Kurti kërkon kohë shtesë për bisedime, ndërpritet seanca konstituive

Aktuale

Kurti kërkon kohë shtesë për bisedime, ndërpritet seanca konstituive

Më: 6 gusht 2026 Në ora: 08:15 Përditësuar në ora: 16:28 më 06.08.2026
Kuvendi i Kosovës

Italia: Të gjitha partitë të angazhohen në dialog konstruktiv për themelimin e institucioneve

Ambasada e Italisë në Kosovë u bëri thirrje të gjitha partive në Kosovë që të angazhohen në “dialog konstruktiv” dhe të punojnë së bashku për themelimin e institucioneve të vendit.

Është përgjegjësi e përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës të arrijnë kompromis në mënyrë që të sigurohen që institucionet demokratike të funksionojnë në mënyrë efektive dhe të përmbushin pritjet e qytetarëve”, tha Ambasada në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

Thirrja e Romës vjen pasi seanca konstituive, e nisur paraditen e së enjtes, u shty me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti.

Kurti tha se duhet kohë shtesë që partitë të arrijnë ujdi për çështjen e presidentit, teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon mesnatën e 7 gushtit.

Zemaj paralajmëron krizë kushtetuese nëse tejkalohet afati 30-ditor

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Zemaj ka thënë se çdo interpretim tjetër apo shtyrje përtej këtij afati mund ta çojë vendin në krizë kushtetuese.

“Brenda 30 ditëve duhet që Kuvendi i Kosovës të jetë i konstituar, që nënkupton zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Çdo interpretim tjetër na fut në krizë kushtetuese, ose çdo shtyrje nga 30-ditëshi që nga data e certifikimit të rezultatit zgjedhor”, ka deklaruar Zemaj.

Ai ka thënë se, sipas interpretimit të tij, afati kushtetues përfundon gjatë ditës së sotme dhe ka shprehur shpresën se mund të ketë një lëvizje pozitive për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“E gjithë koha kushtetuese është në ditën e sotme sipas interpretimit dhe gjykimit tim. Nëse hyjmë në një fazë tjetër që nuk ka interpretim shtesë të vendimit të Kushtetueses ose nuk ka edhe sanksion, shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive”, tha ai.

I pyetur nëse LDK-ja është pjesë e një skenari për ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit, Zemaj tha se partia e tij nuk ka qenë e informuar për një gjë të tillë.

“Jo, ne nuk kemi qenë as të njoftuar, nuk kemi qenë as të informuar. Krejt çka ka rrjedhur e patët edhe vetë nga seanca kuvendore, ku ishte e pritshme vetëm deklarimi i emrit, sepse nuk ka edhe debat në seancën konstituive”, tha Zemaj.

Hamza për shtyrjen e seancës: Mungesë serioziteti nga Lëvizja Vetëvendosje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar ndaj vendimit për shtyrjen e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Shtyrja u bë me kërkesë të Albin Kurtit, kryetarit të partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), njëkohësisht kryeministër në detyrë.

Hamza duke folur për gazetarët në holl të Kuvendit e quajti papërgjegjësi këtë vendim.

“Kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit nga partia që ka fituar shumicën e votave. Po shihet që vazhdojnë sjelljet e tyre të papërgjegjshme në raport me institucionet”, tha Hamza.

I pyetur nëse do të shqyrtonin një takim me LVV-në, Hamza tha se nuk kanë nevojë për takime “pa rezultat”.

“Nuk kemi nevojë të takohemi. Ne kemi deklaruar rolin tonë që do të jemi parti në opozitë”, tha Hamza.

Ndërpritet seanca/ Vetëvendosje nuk propozon emër për kryeparlamentar

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka marrë fjalën në Kuvend gjatë seancës konstituive për të propozuar dikë nga partia e tij për të parin e Kuvendit, por këtë kohë e përdori për një krejt diçka tjetër.

Ai ka kërkuar kohë shtesë për bisedimet me LDK’në për çështjen e Presidentit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës bëjnë betimin, vazhdon seanca konstituive

Deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës kanë bërë betimin solemn, pasi paraprakisht u miratua raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, transmeton IndeksOnline.

Me përfundimin e betimit, seanca konstituive ka vazhduar me procedurat e radhës, ku pritet të zhvillohet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Vëmendja tashmë është përqendruar te sigurimi i shumicës së nevojshme për konstituimin e plotë të institucionit.

Seanca konstituive, formohet komisioni për verifikimin e mandateve, Dehari njofton 30 minuta pauzë

Tashmë ka filluar seanca konstituive e Kuvendit.

Kryesuesi i seancës Avni Dehari, ftoi partitë për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Aktualisht prezentë në seancë janë 119 deputetë, ndërsa për formimin e komisionit votuan 118, kurse 1 ka abstenuar.

Dehari ka njoftuar pushim 30 minuta.

Disa nga anëtarët e komisionit janë:

VV – Adnan Rrustemi.

PDK –  Përparim Gruda.

LDK – Besian Mustafa.

Aleanca – Time Kadrijaj.

Vjosa Osmani rikthehet në Kuvend si deputete e LDK’së pas gati gjashtë viteve

Ish-presidentja Vjosa Osmani u kthye sot në ulësen e deputetes së Kuvendit të Kosovës në Grupin Parlamentar të LDK’së pas gati gjashtë viteve.

Ajo ishte zgjedhur kryeparlamentare në shkurt të 2020-ës, por pak muaj më vonë ishte bërë ushtruese e detyrës së presidentes pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u shkaktuan nga rrëzimi i Qeverisë Kurti I, Osmani pas përjashtimit nga LDK, më pas kandidoi me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e 2021-ës ku garës i hyri për t’u bërë Presidente, sipas marrëveshjes me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Osmani u zgjodh presidente me një mandat të plotë në prill të 2021-ës dhe qëndroi në zyrë deri në prill të 2026-ës.

Nis seanca konstituive e Kuvendit, e kryeson Avni Dehari

Ka nisur seanca konstitive e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti më i vjetër, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari po e kryson këtë seancë.

Ai u uroi mirëseardhje deputetëve dhe diplomatëve të pranishëm.

Në fillim të seancës, Dehari bëri të ditur rendin e ditës dhe theksoi se “në seancën konstituive nuk zhvillohet debat”.

Fillimisht do të formohet një komision i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Pasi të kryhet kjo, deputetët betohen.

Kryetarin e Kuvendit e propozon grupi më i madh parlamentar, siç përcaktohet në nenin 67 të Kushtetutës. Ai zgjidhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).

Deputetët duhet t’i zgjedhin edhe 5 nënkryetarë të Kuvendit, 3 prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, kurse dy nga komunitetet joshumicë.

Tahiri: Aleanca do të ndihmojë në formimin e institucioneve, mos e bllokoni Kosovën

Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri është deklaruar para mediave lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Ai tha se në seancën e sotme do të marrin pjesë, ndërsa shtoi se Aleanca do të ndihmojë në formimin e institucioneve.

Pos tjerash, ai tha se Kosova nuk ka kohë dhe energji për të humbur me lojëra e pazare politike.

“Nuk ka ndryshuar asgjë, ajo që mund të ju them qytetarëve të Kosovës është shumë e thjeshtë, ne jemi në një seancë konstituive me vonesë shumë të madhe, konstituimi i Kuvendit është dashur të ndodhte menjëherë pas certifikimit të rezultateve, nuk ka asnjë arsye dhe asnjë justifikim për këtë shtyrje. Kosova nuk ka as kohë e as energji me humb me lojëra e pazare politike. Ajo që mund të ju them është që Aleanca do të ndihmojë në konstituimin e institucioneve të Kosovës, por nga ana tjetër ne kemi një qëndrim publik politik”, u shpreh Tahiri.

Po ashtu, deputeti i zgjedhur iu bëri thirrje kolegëve të tij deputetë që të mos e bllokojnë Kosovën.

Kuvendi gati për seancën konstituive, deputetët fillojnë të hyjnë në sallë

Deputetët kanë nisur të mblidhen në sallën e Kuvendit, ku pritet të fillojë seanca konstituive.

Seanca ishte paralajmëruar të nisë në orën 10:00, por ende nuk ka filluar. Ndërkohë, disa deputetë dhe përfaqësues të subjekteve politike tashmë kanë hyrë në sallë.

Në Kuvend janë parë deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe përfaqësues nga Aleanca.

Pritet që gjatë kësaj seance të zhvillohen procedurat e para për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat