Selimi nga Haga: Qëndrojmë ballëhapur – kemi bërë luftë çlirimtare, presim lirimin
Bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipja ka folur para mediave pak para fillimit të seancës së sotme ku katërshja e UÇK-së do t’i thotë fjalët përfundimtare.
Ajo tha se Gjykata Speciale ka qenë e padrejtë që nga fillimi, dhe e njëjta po gjykon padrejtësisht luftën çlirimtare.
“Kjo gjykatë ka qenë e padrejtë që nga fillimi, që u themelua, dhe padrejtësisht po gjykon edhe luftën tonë. Ne si ushtarë qëndrojmë ballë hapur, sepse kemi bërë luftë çlirimtare dhe për këtë jam e bindur se edhe gjykatësit do ta shohin këtë”.
Ajo tregoi se me Rexhën ka biseduar edhe rreth kërkesës për burgim prej 45 vjetësh për secilin nga të akuzuarit.
“Kemi komunikuar dhe nuk është pritur gjë më mirë prej kësaj gjykate përveç dënimeve. Atë numër dënimesh nuk do ta pranoj gjykata, pres që ata të lirohen”, u shpreh ajo.
Interesim i madh për fjalët e fundit të katërshes së UÇK-së, dyert u hapën më herët sot
Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë sot fjalët e fundit në procesin gjyqësor i cili po zhvillohet në Hagë.
Për shkak të interesimit të madh për ta ndjekur seancën e sotme, dyert janë hapur që nga ora 08:15.
Familjarët e ish-krerëve të UÇK-së mbërrijnë në Hagë, marrin pjesë në seancën e sotme
Familjarët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbërritur para Gjykatës së Hagës, aty ku sot do t’i thonë fjalët përfundimtare Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit.
Atje kanë shkuar gruaja dhe djali i Kadri Veselit, gruaja dhe vëllezërit e Rexhep Selimit si dhe djali i Jakup Krasniqit.
Ndërkohë, ditë më parë në Hagë kanë arritur edhe vëllezërit e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Katërshja e UÇK-së thotë sot fjalët përfundimtare
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë tashmë në fazën vendimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Këtë të mërkurë pritet të dëgjohen fjalët e fundit nga përfaqësuesi i viktimave, replikat e mbrojtjes dhe në fund edhe deklarimet përmbyllëse të vetë katërshes së UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas Prokurorisë së Specializuar, lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, 1998–1999. Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, akuza të cilat ata i kanë mohuar vazhdimisht, duke u deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, në seancën përmbyllëse pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca.