapet rruga për zgjedhje të reja

Më: 19 nëntor 2025 Në ora: 14:02 Përditësuar në ora: 16:05 më 19.11.2025
Glauk Konjufca

Murati akuzon partitë se janë “barrikaduar kundër Albin Kurtit”

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, akuzoi partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë, si dhe Listën Serbe se për 9 muaj “janë barrikaduar kundër Albin Kurtit”.

“Ata thanë që nuk duan të votojnë as buxhet dhe as marrëveshje ndërkombëtare pa Qeveri, por kur ju ofrua mundësia të votonin Qeverinë, përsëri e refuzuan. Opozitë e përbashkuar me një qëllim të vetëm: kundërshtimin e Albin Kurtit”, tha Murati, pas seancës për Qeverinë.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Krasniqi: Osmani të shpallë zgjedhjet sa më shpejt

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që sa më shpejt të shpallë datën e zgjedhjeve të reja “që të mos humbet kohë e vlefshme edhe më tej”.

“Zgjedhjet të shpallen menjëherë, sot apo nesër”, tha Krasniqi.

Ai tha se "e diela e parë brenda 30-ditëshit, afatit kushtetues" është koha për mbajtjen e zgjedhjeve, tha Krasniqi.

Ai e akuzoi LVV-në për situatën e krijuar, duke thënë se “janë humbur 9 muaj kohë” për shkak të bllokadave, vonesave dhe taktizimeve. / REL

Zemaj: LVV-ja mashtroi qytetarët duke thënë se i ka numrat

Pas përfundimit të seancës, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se LVV-ja “i mashtroi qytetarët” duke thënë se i ka numrat për krijimin e institucioneve të reja.

“LVV ka mashtruar qytetarët se i kanë numrat. Nga zgjedhjet e shkurtit kanë deklaruar se e kanë një shumicë”, tha ai.

Zemaj tha se tani vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Bëjmë thirrje për zgjedhje të lira, demokratike dhe pa ndërhyrje”, tha ai.

Konjufca dështon ta bëjë Qeverinë

Mandatari Glauk Konjufca ka dështuar që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, pasi ekzekutivi i prezantuar nga ai mori vetëm 56 vota për, 53 votuan kundër dhe katër abstenuan.

Me dështimin e dytë për formimin e ekzekutivit, hapet rruga për zgjedhje të reja.

Ismaili: Kurti ka marrë peng Konjufcën

Kosova ka hyrë në një mentalitet bllokues për shkak të Albin Kurtit, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili.

Ai në seancën për votimin e qeverisë së re, tha se nuk ka vota për Glauk Konjufcën kryeministër, derisa theksoi se po tentohet të zgjidhet si kryeministër si i marrë peng nga Albin Kurti, raporton KosovaPress.

Ismaili: Kurti ka marrë peng Konjufcën, Kosova e di se nuk do të ishte në realitet kryeministër

“Krejt çka i intereson zotërisë Kurti është se si me ia lënë fajin ish-opozitës. Prandaj kjo seancë është farsë me një kandidat që e dinë edhe vet që s’mundet të luajë rolin e kryeministrit edhe me i pas votat për qeveri. Si mundet me qenë dikush kandidat për kryeministër që ia vendos dikush tjetër emrat e ministrave dhe ai s’ka të drejtë me propozuar asnjë emër për ministër? Ky është tregues i mjaftueshëm se çfarë kandidati për kryeministër është. Po ashtu tregon se zotëri Konjufca është marrë peng dhe në krye të qeverisë propozohet dikush që krejt Kosova e dinë se nuk është kryeministër në realitet. Kërkohet vota e deputetëve me legjitimuar marrjen peng të zotëri Konjufcës... Vota e PDK-së do të jetë kundër, por po ashtu jemi të vetëdijshëm se kjo seancë nuk është për t’u zgjedhur kryeministri, por për t’u fajësuar ish-opozita”, tha ai.

Sipas Ismailit, Kurti e ka futur Kosovën në një mentalitet bllokues.

Ismaili: Kurti e ka futur Kosovën në një mentalitet bllokues

“Kosova ka hyrë në një mentalitet bllokues dhe arkitekt i këtij mentaliteti bllokues është zotëri Kurti. Është dëshpëruese me pa Kuvendin në këtë mentalitet bllokues se dhjetë muaj”, theksoi Ismaili.

Lista Serbe thotë se s'ka votë për Qeverinë Konjufca

Igor Simiq nga Lista Serbe akuzoi LVV-në se ka shkelur të gjitha "rregullat" gjatë qeverisjes, duke theksuar se partia që ka nëntë deputetë nuk do të votojë për Qeverinë Konjufca.

Abdixhiku: Kurti sheh dhe krijon vetëm kundërshtarë

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Kosova nën qeverisjen e Albin Kurtit të LVV-së nuk është udhëhequr nga arsyeja, duke e akuzuar Kurtin se “po krijon vetëm kundërshtarë".

“Kosova ka një kohë që po udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga një realitet paralel që e sheh Albin Kurti”, tha ai.

“Sikurse Don Kishoti i Servantesit, Albin Kurti i LVV-së, zgjohet çdo ditë, çdo mëngjes në një botë që e ka krijuar vetë dhe në atë botë Kurti sheh dhe krijon vetëm kundërshtarë”, shtoi Abdixhiku.

Ai tha se LVV-ja humbi 15 ditë kohë, pasi nuk ka vota për Qeverinë e Konjufcës, duke e cilësuar këtë seancë si "shfaqje teatrale".

Ismaili: As vet Konjufca s’e beson që mund të jetë kryeministër

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili thotë se jo vetëm qytetarët e Kosovës, por as VV e as Glauk Konjufca nuk besojnë se mandatari i propozuar mund të jetë me të vërtetë kryeministër, e Albin Kurti zëvendës i tij.

Gjatë fjalimit të tij në foltore, ai seancën e jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re, e quajti farsë.

“Sot jemi thirrur në një seancë që në thelb është e pakuptimtë, sepse rezultatet i dimë pothuajse të gjithë. Nuk ka njeri, as në VV e as në Kosovë, e fatkeqësisht as vet zotëri Konjufca beson se mund të jetë kryeministër i vërtetë, e zotëri Kurti zëvendës i tij”, tha Ismaili.

Kabineti i propozuar nga Konjufca: Kurti kryediplomat, Basha zëvendësohet me Bislimin

Mandatari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka prezantuar kabinetin qeveritar, që duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.

Ky është kabineti i prozuar:

Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albin Kurti

Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, Fikrim Damka

Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani

Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Besnik Bislimi

Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari

Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Veshall

Konjufca: Pa një Qeveri të re thellohet kriza në Kosovë

Konjufca tha se pa votimin e një Qeverie të re, vendi e ka të sigurt vetëm një gjë: thellimin e krizës.

“Me këtë Qeveri e kursejmë Kosovën nga dy palë zgjedhje eventuale. Do të ishte arrogancë ta çonim vendin tonë drejt në zgjedhje. Tash, nëse shkojmë në zgjedhje në dhjetor, kush do të na garantojë që do t’i shmangin ato edhe në mars?”, pyeti ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat